Nga data 17 deri më 24 nëntor 2025 u zhvillua Java Globale e Edukimit me temën ”Formimi i një të ardhmeje të drejtë, të qetë dhe të qëndrueshme“, ndërsa me moton ”Shpresa në veprim“. Kjo javë ka për qëllim të nxisë shpresën dhe veprimin përmes edukimit, duke frymëzuar të rinjtë dhe komunitetet që të mendojnë dhe të veprojnë për një botë më të drejtë, më paqësore dhe më të qëndrueshme. Edukimi luan një rol kyç në këtë proces, duke u dhënë të rinjve njohuritë, aftësitë dhe vetëdijen që u nevojiten për ta shndërruar shpresën në veprim.
Ideja dhe vizioni i “Fletores së Paqes”
Në kuadër të Javës Globale të Edukimit, në Shkollën fillore “Bedri Elezaga” – Katërkollë u bë publik një projekt i veçantë dhe frymëzues: “Fletorja e Paqes”. Pata kënaqësi që ta ideoj këtë projekt dhe ta zhvilloj së bashku me disa nxënës nga paralelja 9-2.
Vizioni i këtij projekti është që fletorja të shërbejë si simbol i unitetit, miqësisë dhe shpresës për një botë më të mirë. Në këtë mënyrë do të bëjë xhiron nëpër shkolla brenda Malit të Zi. Çdo nxënës, mësues dhe vizitor ka mundësinë të lërë një mesazh për paqe dhe mirëkuptim, duke treguar se çdo zë dhe çdo mendim ka rëndësi. Fletorja është krijuar për të mbledhur mesazhe që frymëzojnë mirësinë, respektin dhe bashkëpunimin, duke i ndarë më pas me komunitetin dhe më gjerë.
Përveç plotësimit të fletores me mesazhe paqeje, nxënësit vizatuan edhe “Djalin dhe vajzën e së ardhmes” – portrete simbolike që përfaqësojnë të rinjtë si bartës të shpresës dhe të ardhmes së qëndrueshme. Këto vizatime u realizuan me kreativitet dhe kujdes, duke reflektuar vizionin e nxënësve për një botë ku bashkëpunimi, barazia dhe respekti janë baza e jetës.
Mbështetja institucionale dhe pjesëmarrja e komunitetit
Projekti realizohet me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit të Malit të Zi. Zyrtarë të lartë dhe përfaqësues të sektorit joqeveritar kontribuan duke shkruar mesazhe paqeje në fletore.
Fletorja gjithashtu është nënshkruar nga mysafirë të veçantë, duke përfshirë: Dragan Mijushkoviq, drejtor i Drejtorisë për Arsimin e Popujve Pakicë në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit; Ivana Vujoviq, drejtoreshë e Organizatës “Juventas”; Jovan Bojoviq, drejtor i Programit për Forcimin e Kapaciteteve të Grupimeve Target, përfaqësues të OJQ-ve dhe institucioneve.
Një moment veçanërisht mbresëlënës ishte vizita e nxënëses së shkollës “Savo Kaziq” nga Podgorica, Ella Markoviq, e cila solli vizatime me motive paqeje dhe shënoi mesazhe të veçanta në fletore.
Po ashtu nxënësja në fjalë për klasën në natyrë ka sjellë edhe disa dhurata.
Vizita e Ella Markoviqit ishte një moment që i preku zemrat e të gjithëve dhe i dha projektit një vlerë të veçantë. Me buzëqeshjen, ndjeshmërinë dhe talentin e saj të jashtëzakonshëm, ajo solli më shumë se vizatime dhe mesazhe paqeje – solli shpresë. Çdo fjalë që shkroi dhe çdo vizatim që ndau bartnin sinqeritetin e një fëmije që beson thellë në mirësi dhe në një botë më të bukur. Prania e saj u përjetua si një përqafim simbolik mes nxënësve, një dëshmi se paqja fillon nga zemrat e pastra dhe se edhe veprimet më të vogla mund të lënë gjurmë të mëdha. Ella u kthye në një frymëzim të heshtur, por të fuqishëm, duke lënë pas emocione, buzëqeshje dhe një kujtim që do të jetojë gjatë në “Fletoren e Paqes” dhe në klasën në natyrë.
Mesazhet e nxënësve dhe rruga drejt së ardhmes
Nxënësit e shkollës kanë mbushur faqet e para të fletores me dëshirat e tyre për paqe, duke shprehur gëzim, krenari dhe kreativitet. Vizatimet e “Djalit dhe vajzës të së ardhmes” i japin një dimension të gjallë dhe simbolik projektit, duke treguar sesi fëmijët imagjinojnë një botë më të drejtë dhe të bashkuar. Ndërsa fletorja dhe vizatimet vazhdojnë udhëtimin e tyre. Shpresohet që ato të mbledhin shumë mesazhe të tjera nga shkolla dhe komunitete të ndryshme, duke u bërë një simbol i gjallë i bashkëpunimit, mirëkuptimit dhe shpresës.
Përfundim
“Fletorja e Paqes” dhe vizatimet e nxënësve nuk janë thjesht një iniciativë shkollore. Ato përfaqësojnë një thirrje për të gjithë të rinjtë dhe komunitetet që të bëhen pjesë e një rrëfimi global të paqes dhe shpresës. Ato tregojnë se ndryshimi fillon me veprime të vogla, me fjalë dhe me zemër. Le të udhëtojnë këto krijime, duke mbledhur shpresa, nënshkrime dhe vizatime, për të ndërtuar një të ardhme më të drejtë dhe më paqësore.
Luljeta Avdiu – Cura
