Darka e fundit në muret lezhjane

Gazmend Çitaku

Lista e vendeve që janë pjesë e interesit tim për t’i vizituar padyshim se është shumë e madhe. Agjenda përmban edhe vende të atilla që kërkojë rifreskimit të memories për atë që kam parë e vizituar më parë. Një prej vendeve që disa herë kam qenë është Lezha mirëpo ky qytet është një pikë që gjithmonë kalojmë aty pranë, mirëpo nxitimi na bën që vetëm të kalojmë atypari pa u ndalur. Më 13 tetor 2024, ne pjesëtarët e grupit “Ilirët” nga Ulqini vendosëm që të bëjmë një vizitë Lezhës me tri pika interesi. Sami Flamuri, Fatmir Markashi, Indrit Çitaku dhe unë u nisëm drejt Lezhës dhe stacioni i parë ishte kisha e Shën Prendes në Balldre. Për këtë kishë për herë të parë kam dëgjuar në vitin 2019 kur një stuhi e madhe që kishte kapur Lezhën dhe kësaj kishe ia kishte zbuluar kulmin kështu që afresket që gjendeshin brenda ishin të rrezikuara që të shkatërroheshin. Meqë kisha ishte shpallur Monument Kulture i kategorisë së 1-rë që në kohën e monizmit, problem ishte për të marrë leje për ndërhyrje e që mungesa e kulmit bënte që afresket të dëmtoheshin.
Fshati Balldre është një vendbanim mesjetar që ndodhet vetëm 5km larg Lezhës e për ne që vijmë nga drejtimi i Ulqinit nuk mund ta anashkalojmë. Emri i këtij vendi shpjegohet sipas kombinimit të fjalëve Ballë+Drini. Pika jonë e parë, Kisha e Shën Prendes ose kisha e Shën Prenes si i thonë banorët lokalë, gjendet menjëherë në fillim të kodrës dhe ka një planimetri në formë drejtkëndëshi 12m x 6m. Kjo kishë i përket shek. XII dhe klasifikohet si arkitekturë romano-gotike. Sipas tabelës që gjendet në hyrjen e oborrit të kishës marrim informatat themelore: Kishë e shek. XII, rikonstruktuar dhe restauruar në vitin 2019, “… është një bazilikë njënefshe, e mbuluar me qemer të mprehtë dhe me apsidë gjysmë rrethore në anën lindore. Përmendet si “Kisha e Shën Anës” në relacionin e ipeshkvit të Tivarit, Marin Bizzi i cili ka vizituar këtë kishë në vitn 1610…”. Meqë dera hyrëse është e mbyllur, për të mos i lënë rastësisë asgjë, një ditë më parë kam kontaktuar dom Nikë Ukgjinin dhe këshilla e tij ishte që të trokas në derën e motrave të nderit që jetojnë aty pranë dhe se ato e kanë çelësin dhe do na japin të dhënat lidhur me kishën. Ashtu edhe ndodhi. Motra e cila na shoqëroi dhe na udhëhoqi fliste në superlativ për dom Nikën i cili dikur për disa vite kishte shërbyer edhe në Ulqin.
Dera u hap dhe që të katër hymë brenda me këmbë të djathtë. Ndjenja që përjetuam në ato momente ishin të njëjta për të gjithë, një lloj aure që transmetohej nga pamja që kishim përpara na kishte mbërthyer të gjithëve. Ndonëse një hapësire relativisht e vogël ishte e mjaftueshme që afreskat e pikturuara të transmetonin gjithë imagjinatën dhe mjeshtërinë e artistit ikonograf. Motra e cila na shoqëronte tregon se e gjithë brendësia e kishës dikur ka qenë e dekoruar me afreske. Sipas ekspertëve dallohen dy periudha të ndryshme kohore të afreskeve. Prej periudhës së parë deri në ditët tona kanë mbërritur fragmente të një vizioni apokaliptik në formën e “Majestas Domini” dhe me figura peshkopësh. Ky stil pikturimi i nënshkruhet “Stilit gotik” por me ndikime nga bizanti. Kurse nga faza e dytë ruheshin mbetje afreskesh nga skena “Deisis” sipas stilit po ashtu bizantin. Nga kjo fazë atë që e bënte edhe më interesante ishte skena e “Darkës së fundit” e që i nënshkruhen gjysmës së parë të shek. XVI. Duke ditur se Leonardo da Vinçi i cili këtë skenë, (Darka e fundit) e ka punuar në vitet 1495-98, e që i bie fundi i shek. XV krenaria na thoshte se ndoshta skena e ikonografit tonë ndoshta ishte më e vjetër kështu që edhe bëmë pyetje.
