Për herë të parë në Malësi, dy emra të mëdhenj të skenës muzikore evropiane, pianistja Iliriana Gjoni dhe violonçelisti Bledar Zajmi sollën muzikën e tyre të jashtëzakonshme para publikut në Malësi, i cili i mirëpriti me ngrohtësi dhe vëmendje të plotë.
Dy artistët e dëshmuar, që gëzojnë vlerësim në arenën ndërkombëtare dhe atë shqiptare, paraqitën një program të zgjedhur me vepra të autorëve të njohur evropianë dhe shqiptarë – nga Ludwig van Beethoven, Claude Debussy, Edvard Grieg, Robert Schumann dhe Astor Piazzolla, te Tonin Harapi, Ramadan Sokoli dhe Senad Gaçeviq.
Për më shumë se një orë, publiku shijoi çaste që nuk i përjeton shpesh – dukej se ishin të etur për këtë zhanër muzikor dhe, mbi të gjitha, për këta dy artistë të mëdhenj.
Në prononcimin për gazetën “Koha javore”, artisti nga Tirana, por që jeton në Pragë të Çekisë, Bledar Zajmi, u shpreh jashtë mase i lumtur me përvojën e tij të parë në Malësi, në bashkëpunim me Iliriana Gjonin, me të cilën kishte interpretuar edhe më parë.
“Jam i mahnitur nga pritja që i bëri publiku performancës sonë dhe nga organizimi i gjithë eventit”, tha ai.
Duke theksuar se muzika është një formë shprehjeje emocionale që nuk ka nevojë për fjalë, Zajmi tha se përmes një udhëtimi muzikor në disa vende të botës, të cilat i kanë dhënë shumë artit muzikor, ata synuan të përcjellin emocionin dhe fuqinë që transmeton muzika, si një urë lidhëse për të gjitha kombet.
“Repertori që zgjodhëm sot ishte sa lirik, aq edhe virtuoz. Ne përpiqemi që, përveç repertorit botëror, të luajmë edhe muzikën shqiptare në koncertet tona, sepse ajo është shumë e pasur në folklor, në ritme dhe në valle, dhe ne përpiqemi ta përçojmë këtë pasuri në performancën tonë”, u shpreh Zajmi
I pyetur se si ndikon identiteti shqiptar në krijimtarinë e tij, Zajmi u përgjigj se shqiptarët shquhen për temperamentin e tyre dhe se kjo ndikon fuqishëm në muzikën që krijojnë.
“Repertori që zgjodhëm sot ishte sa lirik, aq edhe virtuoz. Ne përpiqemi që, përveç repertorit botëror, të luajmë edhe muzikën shqiptare në koncertet tona, sepse ajo është shumë e pasur në folklor, në ritme dhe në valle, dhe ne përpiqemi ta përçojmë këtë pasuri në performancën tonë”, u shpreh Zajmi.
Në lidhje me atë se sa janë të rinjtë të hapur ndaj muzikës klasike jashtë qendrave të mëdha, Zajmi vuri në dukje se ky është një problem që ekziston në gjithë botën, pasi jo të gjithë fëmijët kanë mundësi të studiojnë muzikë.
“Për këtë arsye, në qendrat më të vogla duhet që institucionet ta mbështesin edhe më shumë muzikën klasike, në mënyrë që ta afrojnë atë me fëmijët që dëshirojnë të mësojnë muzikë”, theksoi Zajmi.
Ai shtoi se, përveç koncerteve, duhet të jenë më aktivë edhe si instrumentistë dhe mësimdhënës.
“Që ne t’u qëndrojmë më afër fëmijëve duke ua bërë të njohura meloditë më të famshme që ata dëgjojnë në radio, t’ua sjellim më pranë që në të ardhmen ata të dinë se për çfarë bëhet fjalë dhe si është rruga drejt artit”, u shpreh violonçelisti Bledar Zajmi.
Ndërkohë, pianistja nga Ulqini Iliriana Gjoni, e pyetur se si përjetohet interpretimi në një skenë të vogël si kjo e Tuzit, por me publik të përzemërt, tha se publiku i priti me zemër të hapur dhe pa paragjykime.
“Sepse ndonjëherë mendojmë se ne shqiptarët e Malit të Zi nuk e kemi këtë traditë të muzikës klasike, por unë besoj se me interpretimin tonë sonte, sikur u thye ajo ide dhe u krijua një komunikim i drejtpërdrejtë mes artistëve dhe njerëzve që ishin në sallë. E konsideroj një koncert shumë të arrirë”, theksoi ajo.
