Buna dhe deti

Gani Karamanaga

Rrëfimi 1 – Rrugëtimi i lumit Buna
Ishim në një restorant peshku në lumin Buna. Duke u ngjitur përpjetë prej grykës në det, në anën e majtë të Bunës vendi i parë ka qenë Shënkolli. Aty dikur janë lidhur barkat e ulqinakëve. Në afërsi është kisha e vjetër.
Reçi është në afërsi të lumit. Pastaj është fshati i vogël Sutjel. Në vazhdimësi është Shëngjergji apo Shinjergji. Duke kaluar kodrën kalohet në pjesën e Anës së Malit. Aty është Fraskanjeli. Buna këtu ngushtohet dhe kalon në afërsi të fshatrave Lisën dhe Bore. Prej aty Buna bëhet lumë që kalon vetëm nëpër territorin e Shqipërisë.
Ishin orët e pasdites, frynte erë e fortë – Maistrali. Pjesa më e madhe e Evropës Jugore ka klimë mesdhetare, e cila më tepër ka ndikim në zonën e ngushtë bregdetare. Ndikimi i klimës mesdhetare është më i madh në gadishujt e Pirinejeve dhe të Apenineve, ndërsa në Gadishullin Ballkanik kjo klimë ndihet më tepër në pjesën jugore dhe përgjatë bregdetit.
Vapën verore e zbusin erërat e freskëta veriperëndimore, karajeli (maistrali). Në ditët e verës, prej orës 11 fryn era e ngrohtë e detit, maistrali, i cili, në Plazhin e Madh, për shkak të hapësirës, është pak më i fortë. Peshkatarët, “kapitenët” e barkave, veloreve dhe të tjerët, gëzohen më shumë kur fryn maistrali, sepse ai premton kohë të bukur. Kur nuk fryn, atëherë përgatitet ndonjë ndryshim.
Maistrali është erë tipike në kohën verore, në Detin Adriatik. Fryn më së shumti nga drejtimi perëndimor ose veriperëndimor. Është erë e motit të mirë, kur është qielli i kaltër, me temperaturë të përshtatshme për organizmin e njeriut. Maistrali verës fryn çdo ditë, prej orës 8 deri në 9, me kohëzgjatjen më të madhe nga 14 orë, ndalet në orën 18 ose në momentin e mbarimit të ditës. Është prej 3 deri 5 boforë, çka do të thotë se është erë ideale për veloret e mëdha dhe ato të vogla. Maistrali është gati gjithmonë shenjë e kohës së mirë dhe stabile në bregdet.
Më kujtohet nga fëmijëria ime, shtëpia jonë ishte në pjesën jugore të Kalasë. Oda e madhe në katin e dytë, dy dritare nga jugu, dy dritare në anën jugperëndimore. Deti përpara, Guri i Vogël dhe Guri Madh, në afërsi të lagjes Liman. Deti i kaltër dhe era që frynte – maistrali. Karajeli në Kalanë e Ulqinit, fishkëllima e këndshme biente aromën e detit, tregimet e detarëve, anijet e vogla edhe ato më të mëdha, për mallra dhe udhëtim deri në Tivar, Dubrovnik, Split, Rijekë.
Pika e fundit që vërehet nga dritaret tona ishte Kepi i Bashbylykut, ku gjendet Kopshti i Musa Nagës (i afërm i familjes sonë), që tregon ardhjen e anijeve, plotësimin e pritjeve, ëndrrave…
Në vend të shtëpisë sonë të vjetër është ndërtuar një shtëpi e re, e bukur, por ajo nuk është si ajo ku ne e kaluam fëmijërinë.
Karajeli, erë e mirëpritur bregdetare, tregues i motit të mirë, erë e dashur, erë e nostalgjisë sime.
Askund karajeli nuk fryn si atëherë në kujtimet e mia.
U afrua sandalli vendit. Pasi e lidhën, dolën nga sandalli Asllan Llunji me të fejuarën. Ai është djali i mbesës sime, Senadës.
Një ditë më vonë, kur e takova Senadën, më pyeti: “Dajë, si të është dukur nusja e Asllanit?”
Unë iu përgjigja: “Fytyra e bardhë dhe flokët e gjata, si nusja ime kur ishte e re!”

Rrëfimi 2 – Kapedani
E premte, ditë pazari. U takova me kapedan Mahmud – Dudo Tivarin dhe bashkëshorten e tij Elvirën. I thashë: “Ti je një ndër kapidanat më të ri të kësaj gjenerate”.
Ai u përgjigj: “Mundësisht, por edhe unë i kam kaluar të 60-at, kam kryer shkollën e mesme e pastaj të lartën për detari. Kam filluar të lundroj nëpër oqeane derisa arrita të marr titullin oficer i parë. Mbas pak kohe e kalova edhe provimin për kapedan. Isha në një varkë të madhe izraelite si oficer i parë. Duke biseduar me kapidanin, e njoftova se e kalova provimin për kapidan. Ai menjëherë lajmëroi udhëheqësin e kompanisë dhe më dërguan si kapidan në një nga anijet e tyre. Kështu unë lundroj tash 30 vite. Deti, bashkëshortja dhe fëmijët e mi janë jeta ime.”
Unë ia ktheva: “Ishte gusht 1971, pak para martesës sime. Duke u kthyer nga puna, nga Tivari, në afërsi të dyqanit të mallrave mbi Ranë ishte hapur lajmi se kishte vdekur bashkëshortja e Busho Tivarit. Shkova te shtëpia e tyre për ngushëllime.”
Elvira u bashkëngjit në bisedë dhe tha: “Vjehrri në atë kohë ka qenë 41-vjeçar”.
Unë vazhdova: “Busho Tivari ka qenë tregtar i sinqertë. Pas vdekjes së gruas i është përkushtuar familjes së tij, nuk është martuar më”.
Jusuf – Cufo Lanica (shef i repartit teknik) thoshte: “Busho Tivari ishte njeri i mirë, i pari që kishte automobilin dhe sandolinën në Ulqin”.
Mahmud Dudo Tivari vazhdoi: “Baba ju ka dashur shumë! Ju e keni vizituar shpesh kur ishte i sëmurë”.
Pasi u ndamë, e lëmë që të takohemi përsëri.

Rrëfimi 3 – Notimi në det
Me bashkëshorten ishim në restorantin “Grill”, ku porositëm specialitete nga zgara. Në restorant hyri Beqir Gorana dhe u afrua te kuzhina.
Pas pak minutash kamerieri u afrua dhe na tha: “Këtë darkë e keni të paguar nga Beqoja”.
Kur Beqoja kaloi afër tavolinës sonë, e falënderuam. Ai duke u qeshur tha: “Dr. Gano, ti ma ke mësuar notin. Së bashku me Petritin, Leartin dhe Leartën më ke marrë edhe mua me vëllanë dhe motrat e mia. Ti je ulur në një shkëmb në bregun e detit dhe na ke ndihmuar të gjithëve të mësonim notin. Kështu notonim nga njëri cep në tjetrin në Gjirin e vogël. Atëherë të gjithë ne e mësuam notin.”
Unë ia ktheva: “Me të thënë të drejtën, përpak po e harroja, por tani po më kujtohet e gjitha”.
Ishte kjo një ditë e bukur. Beqo Gorana atëherë ishte vetëm 5 vjeç.

Të fundit

më të lexuarat