Dhoma e Mjekëve të Malit të Zi ka ndarë të premten (22 dhjetor 2023) çmimet vjetore për institucionin më të mirë shëndetësor, studentin më të mirë të mjekësisë dhe mjekun me merita të veçanta në fushën e mjekësisë për vitin 2023.
Komisioni i Dhomës së Mjekëve ka vendosur që çmimin vjetor për merita të veçanta në fushën e mjekësisë, i cili mban emrin “Dr. Branko Zogoviq”, ta ndajnë mjekët Prof. dr. Sllavica Vujisiq dhe Dr. Adem Mustafa.
Në arsyetimin e Komisionit thuhet se bëhet fjalë për mjekë me përvojë pune prej katër dekadash, të cilët i karakterizon përkushtimi, profesionalizmi dhe përgjegjësia.
“Puna e të dy mjekëve dëshmon për rëndësinë dhe kontributin e dy rrugëve të ndryshme profesionale në përkujdesjen shëndetësore të qytetarëve të Malit të Zi. Prof. dr. Sllavica Vujisiq, duke punuar si mjeke dhe njëkohësisht duke ndërtuar karrierën e saj të pasur akademike që shprehjen e saj e ka në edukimin e gjeneratave të reja të doktorëve të mjekësisë, kurse Dr. Adem Mustafa, duke punuar në ambulancën në Katërkollë dhe duke u përkujdesur për shëndetin e banorëve të trevës së Anës së Malit, që përfshin njëzet fshatra dhe puna humane e të cilit me dekada zhvillohet në kushte pune të papërshtatshme”, ka theksuar kryetarja e Dhomës së Mjekëve të Malit të Zi, Dr. Zhanka Ceroviq.
Ndër kriteret që është dashur t’i plotësojë mjeku për fitimin e këtij çmimi kanë qenë që ta kryejë punën në fushën e tij me ndërgjegje dhe përgjegjësi, të arrijë rezultate tejet të mira në shërimin e pacientëve, të ketë bashkëpunim dhe raporte të mira me kolegët si dhe t’i përmbahet në mënyrë strikte Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore.
Mjeku Adem Mustafa është kandiduar për çmimin vjetor të Dhomës së Mjekëve të Malit të Zi me propozim të Shtëpisë së Shëndetit në Ulqin.
Në arsyetimin e propozimit thuhet se Dr. Adem Mustafa, i cili që prej 28 vjetësh punon në Ambulancën në Katërkollë, gëzon reputacion dhe respekt të lartë të popullatës së Anës së Malit e më gjerë, si dhe vlerësimin e pacientëve me punën e deritanishme – pa vërejtje dhe ankesa zyrtare për punën e tij.
“Vetëm në vitin 2023, ai ka kryer në total 10 748 shërbime, nga të cilat 10 281 shërbime kurative dhe 285 shërbime parandaluese, pra më shumë se numri i pritshëm i shërbimeve në nivelin vjetor. Gjithashtu theksojmë se Dr. Mustafa është gjithmonë i gatshëm t’u përgjigjet ftesave për tubime edukative, trajnime, seminare, kongrese dhe tubime të tjera profesionale të karakterit edukativ”, thuhet në arsyetim.
Adem Mustafa ka lindur në vitin 1957 në fshatin Sukubinë të komunës së Ulqinit. Shkollën fillore e ka kryer në Katërkollë, ndërsa shkollën e mesme në Ulqin. Pas përfundimit të arsimit të mesëm u regjistrua në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, të cilin e ka kryer me sukses. Në vitin 1989 ka filluar punë si mjek në ambulancën në Ostros (Krajë), ku ka punuar për gjashtë vite. Prej vitit 1995 punon në ambulancën në Katërkollë, që është pjesë e Shtëpisë së Shëndetit në Ulqin.
Në një postim në rrjetin shoqëror Facebook, drejtoresha e Shtëpisë së Shëndetit në Ulqin, Dr. Sadije Hollaj ka shprehur gëzimin e saj për fitimin e çmimit vjetor të Dhomës së Mjekëve të Malit të Zi nga mjeku i institucionit shëndetësor që drejton.
“Me këtë çmim është shpërblyer puna e tij shembullore si dhe është nderuar i gjithë stafi i Ambulancës në Katërkollë dhe në Shtëpinë e Shëndetit në Ulqin”, ka shkruar ajo.
Komisioni i Dhomës së Mjekëve ka vendosur që institucioni shëndetësor më i mirë në Mal të Zi në vitin 2023 është Spitali i Përgjithshëm në Bijello Pole, ndërsa çmimi vjetor për studentin më të mirë të mjekësisë, me propozim të Fakultetit të Mjekësisë në Podgoricë, i është ndarë studentit Bozhidar Qaqiqit, me notë mesatare 10 gjatë studimeve të deritashme.
Çmimet janë ndarë në ceremoninë solemne tradicionale të organizuar nga Dhoma e Mjekëve të Malit të Zi në Fakultetin e Mjekësisë në Podgoricë.
i. k.
