Me rastin e Ditës së Shkollës, më 28 maj 2025, shkolla fillore “Marshall Tito” në Ulqin organizoi një program festiv dhe kulturor në ambientet e Qendrës për Kulturë. Ishte një ditë e mbushur me gëzim, emocion dhe kreativitet, ku nxënësit, mësimdhënësit dhe të ftuarit e shumtë festuan së bashku një nga datat më të rëndësishme të kalendarit shkollor.
Kjo ngjarje shënoi jo vetëm vazhdimësinë e një tradite e cila daton që nga themelimi i shkollës në vitin 1968, por edhe përkushtimin e saj të pandërprerë ndaj misionit fisnik të edukimit dhe arsimimit. Dita u pasurua me një program të larmishëm artistik, ku talenti, energjia dhe entuziazmi i nxënësve u shfaqën përmes këngës, recitimit, vallëzimit dhe dramës.
Në një atmosferë të ngrohtë e festive, me dyer të hapura për prindërit, mysafirët dhe miqtë e shkollës, u kremtua jo vetëm suksesi i së kaluarës, por edhe shpresa për të ardhmen, e mishëruar në çdo fjalë, buzëqeshje dhe duartrokitje të kësaj dite të veçantë.
Programi u hap me fjalën përshëndetëse të drejtoreshës së shkollës, Ferida Hajdinaga, e cila u ndal te kuptimi më i thellë i shkollës si hapësirë e formimit njerëzor dhe shpirtëror.
“Sot festojmë Ditën e Shkollës, por le të ndalemi pak dhe ta shohim shkollën jo vetëm si një ndërtesë apo një orar mësimi, por si një hapësirë më të thellë – si hapësirën midis heshtjes dhe pyetjeve. Askush nuk na mëson ndonjëherë se si duhet mësuar, apo si duhet lexuar, jo vetëm për të ditur, por për të kuptuar”, ka thënë ajo.
Drejtoresha Hajdinaga ka theksuar po ashtu se shkolla nuk është vetëm vendi ku transmetohet dija.
“Mësojmë të shkruajmë, por jo gjithmonë të dëgjojmë heshtjen mes pyetjeve. Mësojmë data dhe formula, por ajo që na formon vërtet shpesh ndodh gjatë pushimeve, në shikime, në momentet e dyshimit, në pyetjet e pathëna që nuk arrijnë të bëhen fjalë. Shkolla e vërtetë nuk është thjesht vendi ku transmetohet njohuria. Është vendi ku lindin pyetjet – pyetje për botën, për të tjerët dhe për veten. Pyetje që nuk kanë përgjigje të sakta, por që na shtyjnë të rritemi duke i kërkuar ato”, ka thënë ajo.
Më tej Hajdinaga ka theksuar se kur festojmë Ditën e Shkollës, nuk festojmë vetëm traditën, historinë apo sukseset.
“Ne festojmë udhërrëfimet, udhëtimet dhe kërkimet, reflektimet, përpjekjet dhe gabimet që bëjmë. Janë udhëtime që nuk ndalen me tingullin e fundit të ziles, sepse ajo që nxënësi merr më të vlefshme me vete nuk është nota, por kujtimet që mbesin në heshtje, aty ku lind pyetja: ‘Po nëse…?’”, ka thënë ajo.
Duke iu drejtuar nxënësve, drejtoresha e shkollës fillore “Marshall Tito” i ka porositur ata që shkolla të mos jetë për ta vetëm ajo që shihet.
“Le të jetë ajo që lëviz brenda jush kur dëgjoni një ide të re, kur diçka ju huton, kur zbuloni diçka vetë. Dhe ne, të rriturit, jemi këtu për të ruajtur këtë hapësirë”, është shprehur Hajdinaga, duke falënderuar “mësuesit e mrekullueshëm, që çdo ditë, me njohurinë, durimin dhe përkushtimin e tyre, ndërtojnë këtë hapësirë të pazëvendësueshme. Faleminderit që besoni në fuqinë dhe lirinë e fjalës dhe që ndihmoni çdo nxënës të gjejë rrugën e vet”.
Çdo klasë ruan një kujtim dhe çdo zile na kujton se dija nuk ndalet kurrë. Me këtë tematikë u shfaq edhe një dokumentar i shkurtër i arritjeve të kësaj shkolle.
Ceremonia përfshiu gjithashtu një moment mirënjohjeje të veçantë për mësuesit që këtë vit kanë dalë në pension. Emocionet ishin të mëdha, ndërsa u ndanë mirënjohje për kontributin shumëvjeçar dhe të çmuar në edukimin e brezave.
“Ka katër muaj që kam dalë në pension. Gjithçka gjendet në këtë mirënjohje. Jam e nderuar me të. Në këtë mirënjohje janë të gjithë kolegët e mi, të gjithë nxënësit dhe prindërit”, ka thënë Vera Filipoviq, një nga mësueset në pension.
Viktor Nrekiq, mësuesi i nderuar i cili e përfundoi karrierën e tij mësimore këtë vit, përcolli një mesazh të përzemërt.
“Urime Ditën e Shkollës! Përshëndes të gjithë nxënësit, kolegët e mi dhe drejtoreshën, të cilët ditën time të fundit të mësimit më kanë emocionuar shumë. Ju uroj suksese gjithmonë të gjithëve!”, është shprehur ai.
Një nga momentet më të veçanta të ceremonisë festive ishte shpallja e nxënësit të gjeneratës, Arman Nimanbegu, i cili u vlerësua për rezultatet e shkëlqyera në mësime, sjelljen shembullore dhe përkushtimin e vazhdueshëm. Me punë të palodhur dhe përpjekje të pandërprera, Armani ka lënë gjurmë në historinë e shkollës “Marshall Tito” dhe u shpërblye për këtë arritje të merituar.
Programi artistik i përgatitur nga nxënësit e shkollës ishte pasqyrë e pasionit, përgatitjes dhe imagjinatës së tyre. Me recitime, këngë, skeçe dhe valle, ata sollën një atmosferë të ngrohtë dhe emocionuese për të gjithë të pranishmit. Programi ishte dëshmi se shkolla është edhe vendi ku fëmijët rriten në art, në ndjenja, në komunikim dhe në besim te vetja dhe të tjerët.
D. Teliqi