
Grupi “Ilirët” nga Ulqini, edhe pse i përgjysmuar (një në studime e tjetri në gurbet), prapë u aktivizua dhe filloi vizitat hulumtuese të qendrave të mëdha ilire. Në agjendën e vizitave, prej vitit 2020 qëndronte pezull Daorsoni i cili gjendet në fshatin Orashiq të Bosnjë dhe Hercegovinës. Por, për shkak të situatës së krijuar globale deri më 25.9.2022 nuk ishte e mundur të realizohej. Parapërgatitjet filluan dhe së bashku me Samiun u pajtuam që kësaj rruge t’i bashkangjiteshin Fatmir Markashi dhe Muhamed Gjokaj nga Dinosha. Nga Ulqini u nisëm në ora gjashtë të mëngjesit, sepse na priste rrugë e gjatë, kurse në Podgoricë na u bashkua Muhamedi. Menjëherë filloi biseda për vendin që do të vizitojmë, lidhur me megalitet gjigande që do të shohim, stelat e lashta të njohura si Steqakë (e në atë rajon janë identifikuar afro 4.000 sosh), por edhe për vetë Stol-cin qytetin më të afërm që ka emrin shqip.
Pasi që Fatmiri kishte kohë që merrej me problematikën e halpogrupeve të gjakut, ai na e bëri një elaborat të detajuar të grupeve të gjakut si të shqiptarëve ashtu edhe të fqinjëve të rajonit, por edhe më gjërë. Rruga nga Podgorica e deri në Nikshiq u bë për pesë minuta dhe ligjërimi i Fatmirit na la të gjithëve të habitur me njohjen në detaje të kësaj problematike. Sapo arritëm në rreth-rrutullimin e fshatit Vilusi, Google na lajmëron kthesë në të djathtë dhe na propozon që rrugën ta bëjmë në drejtim të pikës kufitare Vraqenoviq. Sapo kaluam kufirin mes MZ dhe BeH, menjëherë u vërejt një atmosferë pak më ndryshe. Kur them më ndryshe mendoj se aty koha kishte ndaluar në vitet e tetëdhjeta të shekullit të kaluar. Rrugët nuk ishin në gjendje të mirë, por edhe shtëpitë ishin konzervuar në po ato vite madje në shumë prej tyre ende vëreheshin gjurmët e luftës. Një ndjenjë e pakëndshme rrinte pezull. Kaluam nëpër Bileqen e vojtur mos më keq dhe duke na treguar Muhamedi për ish-shkollën ushtarake, aty vëmendjen tonë na e morën stelat gjigande buzë rrugës. Menjëherë ndaluam makinën dhe dolëm të shohim se me çka kemi të bëjmë. Befasi. Afro 30 megalite stelash fare pranë rrugës. Mes shkurreve në pyll, stela impozante, me volta, që peshojnë disa tonë. Jo shumë larg po në atë drejtim maje kodre kishte ngritë kokën një tumul gjigande ilire. Të gjithë ishim në trans.
Vazhduam rrugën në drejtim të Daorsonit. Google na thotë edhe 13 minuta rrugë. Duke përmbledh përshtypjet e para, pa e hetuar fare kalojmë kufirin mes RS dhe BeH dhe jemi fare pranë Stollcit. Fatmiri na shpjegon se bregut të Lumit Bregava (Breg-vi vër.aut.) që kalonte përmes Stollcit kishte shumë mullinj uji. Shumë shpejt ndaluam në një mulli të adaptuar në restoran dhe duke pushuar shijuam ambientin i cili ishte shumë i këndshëm. Në largim ndalemi para mbishkrimit të mullirit ku në sllavishte shkruante: “Mlin Buzdelj”. Pyesim mullisin se a e di domethënien? Duke na pohuar me kokë dhe duke treguar me gisht nga goja, ai na thotë se mbiemri i tij do të thotë “Zub” e që në shqip i bie dhëmb. Eureka! Ja një fjalë shqipe e konzervuar nga vendasit. “Buzë-del, del nga buza, dhëmbi”. A thua vallë ilirët dhëmbin e kanë quajtur buzdel? Çfarë kënaqësie. Asgjë nuk është rastësi, grupi i ilirëve nga Ulqini mësoi një fjalë të re ilire në Stol e me ne edhe ju: BUZDEL=DHËMB.
Nga mulliri i dhëmbit u nisëm drejt Daorsonit për të cilin teknika na tregonte se jemi larg 5km. Pas 300 m morëm kthesën në të djathtë dhe filluam ngjitjen. Makina moderne e Samiut gjarpëronte drejt Daorsonit dhe nuk e ndjente aspak ngjitjen. Sa çel e mbyll sytë na u shfaq kompleksi arkeologjik i Daorsonit. Parkuam dhe të katërt dolëm të pajisur me aparate fotografike. Fatmiri e Samiu në trans shkonin drejt murit gjigand me megalitet ciklopike. Unë e Muhamedi nëpër tokë vërenim shumë copa qeramike, dhe ja menjëherë një grumbull gurësh. Poooo, është tumul ilire të cilën e identifikuam. Gjyetarët e thesareve e kishin shkretuar. Disa metra më larg ishte edhe një tumul, por më e vogël. Identifikojmë dy dorëza amfore. Edhe këtu plot e përplot me qeramikë. Duke studiuar format e copave të qeramikave vërejmë vend-mbledhjen e ujit e cila kishte një diametër prej 10 m dhe një thellësi përafërsisht 2 m. Interesante e bënte mënyra e të punuarit në kaskadë dhe i gjasonte një amfiteatri të vogël. Nisemi drejt megamurit ilir dhe emocione të papërshkrueshme të kaplojnë. Lidhja e thatë e mureve me megalite gjigande disatonëshe ishte shumë e veçantë, dhe pa dyshim lashtësia e vendbanimit dhe ilirëve që e ndërtuan shkonte shumë më larg se shekulli IV p.e.re. Daorsoni gjendet në një lartësi mbidetare prej 290 m, ndërsa në krahasim me luginën nën të, 220 m. Në tri anë është greminë dhe qasje ka vetëm nga jug-lindja. Shtrihet në një hapsirë prej 30 ha dhe përbëhet prej tri tërësive. Muri ciklopik që gjendej mes dy kullave ishte i gjatë diku 60 m dhe vende-vende i lartë përafërsisht 10 m e i gjërë 2 m. Përfaqësonte mbrojtjen e akropolit ku pasi kaloje portën gjigande të lartë 5 m, dalloheshin gjurmë të konstruksioneve të ndryshme që dikur kanë qëndruar krenare. Gjeta shkallët e para që çonin për disa metra poshtë greminës. Aty është edhe një pushimore e vogël dhe buzë shkëmbit shkallët tjera që çonin në drejtim të një shpelle. Shkallëve mund të vëreje numër të pafund të copave të qeramikës. Unë mundohesha të identifikoj ndonjë me ngjyrë të zezë, por jo të tilla nuk më kapte syri. Një çift të rinjësh ishin më fatlum se unë. Djali gjeti një maje shigjete, unë e lakmoja por paraqitesha indiferent.
U kthyem sërisht te muri ciklopik dhe atje takuam një çift tjetër nga Belgjika për të cilët kjo ishte hera e dytë që kishin ardhur. Samiu i ekzaltuar duke thirrë ilirët merr vrapin në drejtim të portës. Belgiani mbetet i habitur. Si ka mundësi: ai tash dy vite mundohej të kapte aureolën e ambientit, kurse Samiu pas vetëm gjysmë ore vraponte sikur në trans. Belgu e xhelozonte. Atij i mbajtëm falas një orë historie për ilirët dhe ia bëmë me dije se ky vend është vend i pastër ilir i fisit Daorsë. Moti edhe pse i vranët, por pa shi ishte fantastik dhe i jepte një madhështi të gjithë Daorsonit. Orët kalonin duke bërë fotografi nga më të ndryshmet dhe vetëm shiu që filloi të binte na e bëri me dije se ishte koha të uleshim në Radimle poshtë Kalasë së Daorsëve, dhe të vizitonim kompleksin prej 110 stelave. Sa çel e mbyll sytë arritëm aty. Djali që punonte na tregoi se kishim të bënim me 65 “steqakë”, që përmbanin zbukurime prej të cilave disa kishin trimin me fustanellë i cili në të majtë kishte një shigjetë, kurse me dorën e djathtë përshendeste. Ilirët filluan të flasin. Jo me zë, por përmes piktografeve të skalitura në stela. Përgjegjësi shpjegonte se kemi të bëjmë me varreza mesjetare, që më të vjetrat të identifikuara ishin nga shekulli XV, dhe se shkrimet në to ishin me alfabetin e ashtuquajtur “bosançica”.
