Ballafaqimi me të kaluarën, proces shumë i vështirë dhe traumatik

“Çlirimi i vërtetë i Kosovës do të ndodhë dhe po ndodh gradualisht nëpërmjet ndërtimit të një shoqërie e cila është kritike ndaj vetvetes. Sepse vetëm shoqëritë që janë kritike ndaj vetvetes janë të çliruara, e kanë luksin të jenë kritike ndaj vetvetes sepse janë të lira”, ka thënë Surroi

Në Librarinë „Ulqini“ të shtunën mbrëma është mbajtur takimi me publicistin, politikanin dhe ish-gazetarin e njohur nga Kosova, Veton Surroi, autor i disa librave.
Në bisedë me udhëheqësen e takimit, Dr. Sabina Osmanoviq, ai ka folur për krijimtarinë e tij, çështje të ndryshme që lidhen me shoqërinë shqiptare, rolin dhe peshën që ka sot intelektuali publik në shoqëri, kontributin e gazetës „Koha ditore“ dhe të grupit mediatik „Koha“ në proceset politiko-shoqërore në Kosovë, filozofinë politike të sociologut dhe politikanit të njohur Fehmi Agani, lidhjet e tij me Arbën Xhaferin etj.
Surroi ka thënë se para se të bëhej fëmijë ambasadori, ka qenë fëmijë i gazetarit.
“Perceptimi i botës së jashtme nuk ka qenë i lidhur fizikisht me shkuarjen time dhe jetën time si fëmijë i ambasadorit, por ka qenë nëpërmjet kundrimit të fëmijës së një gazetari dhe shkrimtari, sepse babai im i ndjerë ka qenë edhe shkrimtar“, ka theksuar ai, duke shtuar se është rritur me koleksionet e revistës „Zëri“, njëri prej themeluesve të së cilës ishte babai i tij, gazetari dhe shkrimtari Rexhai Surroi, më vonë ambasador i ish-Jugosllavisë në disa vende të botës.
Duke folur për rolin dhe peshën e intelektualit publik sot, ai ka thënë se hapësira publike sot nuk është e dominuar prej debatit publik intelektual, por ajo është e rrezikuar në masë të madhe prej depërtimit të mediave sociale, që sipas tij përbën një problem shumë të madh, sepse mediat sociale nuk kanë instrument, nuk kanë sistem vlerash.
Surroi ka thënë se për të mbërritur në podiumin e facebook-ut nuk ke nevojë për kurrfarë kualifikimi.
„Sa më shumë zhurmë që të prodhosh, do të kesh më shumë ndjekës. Ky është një qark vicioz, i cili e përjashton intelektualin publik dhe e afron prodhuesin e zhurmës. Dhe në konkurrencën, në debatin mes intelektualit publik dhe prodhuesit të zhurmës do të fitojë prodhuesi i zhurmës, sepse njerëzit të cilët nuk kanë kapacitet për të lexuar janë me shumicë”, është shprehur ai.
I pyetur se kur do të ndodhë çlirimi mendor i Kosovës, ai ka thënë se “çlirimi i vërtetë i Kosovës do të ndodhë dhe po ndodh gradualisht nëpërmjet ndërtimit të një shoqërie e cila është kritike ndaj vetvetes. Sepse vetëm shoqëritë që janë kritike ndaj vetvetes janë të çliruara, e kanë luksin të jenë kritike ndaj vetvetes sepse janë të lira”.
Sipas Surroit, njëri prej problemeve më të mëdha të shoqërive në Ballkanin Perëndimor është mungesa e ballafaqimit me të kaluarën.
“Konfliktet vazhdojnë të jetojnë, konfliktet nuk kanë përfunduar. Luftërat nuk përfundojnë në momentin kur shpallet armëpushimi. Luftërat përfundojnë atëherë kur popujt vendosin të jetojnë në paqe mes veti. Dhe populli shqiptar dhe serb ende nuk kanë vendosur të jetojnë në paqe mes veti. Po flas për popullin shqiptar të Kosovës dhe popullin serb në Serbi, po flas për popujt në Bosnje e Hercegovinë, po flas për dimensionin e rikrijimit të fantazmave të konflikteve të brendshme identitare edhe në këtë shtet (në Mal të Zi)”, është shprehur ai.
Surroi ka thënë se ballafaqimi me të kaluarën është proces shumë i vështirë dhe traumatik, sidomos te shoqëritë e dobëta si kjo e jona.
Lidhur me djegien e librit të tij “Këmbët e gjarprit”, i cili ironizon disa nga ish-udhëheqësit e UÇK-së, në vitin 2014 në Ferizaj, nga ish-veteranë të luftës së UÇK-së, Surroi ka thënë se ky informacion duhet të shikohet në disa rrafshe, ku ai ka veçuar si më të rëndësishmin faktin se shoqëria në të cilën digjen librat ka probleme serioze me shëndetin e vet politik dhe funksional.
Surroi ka treguar se ka qenë shumë i afërt me Arbën Xhaferin, gazetarin dhe politikanin e njohur në Maqedoni, të cilin e ka njohur para se të futej në politikë dhe se e ka përkrahur vendimin për hyrjen e tij në politikë.
“E kam konsideruar si njeriun e sakrificës, sepse Arbni nuk ka qenë një politikan tipik. Ka qenë një njeri i cili gjithnjë e më shumë do të thellohej në lexim dhe në analizë, posaçërisht ka pasur një shije jashtëzakonisht të hollë për film dhe ka qenë njëri ndër kritikët më të mirë të filmit. Ai ka pasur një sens të madh estetik“, është shprehur Surroi.
Sipas tij, ka qenë një fat shumë i madh që Arbën Xhaferi ka vepruar në një mjedis të ndikuar shumë nga feja dhe ndasitë e brendshme, siç ka qenë Tetova në atë kohë, por sidomos kur ka filluar konflikti i armatosur në Maqedoni në vitin 2001, sepse ai „është ngritur përmbi egon e tij dhe ka thënë unë dua të mbërrij konsensus me forcat e armatosura, me guerilen e cila është shndërruar në Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare dhe të kemi një proces të unifikuar paqeje“.
Surroi është përgjigjur edhe disa pyetjeve të publikut të pranishëm.
Veton Surroi ka lindur në vitin 1961 në Prishtinë. Në vitin 1982 ka përfunduar studimet në Fakultetin e Filozofisë dhe Letërsisë në Universitetin Kombëtar Autonom të Meksikës (UNAM). Pas kësaj ka filluar punën si redaktor në gazetën e përditshme “Rilindja”. Në vitin 1989 ka themeluar grupin e parë opozitar në Kosovë, degën kosovare të “Nismës Demokratike Jugosllave” (UJDI).
Në vitin 1997 themeloi gazetën “Koha ditore”, e cila që atëherë është gazeta kryesore ditore në Kosovë dhe në vitin 2000 themeloi televizionin KTV.
Në vitin 1999, ai ishte një nga nënshkruesit e Marrëveshjes së Rambujesë për Kosovën dhe nga viti 2005 deri në vitin 2007 mori pjesë në bisedimet e Vjenës kur diskutohej për pavarësinë e Kosovës. Ka qene edhe deputet i Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i partisë reformuese ORA.
Për punën e tij si gazetar dhe politikan ka fituar shumë çmime, ndër të tjera Çmimin e Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve (IFJ) në vitin 2000 dhe Çmimin holandez të paqes – Çmimin Geuzen.
Takimi me Veton Surroin është organizuar nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi, Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, Komuna e Ulqinit dhe Libraria “Ulqini”.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat