Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” organizoi promovimin e filmit dokumentar “Në teh të erës” kushtuar poetit e studiuesit Basri Çapriqi, në hotelin “Mediteran” në Ulqin, të shtunën, më 3 qershor 2023, dhe në bashkëpunim me Qendrën Kulturore-Informative “Malësia” në Tuz, të hënën, më 5 qershor 2023.
Filmi është prodhim i SHAI “Art Club” dhe është realizuar sipas skenarit dhe me regji të gazetarit Haxhi Shabani, autor edhe i disa dokumentarëve të tjerë. Pjesë e ekipit realizues të dokumentarit janë edhe kameramanët Allmedin dhe Amir Suka, të cilët e kanë bërë edhe montazhin, ndërsa vargje nga krijimtaria e Basri Çapriqit reciton aktori Simon Shkreli.
Përmes rrëfimeve dhe bisedave me bashkëpunëtorët e miqtë e tij më të ngushtë, shkrimtarë, studiues të letërsisë, pedagogë të Universitetit të Prishtinës, botues etj. trajtohet kontributi i Basri Çapriqit në shumë fusha të dijes. Dokumentari pasqyron figurën e plotë të Çapriqit si poet, studiues i letërsisë, profesor universitar, publicist, themelues dhe drejtues i shoqatave letrare, por edhe aspektin e tij njerëzor.
Duke folur rreth idesë, qëllimit dhe sfidave të realizimit të këtij dokumentari, autori Haxhi Shabani ka thënë se dëshiron “që me këtë projekt që kemi realizuar t’i japim vendin e duhur një prej personaliteteve të shquara që kalon kufijtë e shqiptarëve në Malin e Zi dhe të gjithë shqiptarëve, që ka qenë dhe do të mbetet i njohur në nivel ndërkombëtar”.
Ai ka treguar se ideja për realizimin e dokumentarit për Basri Çapriqin ka lindur derisa ishte në SHBA.
“Duket se këto idetë e rëndësishme për shqiptarët ndodhin në shumicën e rasteve jashtë trojeve shqiptare. Ka lindur në një komunikim që e kam bërë në Nju Xhersi para disa vjetëve me një prej njerëzve tanë”, është shprehur Shabani në promovimin e dokumentarit në Ulqin.
Ai ka vlerësuar faktin se tashmë kemi një produkt për këtë personalitet që me krijimtarinë e tij ka krijuar epokën e vet.
“Unë mendoj se në të ardhmen kur të studiohet krijimtaria letrare, potenciali i tij si studiues dhe në të gjitha aspektet, do të thuhet Basri Çapriqi dhe epoka e tij”, ka thënë autori Shabani.
Ai ka thënë se thesaret që Çapriqi ka lënë do të dalin si xhevahirë edhe në të ardhmen gjithnjë e më shumë, sepse vërtet janë xhevahirë.
“Ka qenë një personalitet i cili ia vlen të themi që duhet ta përurojmë në kuptimin edhe me trashëgiminë që ka lënë dhe ky nuk duhet të jetë një nga projektet që është bërë dhe të vihet pika, por të shpaloset në të gjitha dimensionet e tjera”, është shprehur Dr. Haxhi Shabani.
Kryetari i SHAI “Art Club”, Ismet Kallaba, ka përkujtuar se Basri Çapriqi ka qenë njëri ndër themeluesit e kësaj shoqate dhe se pas vdekjes së tij, që nga viti 2018, manifestimi letrar “Kalimera Poetike” që e organizon “Art Club”-i mban emrin e Basri Çapriqit.
Ai po ashtu ka thënë se më 17-18 janar 2020, me rastin e 60-vjetorit të lindjes dhe dyvjetorit të vdekjes së Basri Çapriqit, “Art Club”-i në bashkëpunim me PEN Qendrën e Kosovës kanë organizuar në Ulqin sesionin shkencor dhe orën letrare, materialet e së cilës janë përmbledhur në librin me titull “Poeti i detit”. Ndërkaq filmi dokumentar “Në teh të erës” vjen në 5-vjetorin e vdekjes së Basri Çapriqit dhe është një homazh për jetën dhe veprën e tij.
“I përmenda këto, jo për të treguar e aq më pak për t’u mburrur se çfarë kemi bërë për Basri Çapriqin, por për të bërë një thirrje publike se për figura të tilla si Basri dhe Sazana Çapriqi duhet të bëjmë më shumë, jo kur ata të vdesin, por derisa të jenë gjallë”, është shprehur ai.
Në emër të familjes, të pranishmit i ka përshëndetur Bulza Çapriqi, vajza e Basri Çapriqit.
Ajo ka falënderuar ekipin realizues të dokumentarit, folësit në dokumentar, të gjithë ata që kanë kontribuar në çfarëdo lloj mënyre për realizimin e dokumentarit si dhe pjesëmarrësit në promovimin e filmit dokumentar në Ulqin.
Filmi dokumentar “Në teh të erës” është realizuar me mbështetjen e Fondit Humanitar “Trojet tona” dhe të afërmve e miqve të Çapriqit në diasporën tonë në SHBA.
i. k.
Filmi dokumentar përjetëson figurën e Çapriqit
Drejtori i Qendrës Kulturore-Informative “Malësia”, Vasel Berishaj, ka thënë në fjalën e tij në promovimin e filmit dokumentar “Në teh të erës” në Tuz se “ky film dokumentar pa asnjë dyshim do të ndikojë në përkryerjen e figurës së profesor Basriut duke e bërë të veçantë dhe të përjetshëm jo vetëm në rrafshin krijues, por edhe në atë shoqëror, miqësor dhe njerëzor”.
Ai ka folur për njohjen e tij me Basri Çapriqin kur si studentë u regjistruan në Departamentin e Letërsisë Shqipe në Universitetin e Prishtinës dhe se rrugëtimi i tyre i përbashkët ka zgjatur katër vjet, deri në mbarim të fakultetit.
“Kujtimet nga ajo kohë janë të shumta, mirëpo ajo që për këtë rast e kisha veçuar është se Basriu ishte i afërt, i shoqërueshëm, i sinqertë, i këndshëm në shoqëri, rrezatonte me një energji të theksuar pozitive, pa ndonjë nevojë që të veçohet nga të tjerët. Përkundrazi, ishte shumë i ndërgjegjshëm për punën dhe obligimet studentore, i kryente me sukses, por pa ndonjë dozë të theksuar krenarie dhe lavdërimi”, ka theksuar Berishaj.
Ai ka thënë se Çapriqi është dalluar me elokuencën, sensin për shprehjen e përmbajtjeve imagjinare, jo vetëm në komunikimin verbal me kolegët, por edhe në shkrime dhe krijimtari të mirëfilltë.
“Me kohë Basriu u formua, u profilizua dhe kulmoi në krijimtari letrare duke i bërë vetes vend të elitën e krijuesve shqiptarë”, është shprehur drejtori i QKI “Malësia”.