OK, ne dëgjuam verzionin zyrtar ashtu siç e dëgjuan edhe vizitorë tëtjerë. Por, stelat filluan të komunikojnë me ne me një shqipe të kulluar. Ornamentet ishin identike me ato të xhubletave. Fatmiri shpjegon se në shumicën e këtyre stelave gjen si zbukurim një ornament që njihet si “Zik-zaku i Marashit”. Por, jo ai nuk është zbukurim pasi që kemi të bëjmë me objekte sakrale, andaj ai është simbol, dhe përveç vijes zikzake gjejmë edhe simbole të tjera nga periudha pagane të ilirëve që sot janë të asimiluar: dielli, spiralja, rrathët koncentrik, vija valore etj. Numri i madh i stelave në këtë rajon lehtë shpjegohet me trashëgiminë e mënyrës së lashtë të varrimit. Dikur me tumula (numër shumë i madh i identifikuar) e më vonë me megalite shkëmbore – stela. Sa më i kamur të ketë qenë personi, aq më e madhe stela dhe aq më shumë gdhendje. Gdhendjet transmetojnë mesazhe të cilat vetëm me kulturën ilire fare lehtë mund të shpjegohen. UNESCO-ja i ka futur në listën e të mirave kulturore afro 4.000 stela në tri shete kufitare ku gjenden ato, por habia më e madhe qëndron se tumulat ilire nuk ishin fare të mbrojtura, madje edhe qyteti impozant i Daorsonit ishte pre e lehtë e keqbërësve. Duke përmbledhë përshtypjet e ditës largohemi nga Stollci apo më mirë të themi nga Daorsoni me mbresat më pozitive. Nga literatura mësojmë se në Daorson është gjetur një helmetë ilire, 29 monedha të Mbretit Ballaios, disa monedha me mbishkrimin Daorson dhe liburnën në të. Këtu janë prerë monedha, janë gjetë fragmente të një kupe të ashtuquajtur helene shumë të rrallë, të vetmen në ish-Jugosllavi e të ngjashme me një nga Butrinti, Athina, Korinthi etj. Pra, flasim për “Thorn kantharos” shumë të rrallë e këtu janë gjetur me dhjetëra. Pastaj figura e Kadmit dhe Harmonisë. Jo shumë larg Daorsonit e që i përket të njejtit areal, në Hutovo blato, janë gjetur mbetjet e dy liburnave ilire, pastaj afërsia e madhe me Naronën ka bërë që viteve të tetëdhjeta të shekullit të kaluar një studiuse meksikan, Robert Salinas Prajs, të dalë me teorinë se Troja gjendet në luginën e Lumit Neretva, dhe hamendësimet e tij ishin mes Gabellës dhe Daorsonit. Ky vend ende qëndron i pahulumtuar dhe pret që një ditë t’i kthehet lavdia që ka pasë para se të shkatërrohet dhe të zhvendoset e gjithë popullisa. Në vitin 2007 arkeologu gjerman Dr. Nils Miler Shisel sipas sondazheve që bën, konstaton se nën kompleksin ekzistues të Daorsonit ka edhe një qytet tjetër i cili më së paku 500 vjet është më i vjetër se ai ekzistuesi që shihet. Pra, Daorsoni është vetëm vazhdimësi e jetës së një qytetërimi më të hershëm. Sipas asaj që dihet deri më sot, konstatohet se në Daorson kanë jetuar vetëm aristokracia e qytetit, kurse popullisa e thjeshtë në luginë, pra në fushën e Radimles ku sot është edhe kompleksi impozant i mbi 100 stelave.
Ky ishte takimi im i tretë me Daorsonin. I pari në vitet e tetëdhjeta kur si nxënës shembullor isha pjesë e skuadrës së nxënësve që kaluan pushimet në Zaostrog të Kroacisë. Pjesë e këtij grupi ishte edhe vajza nga Prishtina që quhej Daorsa. Hera e dytë në vitin 2004 një bisedë mes motrës dhe bashkëshortes time lidhur me emrat e gjinisë femërore, motra ime përmendi Daorsën e bashkëshortes time i pëlqeu ky emër i çuditshëm ilir, kështu vajza ime e lindur në vitin 2005 fitoi dhe me krenari mban emrin Daorsa. Hera e tretë padyshim ishte vizita ime fizike e Daorsonit në shtator 2022, e që konstatoj se me të vërtetë është Mikena ilire.
