Data më e rëndësishme në historinë e Shqipërisë

“Ndihem krenar që shqiptarët kanë kontribuar në të ardhmen dhe zhvillimin e Malit të Zi, në pavarësimin, konsolidimin, prosperitetin dhe proceset intergruese në NATO dhe BE, dhe që ata vazhdojnë të kontribuojnë në qeverisjen e vendit, duke treguar përgjegjshmëri dhe konstruktivitet politik”, u shpreh ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, Ridi Kurtezi

28 Nëntori – Dita e Flamurit Kombëtar dhe 110-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, u kremtua këtë vit nga institucione, shoqata kulturore-artistike, shkolla dhe nga subjekte politike shqiptare në Mal të Zi.
Në përkujtim dhe nderim të kësaj feste të rëndësishme kombëtare, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi organizoi të hënën, më 28 nëntor 2022 pritje zyrtare në Podgoricë, me ç’rast morën pjesë personalitete të shumta, mes të cilëve edhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, përfaqësues të ambasadave të huaja në Mal të Zi, përfaqësues të subjekteve politike shqiptare dhe malazeze, përfaqësues të klerit dhe figura të jetës politike e publike në vend.
Pas intonimit të dy himneve – të Malit të Zi dhe Shqipërisë, interpretuar nga sopranoja, Gjylie Pelingu – Hoxha, ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, Ridi Kurtezi në fjalën e rastit, duke iu drejtuar të pranishmëve në gjuhën angleze theksoi se 28 Nëntori i vitit 1912 është data më e rëndësishme në historinë e Shqipërisë, “data kur të gjithë ne shqiptarët festojmë me krenari Shpalljen e Pavarësisë, e cila nuk erdhi si dhuratë, por vetëm përmes luftërash, mundimesh dhe sakrificash shekullore”.
Kurtezi në mes tjerash u shpreh se 28 nëntori i vitit 1912 konsiderohet gjithashtu edhe si Dita e Flamurit në ndërgjegjen historike të shqiptarëve.
“Nëntori është muaji që lidh edhe një ngjarje tjetër të rëndësishme për ne shqiptarët – festën e çlirimit të vendit nga nazi-fashizmi. Në altarin e dëshmorëve të kombit, prehen 28 mijë dëshmorë të atdheut. Shqipëria bëri një rezistencë të armatosur ndaj pushtuesve nazi-fashistë, duke u radhitur krenarisht krahë për krahë me fitimtarët e Luftës së Dytë Botërore”, u shpreh Kurtezi.
Ai më tutje duke folur mbi marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi, tha se këto dy shtete fqinje kanë marrëdhënie shumë të mira dhe janë një shembull i bashkëpunimit dhe fqinjësisë së mirë në rajon.
“Mund të duket klishe, por në një rajon dhe mjedis që më shumë ka ofruar dhe është njohur për problemet e tij, mendoj se bëjmë mirë të evidentojmë dhe vëmë në dukje atë që është pozitive dhe që shërben si një shembull i mirë. Kjo tendencë pozitive është rezultat i një vullneti politik të dyanshëm, që sheh tek fqinji partnerin, kontribuesin në arritjen e qëllimit të përbashkët për stabilitet dhe përparim, zhvillim e mirëqenie”, tha në mes tjerash Kurtezi.
Ai theksoi se një element shumë i rëndësishëm dhe një vlerë e shtuar në ecurinë e këtyrë marrëdhënieve janë bashkëkombësit tonë të cilët siç tha ambasadori, në vazhdimësi kanë qenë një urë lidhëse e miqësisë së dy vendeve.
“Ndihem krenar që shqiptarët kanë kontribuar në të ardhmen dhe zhvillimin e Malit të Zi, në pavarësimin, konsolidimin, prosperitetin dhe proceset intergruese në NATO dhe BE, dhe që ata vazhdojnë të kontribuojnë në qeverisjen e vendit, duke treguar përgjegjshmëri dhe konstruktivitet politik”, u shpreh ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, Ridi Kurtezi.
Ndërkaq, 28 Nëntori dhe Pavarësia e shtetit shqiptar u shënua zyrtarisht edhe nga Komuna e Tuzit e cila kësaj feste ia kushtoi një program të larmishëm historik, kulturor dhe artistik, të organizuar në QKI “Malësia në Tuz”, po më 28 nëntor 2022, ku në mes tjerësh fjalën e rastit e mbajti edhe Brajan Barnet, kryebashkiaku i Roçester Hillsit.
Ndërkaq edhe SHKA “Koha” nga Dinosha, një ditë më heret, të dielën më 27 nëntor 2022 kremtoi Festën e Flamurit dhe 45-vjetorin e themelimit të kësaj shoqërie kulturore-artistike, me një program argëtues të shfaqur në QKI “Malësia” në Tuz, ku krijimtarinë e tyre artistike përveç SHKA-ve nga Malësia e shpalosën edhe SHKA “Drita e Dervenit” Saraj-Shkup, ndërsa interpretoi edhe aktori, Xhevat Limani.
Po në të njëjtën ditë, Lidhja Demokratike në Mal të Zi, përkatësisht Dega e Malësisë kremtoi 28 nëntorin, Ditën e Flamurit Kombëtar dhe 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, me një organizim i cili mblodhi një numër të caktuar të simpatizuesve dhe ithtarëve të partisë së parë politike shqiptare në Mal të Zi.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, z. Marash Dedvukaj në mes tjerash u shpreh se LD në MZ si subjekt i parë nacional, ka qenë kurdoherë i hapur në shërbim të interesit të përbashkët.
“Ne si subjekt politik kombëtar, kemi synuar gjithmonë që të ruajmë ato parime që ndoshta në aspektin ekonomik na kanë lënë edhe mrapa, por në aspekin e kombit dhe të shtetit ne e kemi pasur vendin gjithmonë aty ku e kemi ruajtur interesin e përbashkët”, u shpreh Dedvukaj.
Kjo festë kombëtare është shënuar edhe në Ostros, Ulqin dhe në treva të tjera shqiptare në Mal të Zi.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat