U shënua 82-vjetori i hapjes së shkollës shqipe dhe i gjeneratës së 45-të të shkollës fillore në Dacaj

Në vitin 1943, ministri i Arsimit i Tokave të Lirueme, Ernest Koliqi, me dekret të posaçëm hapi shkollën e parë në gjuhën shqipe në komunën e Rozhajës, kurse në vitin 1980 doli gjenerata e parë e filloristëve, ku nxënësit morën dëftesat e para të shkollës së plotë tetëvjeçare në Dacaj të Rozhajës. Nga ajo kohë e deri më sot shkollën fillore e kanë përfunduar 45 gjenerata

Shkolla e vetme me mësim në gjuhën shqipe “Dacaj” në Komunën e Rozhajës, të premten, më 26 shtator të këtij viti kremtoi Ditën e Shkollës, me ç’rast u organizua një manifestim kulturor nga nxënësit e kësaj shkolle.
Përpos mësimdhënësve dhe nxënësve, në manifestim morën pjesë edhe prindër dhe mysafirë nga mërgata jonë e artë, miqtë tradicionalë të kësaj shkolle, si nënkryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, Fadil Ulaj, kryetari i Klubit të Futbollit “Deçiq”, Palë Dreshaj, veteranët e arsimit Sokol e Hysen Daci, bashkatdhetari e veprimtari i devotshëm nga SHBA – Adem Rugova, anëtarët e Shoqatës Kulturore e Humanitare Shqiptaro-Gjermane “Sali Çekaj“ – Xhevdet Muriqi e Rexhep Nikçi, drejtori i shkollës fillore “Xhafer Nikoçeviq” në Guci, Luan Kukaj etj.
Në fjalën e rastit, drejtori i shkollës Shefqet Daci, nga historiku i kësaj shkolle ceku disa vite me rëndësi të veçantë për ekzistencën e kësaj vatre arsimore.
Ai përmendi vitin 1943, kur ministri i Arsimit i Tokave të Lirueme, Ernest Koliqi, me dekret të posaçëm hapi shkollën e parë në gjuhën shqipe me mësues shqiptar Spiro Rexhën nga Rexhajt e Vlorës, vit ky i themelimit të shkollës shqipe këtu, ku mësimi u zhvillua në odën e Zhujë Selman Dacit në Dacaj e ku mësimet i ndiqnin fëmijët nga fshatrat e Malësisë së Rozhajës.
Pas mësuesit vlonjat me nxënës punoi një vendas – Abdyrrahim Daci – Orli, i cili punoi deri në mbylljen e shkollës shqipe menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore.
Në vitin 1956/1958, me vetëkontribut u ndërtua objekti i shkollës në zemër të Malësisë së Rozhajës, objekt ky që e trashëgojmë edhe sot.
Drejtori i shkollës nënvizoi datën 26 shtator 1968, kur edhe rifilloi mësimi në gjuhën amtare shqipe e që nga ajo ditë, pra plot 57 vite këtu mësohet e kultivohet gjuha amtare shqipe.
Ai në vazhdim ceku vitin 1974, kur edhe u hap klasa e pestë dhe shkolla katërvjeçare po rritej në atë tetëvjeçare. Kështu në vitin 1980 doli gjenerata e parë e filloristëve këtu, ku nxënësit morën dëftesat e para të shkollës së plotë tetëvjeçare në Dacaj të Rozhajës. Nga ajo kohë e deri më sot shkollën fillore e kanë përfunduar 45 gjenerata.
Si vit i rëndësishëm i pavarësimit të kësaj shkolle nga shkollat e bashkuara, ai ceku vitin 1990, ku nga ky vit shkolla ëahtë Institucion i Pavarur Publik.
Në vazhdim theksoi datën 14 maj të vitit 2020, kur shkollës iu vu zjarri nga persona ende të paidentifikuar, me ç‘rast u dëmtua objekti shkollor dhe u dogj dokumentacioni pedagogjik.
Në vitin 2023 u bë rindërtimi i shkollës nga Ministria e Arsimit e Malit të Zi.
Sokol Daci, ish-mësues i kësaj shkolle, ndau momente emocionuese kur përmendi rihapjen e shkollës shqipe në vitin 1968 dhe kujtoi momentin kur nxënësve u kishte thënë se
nga sot “do të këndojmë në gjuhën shqipe”.
Nënkryetari i KKSH-së, Fadil Ulaj i përgëzoi dhe i uroi nxënësit dhe mësimdhënësit për Ditën e Shkollës duke cekur rëndësinë e madhe të mësimit të gjuhës amtare, ndërkaq kryetari i KF “Deçiq”, Palë Dreshaj solli dhe ndau shumë rekuizita sportive për nxënësit, duke premtuar se tash e tutje nuk do t’u mungojnë rekuizitat sportive.
Rexhep Nikçi e Xhevdet Muriqi nga Gjermania sollën kompletin e veprave të Akademikut Mark Krasniqi si dhuratë për bibliotekën e shkollës.
Kryetari i Këshillit të shkollës, Ali Daci foli për fillimin e një projekti të ri për ndërtimin e terreneve sportive dhe të sallës së sportit në oborrin e shkollës, një projekt i domosdoshëm për përmirësimin e kushteve të punës dhe zhvillimin e infrastrukturës së kësaj shkolle.
Në fund të ceremonisë, nxënësit shfaqen një program kulturor-zbavitës me moto “Sa të rrosh, do të mësosh!”, të përgatitur nga mësimdhënësit Haxhi Lajçi dhe Senida Kuç.
Telegram urimi në adresë të shkollës ka dërguar miku dhe përkrahësi i përvitshëm i kësaj shkolle, Herbert Pubans nga Gjermania.

Ali Daci

Të fundit

më të lexuarat