Autoritet me kulturë të gjithanshme shkencore dhe me vetëdije të lartë atdhetare

Temë kryesore në veprat e Qosjes është fati i popullit tonë, i popullit të pambrojtur siç e quan ai, përpjekjet dhe lufta e tij për liri, lufta kundër dhunës dhe së keqes

Binak Ulaj

Vepra të shumta letrare, vepra të artit muzikor dhe të artit figurativ dhe atij pamor, u janë kushtuar gjeneralëve të luftrave çlirimtare, por ja, ndodh edhe e kundërta – gjenerali i luftës dhe i paqes, Kudusi Lame, ia ka kushtuar një vepër vëllimore monumentale profesor Qosjes, në të cilën, ndër të tjera shkruan: “Filozofia e Qosjes ka dhënë prova të pakontestueshme të saktësisë së mendimit parashikues dhe të ideve vizionare.”
Një vlerësim i tillë i gjeneralit Lame, nuk është i rastësishëm. Jo! Duke qenë ushtarak me përvojë profesionale, pjesëmarrës në Luftën e UÇK-së, syrit dhe vëmendjes së tij nuk do t’i shpëtojë qëndrimi dhe veprimtaria e personaliteteve të politikës dhe të artit në Kosovë. E, profesor Qosja, me punën e vet krijuese mendore e shpirtërore, letërsisë, historisë dhe kritikës së letërsisë, polemikës dhe publicistikës politike e shoqërore, veçmas publicistikës dokumentare shqiptare, i ka dhuruar mbi pesëdhjetë vepra të botuara, një numër i të cilave janë përkthyer në disa gjuhë kryesore të huaja. Së shpejti do ta kemi në dorë edhe ditarin e tij, të nëntin me radhë.
Temë kryesore në veprat e Qosjes është fati i popullit tonë, i popullit të pambrojtur siç e quan ai, përpjekjet dhe lufta e tij për liri, lufta kundër dhunës dhe të keqes.
Se me çfarë përkushtimi janë shkruar gjithë këto vepra, të denja edhe për një institucion të mirëfilltë shkencor, mësojmë nga jetëshkrimi i profesorit, i cili nuk kursen as shëndetin e vet, as përkushtimin e pazëvendësueshëm ndaj familjes së vet. “Nganjëherë lexoj e shkruaj deri në gjashtëmbëdhjetë orë në ditë, pa ditur për të shtunë, të diel a festa… Çdo ditë e kaluar pa shkruar më bëhet si një copë e shqyer e mishit të trupit që më sjell dhembje”, shkruan ai. Dhe, të gjithë këtë, jo për një javë, muaj, apo për një vit, por për afro shtatë dekada. Është kjo dëshmi e përkushtimit dhe e sakrificës, ndoshta të pashembullt, në krijimtarinë letrare e shkencore te ne.
Duke e njohur me dekada dhe nga afër profesor Qosjen, e them me plot bindje se, për krijimtarinë voluminoze e të përkryer letrare e shkencore të tij, rol të pazëvendësueshëm ka pasur bashkëshortja e tij, Shpresa, veterane e arsimit, pa mirëkuptimin dhe përkujdesjen e saj ai nuk do të bëhej krijues emërmadh çfarë është.
Mendje e formuar nga leximi i veprave të shkrimtarëve me famë botërore, nga studimi i vëmendshëm i rrjedhave letrare dhe i teorive letrare botërore, por edhe i pasionuar pas leximit të veprave të filozofëve të mëdhenj të antikitetit e këndej, të cilët i quan të perëndishëm, Qosja sjell një frymë të re, moderne, çfarë nuk ishte hasur më parë në letërsinë dhe studimet letrare shqipe. Përveç kësaj fryme, ajo që e karakterizon veprën e Qosjes, veçmas prozën e tij, është përzgjedhja dhe shtjellimi i temave të ndaluara, për të cilat askush nuk kishte guxuar të shkruante më përpara. Romani “Vdekja më vjen prej syve të tillë” është romani i parë në letërsinë shqipe, i cili trajton temën e dhunës shtetërore ndaj shqiptarëve, të ushtruar nga organet e UDB-së jugosllave. Trajtimi i kësaj teme në një kohë kur një vepër e tillë mund t’i kushtonte me jetë, është dëshmi e guximit intelektual e moral të Qosjes. Temë e tillë nuk ishte trajtuar më parë as në llojet e tjera të artit në ish-Jugosllavi, tani të ndjerë.
Dhuna është temë qendrore edhe në romanet “Një dashuri dhe shtatë faje”, “Nata është dita jonë” dhe në vepra tjera. Romani “Bijtë e askujt” trajton temën e viktimizimit të individit nga organet e sigurimit të shtetit totalitar. Romani i fundit “Të fshehtat e treguara” është roman postmodern, me shumësi formash tematike që përplotësohen artistikisht dhe estetikisht.
Të këqijat që e përcjellin jetën shoqërore që nga lashtësia e deri sot, siç janë smira, xhelozia, urrejtja e, veçmas dhuna e paraqitur si humanizëm, janë përmbajtje e dramave “Beselam pse më flijon”, “Sfinga e gjallë”, “Vdekja e një mbretëreshe”, “Mite të zhveshura”…
Përveç krijimtarisë letrare, profesor Qosja është studiuesi më i dalluar dhe më gjithëpërfshirës i historisë së letërsisë shqipe. Vepra e tij “Historia e letërsisë shqipe”, e botuar në tri vëllime, “Porosia e madhe”, “Asdreni – jeta dhe vepra e tij” janë kryevepra të kësaj fushe.
Kritika letrare e tij kundër skematizmit, anakronizmit, folklorizmit, kiçit në art, është shprehje e vetëdijes së tij të lartë kritike. “Morfologjia e një fushate” është vepra kritike dhe polemike e cila do t’i trazojë keq, për periudhë jo të shkurtër, mendjet e krijuesve provincialë, servilë të të pushtetshmëve, por edhe të politikanëve me bindje të rrënjosur jugosllaviste.
Autoritet me kulturë të gjithanshme shkencore dhe me vetëdije të lartë atdhetare, profesor Qosja krijimtarinë e vet mendore intelektuale ia kushton edhe publicistikës dhe shkrimit të veprave dokumentare. Vepra publicistike e dokumentare e Qosjes shtjellon tema për veprime e ngjarje historike vendimtare për fatin e popullit shqiptar. Vetë titujt e këtyre veprave tregojnë për përmbajtjen që kanë. Ja disa prej këtyre titujve: “Populli i ndaluar” (botimin e kësaj vepre në Nju Jork, të përkthyer në gjuhën angleze, e ka financuar bashkatdhetari Rexhep Vuçetaj), “Strategjia e bashkimit kombëtar”, “Çështja shqiptare – historia dhe politika”, “Shqipëria dhe Kosova”, “Demokracia e shpërdorur”, “Pushteti i korruptuar”… (vijon)

Të fundit

më të lexuarat