Botim me vlerë dokumentare e historike

Përfaqësuesit e të dy orientimeve politike do të jenë njësoj të përndjekur nga strukturat ushtarake e policore serbe, malazeze e maqedonase. Të tillë janë paraqitur edhe në jetëshkrimin e shkurtër të 919 luftëtarëve të lirisë, sa janë përfshirë në këtë vëllim. Ata janë nga të gjitha viset e pushtuara nga Jugosllavia e, jo pak prej tyre, edhe nga Shqipëria shtetërore dhe u përkasin të gjitha shtresave shoqërore

Binak Ulaj

Kohë më parë doli nga shtypi libri “Shtigje të lirisë – Leksikon i të burgosurve politikë shqiptarë në Jugosllavi, 1944-1953, I”, botuar nga Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës. Siç kuptohet edhe nga vetë titulli shumë domethënës, libri u kushtohet atdhetarëve shqiptarë, që luftuan me pushkë e pendë për çlirimin e viseve të ripushtuara shqiptare nga Jugosllavia pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Pushtimin e Jugosllavisë nga forcat ushtarake gjermane e italiane, populli shqiptar i Kosovës dhe viseve tjera në Jugosllavi, e përjetoi si zëvendësim të regjimit shtetëror jugosllav – që me dekada kishte zbatuar masa të kombinuara administrative, politike, ushtarake e policore, jo vetëm për ta nënshtruar, por edhe për zhbërjen e tërësishme të tij – me një regjim që shqiptarëve ua njihte disa të drejta kombëtare me rëndësi, siç ishte bashkimi i trevave shqiptare me Shqipërinë shtetërore, ndonëse përsëri ato ishin të ndara nga ushtria gjermane, italiane e bullgare, administratë dhe shkolla në gjuhën shqipe, gjë që nuk mund të mos mirëpriteshin. Kuptohet, veprimet e tilla pushtuesit i bënin, në rend të parë për interesa të veta dhe për të fituar simpati te populli shqiptar.
Duke dashur t’i shfrytëzojnë rrethanat e krijuara, disa nga personalitetet shqiptare do të bashkëpunojnë me pushtuesit italianë e gjermanë, pa e përqafuar ideologjinë nazifashiste. Pjesa tjetër e personaliteteve shqiptare, e cila do ta vlerësojë drejt Traktatin e Atlantikut, të nënshkruar nga presidenti Ruzvelt, Çërçilli e Stalini, më 24 shtator 1941, me të cilin akt parashihej e drejta e vetëvendosjes së popujve që luftojnë kundër forcave nazifashiste, do të marrin masa për mobilizimin e popullsisë në luftë kundër pushtuesve gjermanë, italianë e bullgarë. Të nxitur edhe nga fakti se edhe krerët e Partisë Komuniste të Jugosllavisë, në krye me Titon, deklaronin se do ta respektojnë Traktatin e Atlantikut dhe do t’ua njohin të drejtën shqiptarëve për vetëvendosje, një pjesë e personaliteteve me ndikim, për një periudhë jo të shkurtër kohore, do t’u besojnë premtimeve të Beogradit, por do të mashtrohen keq. Njësoj do të mashtrohen edhe drejtuesit e PKSH-së. Përfaqësuesit e këtyre dy orientimeve politike do të jenë njësoj të përndjekur nga strukturat ushtarake e policore serbe, malazeze e maqedonase. Të tillë janë paraqitur edhe në jetëshkrimin e shkurtër të 919 luftëtarëve të lirisë, sa janë përfshirë në këtë vëllim. Ata janë nga të gjitha viset e pushtuara nga Jugosllavia e, jo pak prej tyre, edhe nga Shqipëria shtetërore dhe u përkasin të gjitha shtresave shoqërore.
Në këtë libër del qartë portreti moral e mendor i të burgosurit politik shqiptar, i cili përballet me një sistem barbar shtetëror, të projektuar nga anëtarë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë. Ky fakt lë të kuptohet se ç’lloj torturash kanë përjetuar dhjetëra mijëra të burgosur shqiptarë.
Sipas historianes dr. Sabile Basha, të burgosurit politikë shqiptarë janë dënuar me mbi 666 shekuj burg. Pas viteve të gjashtëdhjeta, të burgosurit politikë shqiptarë përbënin numrin më të madh të të burgosurve politikë në Jugosllavi. Të bashkuar në organizata dhe grupe, ata bëhen pjesë e Lëvizjes Kombëtare Çlirimtare. Vlen të theksohet se veprimtaria e kësaj Lëvizjeje nuk do të ishte e suksesshme pa përkrahjen e familjarëve të veprimtarëve atdhetarë. Kemi jo pak raste të inkuadrimit në radhët e Lëvizjes jo vetëm të një anëtari të familjes, por edhe të disa pjesëtarëve të saj e, madje, edhe të të gjithë anëtarëve. Një pjesëmarrje e tillë do të përsëritet edhe gjatë luftë se UÇK-së. Qëndresa, lufta dhe sakrifica e tre brezave të familjes Jashari, anëtarë të të dy gjinive, jo vetëm që e masivizoi pjesëmarrjen dhe i dha hov luftës së UÇK-së, por e lartësoi edhe luftën tonë për liri.
Përkushtimin për çlirimin e atdheut, të burgosurit politikë e dëshmonin edhe me veprimtari të pandërprerë. Pasi e vuanin një dënim me burg, madje me vite të tëra, ata përsëri e vazhdonin veprimtarinë, ndonëse e dinin se me çka do të përballeshin. Disa prej tyre janë arrestuar e burgosur pesë, gjashtë e më shumë herë. Me këtë rast s’mund të mos e përmendi vetëm bacën Adem Demaçi, simbolin e rezistencës kombëtare dhe ideatorin e çlirimit të Kosovës.
Me veprimtarinë e tyre, me sakrificat e vetëdijshme, gjeneratë pas gjenerate, vit pas viti, të burgosurit politikë shqiptarë e mbajtën të gjallë dhe i përhapën idetë liridashëse që çuan drejt formimit të UÇK-së dhe organizimit të luftës së saj që i solli lirinë Kosovës. Po të mos luftonim e sakrifikonim për çlirimin e atdheut tonë, me çka do të dëshmonim se e meritojmë lirinë?! Për më tepër, do të quheshim edhe popull pa dinjitet.
Me botimin e këtij libri dhe vëllimeve të tjera që pritet të botohen, Shoqata e të Burgosurve Politikë e kryen një lloj obligimi moral ndaj atyre që u paraprinë me hapjen e shtigjeve të lirisë dhe i udhëzuan nga duhet ecur tutje.
Libri përmban të dhëna edhe për disa familje shqiptare të internuara në Vojvodinë dhe për disa familje tjera, të burgosura dhe të mbajtura peng në burgje deri me arrestimin apo vrasjen e familjarit të përndjekur, tema këto të lëna anash deri tani. Përveç vlerës dokumentare e historike, libri është edhe porosi për brezat e, njëkohësisht, edhe për përfaqësuesit e institucioneve tona shtetërore për qëndrimin dhe përgjegjësinë që kanë.
Duhet theksuar se ftesës publike për mbledhjen e të dhënave për Leksikonin u janë përgjigjur një numër i vogël i njerëzve. Për këtë arsye, çdo vëllim vijues do të fillojë me jetëshkrimin e të burgosurve politikë sipas viteve, të cilët nuk janë përfshirë në vëllimet e mëparshme.

Të fundit

më të lexuarat