Botim që u bën nder shqiptarëve dhe institucioneve kulturore të Malit të Zi

“Shqiptarët në Malin e Zi duhet të vetëdijësohen për një gjë - që këtu janë rrënjët e shqipes së shkruar. Dhe këtë ne duhet ta pohojmë, por duhet ta pohojmë në mënyrë të sforcuar. Sepse ne nuk kemi vetëm problemin e integrimit të kulturës, të letërsisë brenda Malit të Zi, po edhe brenda vetë kulturës gjithëshqiptare”, ka theksuar recensenti Dr. Haxhi Shabani

Ulqin – Në Galerinë e Qendrës së Kulturës në Ulqin të martën mbrëma është bërë përurimi i antologjisë së prozës së shkurtër të shkrimtarëve shqiptarë në Malin e Zi “Të gjithë tanët”, e cila është botuar nga Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave.
Drejtori i këtij institucioni, Salko Luboder ka thënë se njëri prej qëllimeve të këtij botimi është që opinioni malazez, në radhë të parë ai intelektual, të njihet me shkrimtarët shqiptarë në Malin e Zi dhe se ky libër është një rrugë e mirë për ta bërë këtë.
“Antologjia është një orientim i mirë dhe një rrugë e mirë, një hap më tepër drejt njohjes së ndërsjellë dhe do t’i kontribuojë njohjes më të mirë, në këtë rast njohjes më të mirë të krijuesve shqiptarë, gjegjësisht kulturës shqiptare”, ka thënë ai.
Luboder po ashtu ka theksuar se qëllimi i këtij libri është të paraqesë pasurinë shpirtërore të Malit të Zi, sepse kulturën që e krijojnë pjesëtarët e popujve pakicë mund ta konsiderojmë lirisht pjesë të trashëgimisë kulturore-artistike të përgjithshme të Malit të Zi, gjithsesi për asnjë moment duke mos e ndarë nga letërsia kombëtare.
“Jam i prirur të theksoj dhe shpresoj se nuk e teproj që ky libër në të vërtetë paraqet në njëfarë mënyrë një thesar për arsye se përmban vlera që përbëjnë pasuri shpirtërore të Malit të Zi, në këtë rast pasuri të asaj që kanë krijuar dhe që krijojnë miqtë tanë, fqinjtë tanë – shqiptarët në Malin e Zi”, ka thënë ai.
Recensenti i antologjisë, Dr. Haxhi Shabani ka nënvizuar mungesën e mbështetjes për kulturën dhe krijuesit.
“Kryesore është që në këtë libër ka vlera. Normalisht që ka mirë e më mirë. Por e rëndësishme është që ne në të ardhmen të vetëdijësohemi më shumë, që të shkojnë mjete më shumë në kulturë, edhe në art, edhe në letërsi, edhe përgjithësisht në atë që quhet trashëgimi kulturore”, ka theksuar ai.
Shabani ka thënë se autorët e përfshirë në antologji dëshmojnë se letërsia shqipe nuk është e thënë se duhet të shkruhet patjetër në Tiranë dhe në Prishtinë.
“Shqiptarët në Malin e Zi duhet të vetëdijësohen për një gjë – që këtu janë rrënjët e shqipes së shkruar. Dhe këtë ne duhet ta pohojmë, por duhet ta pohojmë në mënyrë të sforcuar. Sepse ne nuk kemi vetëm problemin e integrimit të kulturës, të letërsisë brenda Malit të Zi, po edhe brenda vetë kulturës gjithëshqiptare”, ka theksuar ai.
Shabani ka folur edhe për vlerat specifike të krijimtarisë së disa prej shkrimtarëve të përfshirë në antologji.
Redaktori i antologjisë, Ismet Kallaba ka thënë se përzgjedhja e autorëve të përfshirë në antologji është bërë bazuar krykëput në kriterin estetik.
“Ata u përkasin brezave të ndryshëm. Krahas autorëve të afirmuar në rrafshin mbarëkombëtar e më gjerë, ka edhe një grup autorësh që krijojnë në vendlindje apo në diasporë. Pavarësisht vendit se ku jetojnë dhe veprojnë, ka diçka të brendshme që i lidh të gjithë këta autorë. Duket se vendlindjen e kanë bartur me vete, nga e marrin frymëzimin dhe brumin për krijimtarinë e tyre. Ajo është e pranishme pothuajse në krijimtarinë e gjithësecilit përmes mjedisit, personazheve, temave, ngjarjeve”, ka theksuar ai.
Kallaba ka thënë se antologjia “Të gjithë tanët” qoftë për vlerat estetike, qoftë për nga përgatitja teknike mund të krahasohet me antologji të letërsive më të mëdha dhe se si e tillë është edhe një letërnjoftim apo pasaportë e shqiptarëve në Malin e Zi.
“Duke mos dashur që të minimizoj vlerën e projekteve të mëparshme që ka realizuar Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave, mendoj se ky është një ndër projektet më me vlerë sa i përket shqiptarëve. Botimet e këtilla u bëjnë nder shqiptarëve në Malin e Zi dhe vetë institucioneve kulturore të Malit të Zi, në rastin konkret Qendrës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave si botues i antologjisë”, është shprehur ai.
Udhëheqësja e përurimit të antologjisë, njëherazi udhëheqëse e Bibliotekës së Ulqinit, Ardita Rama ka lexuar fragmente të prozës së disa prej shkrimtarëve që janë pjesë e antologjisë.
Përurimi i antologjisë së prozës së shkurtër të shkrimtarëve shqiptarë në Malin e Zi “Të gjithë tanët” është organizuar nga Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave në bashkëpunim me Qendrën e Kulturës, gjegjësisht Bibliotekën e Qytetit – Ulqin. Ky është përurimi i dytë i kësaj antologjie pas atij në Podgoricë.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat