CNN-i i Malësisë dhe i diasporës

Gjekë Gjonlekaj

Në verën e vitit 2000, një grup malësorësh shqiptarë udhëtuam nga Nju Jorku për në Prishtinë, për të vizituar Kosovën tonë të lirë. Arritëm atje në Itakën tonë pas një çerek shekulli. Ishim dënuar nga pushteti i atëhershëm jugosllav, sepse kishim qenë aktivë në lëvizjen e shqiptarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, por edhe për bashkimin kombëtar, edhe pse të gjitha aktivitetet tona kishin qenë në pajtueshmeri me Kushtetutën dhe ligjet amerikane. Ndërsa po kalonim me aeroplan nëpër qiellin e kaltërt të Dardanisë, nga dritaret e aeroplanit po shikonim fushat dhe malet e bukura të asaj treve historike dhe legjendare.
Përveç qytetarëve të Kosovës, në Prishtinë kishin ardhur edhe një grup malësorësh nga Mali i Zi, midis të cilëve dalloheshin Tomë Bojaj dhe Luigj Berishaj të emisionit televiziv në gjuhën shqipe në Podgoricë për të marrë pjesë në Panairin e Librit. Aty po merrja pjesë edhe unë me disa vepra të botuara anglisht dhe shqip në Nju Jork. Organizatorët e këtij Panairi e pritën mirë ndërmarrjen time botuese Gjonlekaj Publishing Company. Gjatë atyre ditëve në Prishtinë shumicën e kohës e kaluam me Tomë Bojajn dhe Luigj Berishajn. Tomë Bojaj ishte njeri i veçantë. Ky djalë i ri të jepte përshtypjen e një profesionisti që aspironte punë të mëdha dhe të mira. Toma ishte shumë i matur dhe i ndjeshëm ndaj çështjes kombëtare. Fliste ngadalë dhe nuk premtonte shumë. Kishte alergji ndaj fjalëve të mëdha e punëve të vogla. Ishte optimist në jetë, por ajo çka shkëlqente në sytë dhe fytyrën e tij ishin cilësitë e tij të mrekullueshme prej një patrioti të vërtetë. Fliste me pasion për historinë, kulturën dhe traditat tona, e veçanërisht ato të Malësisë së Madhe.
U miqësuam në Prishtinë, mbase ndikim të madh kishin idealet dhe profesionet tona të përbashkëta. Toma ishte elegant dhe çdo punë i kishte hije. Ishte shumë i brengosur lidhur me shtypjet dhe diskriminimet serbo-malazeze ndaj malësorëve. Këto cilësi fisnike dhe patriotike e shtynë që një vit më vonë, pikërisht në Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor të vitit 2001 të themelonte televizionin e pavarur në gjuhën shqipe.
Data të cilën e kishte caktuar për inagurimin e këtij televizioni tregonte më së miri kush ishte Tomë Bojaj. Këtij televizioni i dha emrin BOIN, që ishte vendlindja e tij në Grudën historike të Malësisë së Madhe, ku kishin jetuar shumë familje të përmendura. Puna dhe përpjekjet për themelimin e këtij televizioni kishin qenë tepër të vështira, por Toma dhe bashkëshortja e tij Sandra ia kishin vënë themelet e forta që për më shumë se dy dekada nuk e lëkundën asnjëherë stuhitë e ndryshme, bile as ato shoviniste. Ky televizion u themelua për qëllime të mira kombëtare dhe zonja Bojaj meriton respekt gjithëkombëtar, sepse po e vazhdon amanetin e burrit të saj të ndjerë.
Tragjedia e tij personale, sëmundja dhe më vonë vdekja, kishin qenë katastrofë e papërshkrueshme për familjen e tij dhe për të gjithë malësorët në Malësi e në diasporë. Toma u përcoll me nderime të mëdha. Dom Nosh Gjolaj, në një intervistë që u transmetua në TV BOIN, e krahasoi Tomë Bojajn me burrat më të përmendur të Malësisë së Madhe. Në ato kohë të vështira dëgjoheshin pëshpërima se ky televizion mund të ndërpriste transmetimet. Por shikuesit e rregullt të këtij televizioni i luteshin Zotit që të mos ndodhë një gjë e tillë.
Znj. Sandra Bojaj ishte para dy sprovave të mëdha e të vështira: jeta, edukimi dhe arsimimi i katër fëmijëve të moshës tepër të re, por edhe vazhdimi i Televizionit BOIN, që ishte amanet i burrit të saj.
Ajo mori dy përgjegjësi të mëdha në jetë, duke vazhduar kujdesin e gjithanshëm të fëmijëve dhe të Televizionit BOIN me nder e dinjitet. Qëndrimi i saj na kujton ato malësoret fisnike të shekullit të kaluar, të atyre malësoreve të mrekullueshme të cilat pas vdekjes së burrave ruanin shtëpinë, nderin e familjes dhe fisit. Ky rast i veçantë evokon një zonjë amerikane e cila mori përsipër vazhdimin e gazetës “The Washington Post” pas vdekjes tragjike të burrit të saj. Kjo grua e famshme amerikane quhej Katharine Graham, e cila e menaxhoi këtë gazetë, duke hyrë në historinë e Amerikës për guximin dhe aftësitë e saj të veçanta në përparimin e gazetarisë. Ajo ishte gruaja e parë në Amerikë e cila kishte krijuar “Tryezën e rrumbullakët”, për t’u ulur të gjithë njësoj. Znj. Katherine Graham vdiq në vitin 1991 dhe u përcoll për në amshim me nderimet më të mëdha nga elita politike dhe intelektuale të Uashingtonit, ku kishte marrë pjesë edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara Xhorxh Bush dhe dy ish-presidentë amerikanë.
Sot qytetërimi botëror e konsideron televizionin si fuqinë e katërt të shoqërisë njerëzore, ku bëjnë pjesë ekzekutivi, legjislativi dhe gjyqësori. Televizioni BOIN shkëlqen si drita e diellit në ekranet televizive të Malësisë, mbase edhe me shumë në diasporën e Amerikës dhe Evropës. Malësorët e Amerikës, bile edhe ata që e kuptojnë mirë gjuhën angleze, përsëri qëndrojnë gjithë ditën dhe në mbrëmje deri vonë me këtë kanal të dashur. Qëndrojnë edhe më shumë ata që kanë nostalgji për vendlindjet e tyre. TV BOIN është një pasqyrë e vërtetë e Malësisë dhe Tuzit. Gazetaret dhe punëtorët teknikë janë të mrekullueshëm. Gazetaret e TV BOIN bisedojnë me popullin shumë të qeta dhe pa provokime. Edhe telespektatorët e diasporës ndihen mirë kur i shikojnë emisionet të cilat i drejtojnë ato. TV BOIN është shumë i kujdesshëm ndaj të varfërve, që tregon se janë edhe humanistë. Të gjitha këto veprime bëhen me sugjerimet e drejtoreshës ekzekutive, znj. Sandra Bojaj dhe personelit të këtij televizioni. TV BOIN ishte iniciator për ndërtimin e gjithë atyre shtëpive për më të varfrit. Kameramanët Mark Ujkaj dhe Xhenan Dresheviq janë specialistë të xhirimeve më të bukura të ngjarjeve dhe natyrës piktoreske të maleve dhe fushave tona. Edhe këta meritojnë respekt njësoj si personeli i gazetarisë.

(vazhdon)

Të fundit

më të lexuarat