
PAJTIMTARI
Anton Çetta
Ulu në prehën të gjyshes edhe qoke dorën,
Përqafoje se vëlla e ke, të një gjuhe e gjaku,
Ta pimë kafen, zbrazim gotën e shkrijmë borën,
Hapim dyert e zemrës se shtohet konaku.
Edhe një porosi: dalim deri në Ulqin
Marrim frymë nën pisha,
Atje na pret shkrimtari Asllan Bisha
Jo si kusar, por e kam probatim.
I përulem Ismail Dodës deri në Krajë,
S’ka lënë mal, fushë as pllajë,
Është shumë kreativ,
Baladat i ka në arkiv!
NJË DHOMË PA KOMODITET
Dritëro Agolli
Dua vetëm një dhomë pa komoditet,
Në hotelin “Albatros”
Të mjaftojë për mbesën, nusen edhe mua,
Deti u bëftë hirrë e kos.
Pushimin nën hije të ullirit,
Përshëndetje qytet i Ulqinit.
Ta shijojmë kënaqësinë e bukës,
Në atë sofër të Kalasë së Teutës.
TUNGJATËJETA
Akademikut Mark Krasniqi
Ju postierë – nxitoni pak,
Bibliotekat kërcejnë si – valë deti,
Qindvjeçari nuk është plak,
Bulevardit ec me “kurorë mbreti”.
Nxjerr nga trasta – krenari
Një ylber vjen papritur,
- Urrra, ja ku është “Posta e porositur”
Përqafojnë ngrohtë, më shumë fëmijë!
PRINCI I LULEVE
Ali Huruglica
Mirë se erdhe lule me shumë fleta,
Uron ulliri, mandarina, edhe bleta Ilirike,
mos të dridhet dora
- Janë rrënjët thellë në amfora!
Nën gurët e zjarrtë diku brenda,
Nuseve të pikëlluara u vjen shpresa
Me shkëlqim e kurorë mbreti,
Nga qielli zbret Teuta e Valdeti!
Kali i bardhë shpejton trokun,
E dalldis edhe Fejzi Bojkun.
Ashtu, siç është tradita e të parëve,
Hedhim gëzuar Vallen e peshkatarëve!
MARGARITARËT MAGJIKË
Vehbi Kikaj
Mirushë, princeshë e Dardanisë
Zemrën e solle në Ulqin të Ilirisë
Vraponi pas kullave me shumë kate
Nga qielli pikon një vezë pate.
Plazhi gumëzhin nën ombrella
Edhe delfinët kanë vënë kapela.
Sarajet e bardha më thërrasin në qytet
Nga Kosova të sjell fli edhe kumbulla,
Unë nuk ngopem me fiq, as me mushmolla.
POLIGLOTI ME PESË KËMBË
Rifat Kukaj
Ec e ec e ec një buburrec drenicak,
Askujt s’i ka mbetur në hak,
Sikur lumi nuk rrjedh kot,
Me cigare e mimikëri, por poliglot…
Vendlindje të dytë kam Ulqinin,
Kot shkroi letra Ramiz Kelmendi,
Rexhep Hoxha me “Picimuli”, e kreva,
Edhe unë nga zemra, thotë Agim Deva.
Obobo, mos flisni kaq serbes,
Ulqinakët i kam komshi,
Këtu edhe do të vdes,
Qoftë diell apo shi.
Trashëgim u lë “Bareshën”,
Dihet mirë se kush e solli,
Mbretëresha Nexhmije Pagarusha,
E ka thënë edhe Gani Xhafolli.
HESHTJE TE FIKU I MOÇËM
(In memoriam për poetin Basri Çapriqi)
Kjo heshtje po më shtrydhë dëshirën,
Edhe rëndë bie këmbana e nostalgjisë,
Me vetminë time iki në Shas që të hap pantaret,
Hija jote zhvendos heshtjen mijëvjeçare,
Kutia e Pandorës mbetet e mbyllur,
Hyn e del vetëm ëndrra hyjnore.
Diçka je duke soditur, detin e kriptë,
Apo liqenin me atë këngën tënde të heshtjes?
Ndoshta ke mbetur peng i ritit të lirisë:
Të udhëtosh me liburnë tek ulliri dy mijë vjeçar,
Ndoshta mbi krahët e pulëbardhës në Dardani?
Dritaren e ke lënë hapur, sodit nga ballkoni,
Republikën e ullinjve në kopshtin tënd?
Unë e Ti kemi mbetur duke pritur frutat e heshtjes.