Bashkëjetesa e dy botëve të kundërta

Ulqin – Në Galerinë e Arteve të Qendrës së Kulturës në Ulqin, të premten mbrëma është hapur ekspozita personale e piktorit vendas Naser Hasa, në kuadër të edicionit të 28-të të manifestimit “Kalimera Poetike – Basri Çapriqi”.
Në ekspozitë janë prezantuar 21 punime të piktorit Hasa, që përfshijnë periudha të ndryshme të krijimtarisë së tij.
Në fjalën përshëndetëse, kryetari i Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, Ismet Kallaba, ka thënë se Ulqini është vend nga i cili kanë dalë shumë piktorë dhe se piktori Naser Hasa i takon brezit të parë të piktorëve të shkolluar, të cilët kanë mbaruar akademinë e arteve.
Sipas tij, piktorët dhe krijuesit e tjerë në fushën e artit dhe kulturës nuk janë të vlerësuar sa duhet në vendin e tyre.
“Piktori Naser Hasa, siç mund ta shihni edhe nga katalogu që kemi publikuar, ka ekspozuar në Francë, Itali, Gjermani, Shqipëri, Kosovë etj. Pra, ka ekspozuar në vende të mëdha dhe sigurisht që është nder dhe me këtë ekspozitë që organizojmë, ne bëjmë një vlerësim të punës së tij. Dhe unë mendoj që kjo është gjëja kryesore, sepse piktorët dhe artistët në përgjithësi nuk kanë nevojë për lëmoshë, por kanë nevojë për vlerësim, kanë nevojë për respekt dhe kanë nevojë për dinjitet më të madh”, ka thënë ndër të tjera ai.
Kallaba ka theksuar se arti dhe kultura janë shpirti i një qyteti.
“Janë artistët ata që me krijimtarinë e tyre ndikojnë në jetën e një qyteti dhe i japin shpirt jetës së një qyteti. Në rastin konkret janë piktorët, shkrimtarët, por edhe të gjithë artistët tjerë që krijojnë, të cilët i japin shpirt dhe frymë qytetit të Ulqinit”, ka thënë ai, duke iu bërë thirrje institucioneve kulturore dhe institucioneve përgjegjëse të Komunës së Ulqinit që të kujdesen më tepër për artin dhe kulturën.
Një vështrim mbi krijimtarinë e piktorit Hasa ka paraqitur piktori dhe kritiku i artit Qazim Muja.
Ai ka thënë se një nga pikëpamjet veçanërisht interesante për pikturën e Hasës është edhe mënyra në të cilën ky artist zgjidh bashkëjetesën e dy botëve të kundërta – të ëndrrës dhe realitetit, të dukshmes dhe të padukshmes, reales dhe imagjinares, të së kaluarës dhe të tanishmes.
“Duke studiuar opusin e tij vërejmë se këtë problem e zgjidh duke krijuar një sferë bipolare të kuptimit, në një hapësirë të ndjeshme ndërmjet planit të parë dhe planit të dytë në pikturë, sidomos te veprat gjysmë abstrakte. Shpeshherë në plan të parë gjejmë një figurë të caktuar, e cila më pastaj përsëritet si vegim në sfond, e rëndësishme kjo për të kuptuar dridhjet ekzistenciale ‘poetike’ të piktorit, si rrafsh semantik i shprehjes vizuale. Kjo, sepse në format semantike të Hasës na dalin skena të mrekullueshme, një dramaturgji e antinomive, të themi, të kaosit dhe rendit, apo të vendosjes së një rendi ndaj kaosit, një gjendje intimiteti me energji të përjetshme, mbase ironike e shkaktuar nga një jetë e tmerrshme e përditshme”, ka theksuar ai.
Muja ka thënë se piktori Hasa kërkon harmoninë e ritmeve.
“Megjithatë, fokusi i kuriozitetit të tij ndryshon sipas ndjeshmërisë së tij, ai mbetet pothuajse gjithmonë brenda atyre ekstremeve intime. Në procesin e punës, Hasa modifikon përshtypjet që merr nga mjedisi duke i kthyer ato në reflektime të një atmosfere intime të veçantë lirike dhe të rafinuar”.
Sipas Mujës, “punimet që ekspozon me këtë rast tregojnë bukurinë e formës, bukurinë e lëndës së pikturuar, bindjen e shprehjes, marrëdhëniet harmonike, ndonjëherë të theksuara dhe që herë kthehen në gjeste, në një shtresë prapavije të menduar dhe të realizuar artistikisht në mënyrë sugjeruese koloristike, por dhe monokromë, kryesisht të një game blu të theksuar apo okeri të artë mesdhetar që e bën pikturën nostalgjike dhe psikologjike, të theksuar sidomos te portreti”.
Piktori Naser Hasa ka treguar se ai nuk ka pasur ekspozitë personale në qytetin e tij që prej 16 vitesh, prandaj ka vlerësuar se tani është momenti i përshtatshëm për këtë.
Ai i ka falënderuar të gjithë të pranishmit në ceremoninë e hapjes së ekspozitës.
Drejtori i Qendrës së Kulturës, Musa Hoxha, ka thënë se ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 9 korrik.
Piktori Naser Hasa ka lindur në Ulqin, në vitin 1957. Akademinë e Artit Figurativ e ka kryer në Prishtinë, më 1982, në klasën e prof. Muslim Mulliqit. Është anëtar i Shoqatës Mbarëshqiptare të Artistëve Figurativë, me seli në Tiranë, anëtar i Shoqatës së Artistëve Figurativë të Malit te Zi dhe anëtar i Shoqatës së Artistëve Figurativë të Ulqinit. Peizazhet dhe figurat e femrës janë temat që i trajton në mënyrë klasike dhe asociative. Punimet e tij gjenden në shumë koleksione private anekënd botës. Deri tani ka pasur disa ekspozita personale dhe ka marrë pjesë në dhjetëra ekspozita kolektive, në vend dhe jashtë vendit. Për krijimtarinë e tij është shpërblyer me Çmimin Special të Sallonit Francez (1998), Çmimin Piktor Nderi i Sallonit Francez (1999), Çmimin e Unionit të Artistëve Pa Kufij (A. S. B. L.) – Francë (2002) etj.
Ekspozita është organizuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” dhe Qendra e Kultruës – Ulqin, me mbështetjen e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat