Biblioteka e shkollës në Ostros pasurohet edhe me 789 libra të rinj

Ali Gjeçbritaj

Më 12.4.2023, z. Ramiz Tafilaj me banim në Teksas të Shteve të Bashkuara të Amerikës dhuroi mbi 500 libra, ndërsa Shoqata “Krahë që bashkohen” diçka më shumë se 200 libra

Me rastin e dorëzimit të donacionit të 700 librave, të pranishëm ishin një pjesë e përsonelit arsimor. I gjithë ky bagazh librash udhëtoi nga Tirana me Arbër Lushaj, drejtor ekzekutiv i Shoqatës “Krahë që bashkohen”, Prof. Dr. Klement Mile, Aida Myftari dhe Manuela Myftari. I pranishëm në solemnitetin e dorëzimit ishte edhe Artan Çobi, sekretar i Sekratariatit për Kulturë i Komunës së Ulqinit.
Në fjalën e rastit drejtori i shkollës Sami Dodiqi, duke i përshëndetur të pranishmit dhe uruar mirëseardhje z. Arbër Lushaj – drejtor ekzekutiv i Shoqatës “Krahë që bashkohen”, Prof. Dr. Klementin Mile, Prof. Alda Myftari dhe studente Manuela Myftari, foli për funksionimin dhe kushtet e shkollës në përgjithësi, për t’u ndalur më gjerësisht tek biblioteka e shkollës dhe vlera e saj.
“Ne vazhdimisht po i kushtojmë rëndësi të veçantë bibliotekës së shkollës dhe dita-ditës po pasurohet me lektyra shkollore dhe libra të zhandreve e titujve të ndryshëm. Sot po i dhurohet një donacion me vlerë të madhe shkollës sonë, ngaqë vlera e librit është e padiskutueshme, dhe për këtë shfrytëzoj rastin që të falendëroj përzemërsisht dhe në emër të të gjithë nxënësve dhe kolektivit të shkollës z.Ramiz Tafilaj me banim në Teksas, për dhurim të 500 librave nga fondi personal i bibliotekës dhe gjithashtu Shoqatën “Krahë që bashkohen” me drejtor ekzekutiv z. Arbër Lushaj për dhurim të mbi 200 titujve të tjerë. Dihet që libri është burim i dijes dhe që leximi është ushqimi i trurit të njeriut, ndaj po e them me bindje të plotë që për nxënësit tanë ky moment do të jetë një motivim shtesë që t’i shtyjë ata drejt dëshirës dhe vullnetit për të lexuar. Biblioteka e shkollës sonë sot u pasurua edhe me plot 789 libra të tjerë, e që numri i librave në total i kalon 11.500. Uroj dhe shpresoj që këta libra të shfletohen dhe lexohen ditë për ditë dhe dashuria për librin të vijë duke u rritur”.
Është tashmë botërisht e njohur se biblioteka e Shkollës Fillore “ Gjergj Kasrioti –Skënderbeu” në Ostros, është bibliotekë që i plotëson kërkesat dhe nevojat e kohës. E themi këtë ngase është e pajisur me tituj të ndryshëm librash jo vetëm për nevojat e shkollës, por edhe më gjërë. Ka shumë vjet që këtu nxënësit kanë mundësi të lexojnë të gjithë lektyrën e domosdoshme që e parasheh programi mësimor. Aishe Gjeçbritaj, profesoreshë e gjuhës shqipe, njëherit edhe udhëheqëse tash sa kohë edhe e bibliotekës, na thotë se nxënësit tanë këtu i kanë të gjitha lektyrat e nevojshme të parapara me program dh me sa jemi në njohuri, rrallë mund të ketë ndonjë shkollë tjetër shqipe në Mal të Zi. Numri i librave këtu i kalon 10.000. Me këtë donacion që po na dhurohet, ai numër shkon në më shumë se 11.000. Siç po e shihni, edhe ambienti këtu është ambient kulturor ashtu siç i ka hije një biblioteke në plotëkuptimin e fjalës, një institucioni kulturor e arsimor i mirëfilltë.

Të fundit

më të lexuarat