A dihet kush i ka punuar këto afreske? – ishte një pyetje pothuaj njëzëri nga ne të katër. E dinim se përgjigja nuk do të jetë Onufri i vjetri, Nikollë Onufri, Selenica, Shpataraku, Zografi etj., por ja që shpresonim ndonjë emër të autorëve tanë. Motrës nuk i kujtohej emri për momentin por tha se mjeshtrit kishin qenë dalmatë. Në kohën e monizmit, vazhdon ajo, të gjitha muret kanë qenë të suvatuara dhe të lyera me gëlqere kështu që në vitet 2002-2004 është bërë punë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës në rikthimin e afreskeve në gjendjen e parë. Gjithashtu nga i njëjti institucion është bërë edhe ringritja e absidës së anës jugore ku hasin në gjurmë të themelit antik.
Veçantia e Darkës së fundit nga mjeshtri ynë dalmat i kishës së Shën Premtes është se përveç skenës së njëjtë me atë të Da Vinçit mjeshtri ynë paraqet Jezusin së bashku me dishepujt e tij ku mes tyre është edhe Juda. Derisa në versionin zyrtar që njihet nga kisha, në skenën e Darkës së fundit figurojnë 12 kupa ke skena e ikonografit tonë në këtë rast ka të paraqitura vetëm 6 kupa. Kjo edhe e bën pak më të veçantë nga paraqitjet tjera andaj edhe na shtyn të mendojmë se mund të jetë edhe më e vjetër se ajo e Da Vinçit.
Kjo kishë sot ka mbi 800 vjet andaj edhe në periudha të ndryshme kohore ka pësuar edhe rrënime, rindërtime e restaurime. Bëjmë fotografitë e ndryshme duke u mahnitur me skenën e Darkës së fundit dhe pastaj dalim në hapësirën pranë ku ishte ekspozita me pano të fotografive nga procesi i punimeve restauruese të vitit 2019. Në njërën prej panove menjëherë dallojmë mikun tonë Fredi Stamatin në procesin e pastrimit të një pllake përkujtimore si dhe dom Nikë Ukgjinin i cili ishte sakrifikuar dhe angazhuar që të sigurojë mjetet e nevojshme për restaurim. Menjëherë në anën e djathtë sapo të hysh brenda vëmendjen ta merr ekspozita në murin e kaltër ku ishin të vendosura disa gjetje të rastit. Në tokë ishte i ekspozuar një gurë varri me simbole pagane. Edhe pse kryefjalë në këtë gurë ishte kryqi prapë se prapë vëmendjen ta tërhiqini një hënë e vogël vendosur sipër kryqit dhe një hark me shigjetë nën te që të çonte mendjen ke dekoret e gurëve të varreve në Vuksanlekaj. Këtë gurë të veçantë e bënte edhe bazamenti i tij ku cepat e tij ishin të dekoruara me yllin gjashtëcepësh.
Në murin ekspozues përveç gurëve të dekoruar që vinin nga antikiteti vend të rëndësishëm zinte edhe një gurë dimensionesh 50x30cm (përafërsisht sipas autorit të këtij shkrimi). Ky gurë ishte i vjetër dhe Fredi Stamati pasi e kishte pastruar e kishte bërë të lexueshëm mbishkrimin bizantin i cili si datë kishte vitin 1462. Përkthimin shqip të tekstit e lexojmë sipas legjendës që ishte sipër tij: “Kujto o Zot shpirtrat e shërbëtorëve të tu Mateo e Jakobit dhe Helenës + Stefanit”.
Dolëm nga kjo kishë të emocionuar dhe të mbushur plot entuziazëm, krenar për vlerat që kemi trashëguar dhe jashtëzakonisht të kënaqur që pika e parë e vizitave të sodit ishte mu kjo kishë e vjetër dhe afresku me skenën e Darkës së fundit. Krenar për këtë pasuri që kishte mbërrit deri në ditët e sotme që të tregonte mbijetesën, të jepte aurën e duhur, dokumentonte lashtësinë, shfaqte mjeshtërinë ikonografike dhe dëshmonte historinë. Duke u përshëndetur me motrën vazhduam rrugën tonë drejt kalasë së Lezhës e që ishte pika jonë e dytë.
(vijon në numrin e ardhshëm)

Të fundit

më të lexuarat