Shpërblime të merituara për sukses në mësim

Nga 111 gjysmëmaturantët e pesë paraleleve mësimore të klasës së nëntë, një prej të cilave me 11 sish me mësim në gjuhën shqipe, 22 gjysmëmaturantë gjatë shkollimit fillor nëntëvjeçar kanë treguar sukses të shkëlqyer dhe sjellje shembullore, të cilëve u është dorëzuar diploma “Lluça” (Pishtari”) dhe janë shpërblyer me nga një libër

Plavë – Në ambientin e qendrës mësimore të shkollës fillore “Hajro Shahmanoviq” në Plavë, më 16 qershor 2025, në akademinë solemne ishin tubuar gjysmëmaturantët me sukses të shkëlqyer në mësim, prindërit e tyre, mësimdhënësit, stafi i shkollës dhe kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, për të marrë pjesë në dorëzimin e diplomës “Lluça” (Pishtari) për sukses madhor që ata kanë arritur gjatë nëntë viteve shkollore në këtë shkollë.
Nga 111 gjysmëmaturantët e pesë paraleleve mësimore të klasës së nëntë, një prej të cilave me 11 sish me mësim në gjuhën shqipe, 22 gjysmëmaturantë gjatë shkollimit fillor nëntëvjeçar kanë treguar sukses të shkëlqyer dhe sjellje shembullore, të cilëve u është dorëzuar diploma “Lluça” (Pishtari”) dhe janë shpërblyer me nga një libër.
Hapjen solemne të ceremonisë së dorëzimit të diplomës “Pishtari” e bëri mësuesja praktikante Xhenita Gutiq, e cila me admirim përshëndeti të pranishmit, kurse gjysmëmaturantët i uroi për shpërblimet për suksesin e arritur.
Pastaj drejtori i shkollës Sellmir Purishiq, bashkë me kryetarin e Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, gjysmëmaturantëve ua kanë dorëzuar diplomat dhe nga një libër.
Komuna e Plavës, laureatët e diplomës në fjalë i ka shpërblyer me nga 100 euro, një libër dhe një fletore shënimesh.
Drejtori i shkollës, Sellmir Purishiq, në fjalën e rastit ka përshëndetur gjithë të pranishmit, në veçanti laureatët e diplomës “Pishtari”, duke u fokusuar në shkollimin e tyre të mëtejmë dhe në avancimin e diturive të reja të fituara, duke dëshiruar që të vazhdojnë shkollimin e mëtejmë dhe të jenë të suksesshëm si deri më tani.
Të njëjtën gjë, gjysmëmaturantëve ua ka dëshiruar edhe ndihmësdrejtoresha e kësaj shkolle, Minella Markishiq.
Kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, ka falënderuar mësimdhënësit për punën e tyre në përgatitjen e nxënësve, ndërsa duke iu drejtuar prindërve të nxënësve pishtarë ka thënë se duhen të jenë krenarë që fëmijët e tyre i kanë përgatitur për jetë.
“Falënderim i sinqertë për atë që i keni mësuar të çmojnë e vlerësojnë dhe i keni motivuar të punojnë e veprojnë, kurse diploma ‘Lluça’ (Pishtari) është reflektim i tyre”, ka thënë ai.
Laureatë të diplomës “Lluça” (Pishtari) janë gjysmëmaturantët: Ajna Toshiq, Aris Shabotiq, Behmen Haxhialeviq, Senida Beshkoviq, Ina Rexhiq, Ajlla Purishiq, Allina Pejçinoviq, Sadella Huseinoviq, Anid Pejçinoviq, Dajan Bashiq, Faris Bashiq, Nailla Dreshkoviq, Aida Jasharoviq, Demir Kojiq, Zana Krciq, Adilla Markishiq, Jahja Markishiq, Inella Bashiq, Hellena Dashiq, Nagja Knezheviq, Ognjen Noviqeviq dhe Amar Canoviq.
Të gjithë gjysmëmaturantët, laureatë të diplomës “Lluça” (Pishtari) të kësaj shkolle deklaruan se do t’i vazhdojnë mësimet, kryesisht në shkollën e mesme të përzier “Beqo Bashiq” në Plavë.

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat