Ulqin – Organizatat joqeveritare “Art Dulcinium” dhe “Perla Blue” në bashkëpunim me Organizatën Turistike të Ulqinit organizuan më 17-21 shtator 2024 në Ulqin koloninë artistike ndërkombëtare “Dulcigno inspiration”.
Pjesëmarrës të kolonisë kanë qenë piktorë dhe skulptorë nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Brazili, Kina, Kroacia, Egjipti, Britania e Madhe, Gjermania, Italia, India, Kosova, Maroku, Mali i Zi, Polonia, Maqedonia e Veriut, Serbia, Sllovenia, Tajlanda, Turqia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Vietnami.
Në kuadër të kolonisë, të mërkurën e kaluar (18 shtator 2024) në mjediset e Pallatit Venezia në Kalanë e Ulqinit është hapur ekspozita me punimet e artistëve pjesëmarrës.
Duke u drejtuar artistëve pjesëmarrës në koloni, shkrimtari Andrej Nikollaidis ka thënë se është i sigurt se e kanë ndier që Ulqini është një qytet i hapur.
Ai ka folur për të kaluarën, trashëgiminë historike dhe kulturore të Ulqinit, jetën në këtë qytet etj.
“Por çfarë është historia, çfarë është jeta njerëzore pa art?! Ulqini është gjithashtu qytet i artistëve. Është qytet që e vlerëson artin. Nga lumi Buna në lindje deri në Valdanos në perëndim Ulqini është vizualisht qytet magjepsës. Unë nuk jam piktor, unë jam shkrimtar. Pra, unë përpiqem të bëj me fjalë atë që ju bëni me ngjyra dhe lëvizje. Nëse unë besoj në frymëzim, po ju them: ju do ta gjeni atë këtu”, ka thënë Nikollaidis.
Drejtori i Organizatës Turistike të Ulqinit, Qazim Hoxhiq ka nënvizuar karakterin ndërkombëtar të kolonisë artistike të sivjetshme.
“Ulqini është ai që i bashkon të gjitha kulturat, ndërsa Organizata Turistike është ajo që i mbështet aktivitetet e tilla siç është kjo koloni. Unë dëshiroj që gjatë këtyre ditëve ju të përjetoni çdo pjesë të qytetit tonë për arsye se ka bukuri në çdo pjesë të tij”, është shprehur ai.
Ekspozitën e ka shpallur të hapur kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, i cili në fjalën e tij ka potencuar se artistët pjesëmarrës në koloni vijnë nga katër kontinente.
“Unë jam frymëzuar nga punimet tuaja që kam parë këtu. Dhe frymëzimi vjen nga prania juaj këtu. Ju jeni tubuar këtu nga katër kontinente”, ka thënë ai.
Në emër të organizatorëve dhe ekipit organizues, artistët pjesëmarrës në koloni i ka falënderuar piktorja Vahida Nimanbegu, kryetare e OJQ “Art Dulcinium”.
Nga Organizata Turistike e Ulqinit kanë deklaruar se projektet kulturore janë promovimi i vërtetë i qytetit të Ulqinit dhe se shpresojnë që përmes këtij projekti të krijojnë një lidhje të mirë midis kulturës dhe turizmit, që si i tillë të njihet në botë.
i. k.