E pyetur se si mund të afrohet më mirë muzika klasike me të rinjtë, sidomos jashtë qendrave të mëdha kulturore, Gjoni tha se edhe në qendrat më të zhvilluara muzika klasike tërheq një shtresë të caktuar, ndoshta ata me mirëqenie më të mirë socio-ekonomike etj.
“Dhe edhe atje luftojnë që muzika klasike të depërtojë, sepse ajo ka një cilësi të lartë të mendimit dhe zhvillimit emocional. Prandaj mendoj se edhe këtu, nëse arrijmë ta kombinojmë muzikën klasike me disa elemente të tjera, mund të afrohen të rinjtë përmes pjesëve që ata njohin dhe pëlqejnë, e në këtë mënyrë të hapim rrugën drejt muzikës klasike”, tha Gjoni.
Për Gjonin, muzika klasike bën pjesë tek ato gurë të çmuar të arritjeve njerëzore, duke theksuar se në koncertet e tyre interpretojnë vepra të shkruara para tre apo katër shekujsh, të cilat kanë ruajtur dhe rikonfirmuar vlerën ndër vite
Ajo theksoi se fuqia e komunikimit emocional që realizohet përmes muzikës bart dhe përhap mesazhe të rëndësishme shoqërore.
Duke u ndalur te rëndësia e muzikës klasike në ditët tona, Gjoni tha se shpesh ekzistojnë paragjykime ndaj saj, sepse nuk i tërheq masat e mëdha, ndërkohë që rrymat alternative tërheqin më shumë dëgjues.
“Megjithatë, unë besoj se më i rëndësishëm është kualiteti sesa kuantiteti. Besoj se në çdo fushë të jetës është më mirë të përqendrohemi te cilësia dhe jo domosdoshmërisht te sasia. Ky është edhe parimi im në jetë”, u shpreh Gjoni.
Për Gjonin, muzika klasike bën pjesë tek ato gurë të çmuar të arritjeve njerëzore, duke theksuar se në koncertet e tyre interpretojnë vepra të shkruara para tre apo katër shekujsh, të cilat kanë ruajtur dhe rikonfirmuar vlerën ndër vite.
“Kjo muzikë do të vazhdojë të jetojë dhe nëse ne mund të identifikohemi përmes saj, atëherë do të bëhemi edhe ne të përjetshëm”, theksoi Gjoni.
Koncerti u organizua nga Qendra Kulturore-Informative “Malësia”, por u mbajt jashtë hapësirave të saj për shkak të vijimit të punimeve për rikonstruksionin e objektit.
Ky koncert dëshmoi edhe një herë se muzika klasike, pavarësisht kohës apo vendit, mbetet një gjuhë universale që bashkon njerëzit përmes emocioneve të pastra dhe artit të lartë. Prania dhe reagimi i ngrohtë i publikut të Malësisë ishte një tregues i qartë se edhe në këtë trevë ekziston një etje e madhe për cilësinë dhe përjetimin e vlerave të mirëfillta kulturore.
Dy artistët e mëdhenj e vazhduan turneun një natë më vonë, më 29 maj 2025, në qytetin e Ulqinit, për t’i qëndruar pranë edhe publikut artdashës atje.
Iliriana Gjoni ka lindur në Ulqin. Ka ndërtuar një karrierë të gjithanshme artistike dhe shkencore në të gjithë Evropën, me një repertor që shtrihet nga muzika klasike tek ajo bashkëkohore. Është laureate e shumë çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare. Ka përfunduar studimet master në Piano Solo (2012) dhe në Muzikë Dhome për Piano (2014) në Universitetin e Muzikës në Karlsruhe, nën udhëheqjen e profesorëve Michael Uhde dhe Markus Stange. Paralelisht me karrierën muzikore, Gjoni përfundoi edhe studimet master në Studime Evropiane në KU Leuven (2020), universitetin lider të Belgjikës, ku u diplomua me notat më të larta.
Bledar Zajmi ka ndërtuar një karrierë të fuqishme artistike në tre kontinente, në mbi 30 vende të botës, me më shumë se 15 albume solo dhe muzikë dhome, me një repertor të gjerë që nga muzika baroke deri tek ajo bashkëkohore.
I lindur në Tiranë, aktualisht është violonçelist solo dhe koncertmaestër në Teatrin Kombëtar në Pragë. Është laureat i konkurseve kombëtare dhe ndërkombëtare. Në vitin 1992 diplomohet në Pragë (Prof. Rudolf Lojda), në vitin 1997 përfundoi studimet për violonçel, ndërsa në vitin 2017 përfundoi doktoraturën (PhD) në Akademinë Janáček në Brno (Çeki).
t. u.