Redukton shpërqendrimin në mësimnxënie

“Në shkollën tonë zbatimi i rregullit varet shumë nga serioziteti i stafit dhe nga mënyra si komunikohet me nxënësit. Kur mësimdhënësit janë të njëjtë në qëndrime dhe nuk e lënë në dorë të rastësisë, funksionon mirë. Telefonat mbahen në vendin e caktuar dhe kjo e ka ulur dukshëm shpërqendrimin, ndaj orët ecin më qetë dhe nxënësit janë më të përfshirë”, shprehet Lulanaj

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit ka rikujtuar së fundmi vendimin për ndalimin e përdorimit të telefonave gjatë orëve të mësimit. Se si po zbatohet ky rregull në institucionet edukativo-arsimore, biseduam me drejtorin e Shkollës së mesme të përzier “25 Maji” në Tuz, Sehad Lulanaj, i cili për gazetën “Koha javore” tregon se si zbatimi i këtij rregulli e ndihmon procesin e mësimnxënies.
“Në shkollën tonë zbatimi i rregullit varet shumë nga serioziteti i stafit dhe nga mënyra si komunikohet me nxënësit. Kur mësimdhënësit janë të njëjtë në qëndrime dhe nuk e lënë në dorë të rastësisë, funksionon mirë. Telefonat mbahen në vendin e caktuar dhe kjo e ka ulur dukshëm shpërqendrimin, ndaj orët ecin më qetë dhe nxënësit janë më të përfshirë”, shprehet Lulanaj.
I pyetur nëse në kuadër të këtij vendimi janë evidentuar shkelje dhe çfarë masash ndërmerr shkolla kur ndodh një situatë e tillë, ai thekson se shkelje ndodhin herë pas here, por siç thotë, kjo kryesisht ndodh kur ndonjë nxënës e hap telefonin fshehurazi.
“Në këto raste, mësimdhënësi ose kujdestari i ditës ia kërkon menjëherë dhe telefoni mbahet deri në fund të ditës ose dorëzohet te prindi, sipas rregullores. Kjo ka bërë që situata të mos përsëritet shpesh”, shprehet Lulanaj.
Ndërkohë, sipas vendimit të Ministrisë, telefonat mund të përdoren vetëm në raste të parashikuara nga plani i punës. Lidhur me këtë, se si menaxhohen rastet e tilla, drejtori i Gjimnazit “25 Maji” thotë se edhe në institucionin që ai drejton ka raste kur telefoni përdoret për qëllime mësimore, por siç thotë ai, kur parashikohen në planin e punës, mësuesi e sqaron qartë pse po lejohet përdorimi i tij.
“Nxënësit e përdorin vetëm për atë aktivitet dhe më pas mbyllet menjëherë, që të mos krijohet kaos apo keqpërdorim”, përfundon Lulanaj.
Kujtojmë se në muajin shkurt të këtij viti, në bazë të iniciativës së Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, këshillat shkollore të shkollave fillore dhe të mesme në Mal të Zi morën vendim për të ndaluar përdorimin e celularëve gjatë orëve të mësimit, përveçse në rastet kur përdorimi i tyre nga mësuesi i lëndës, përmes përgatitjes ditore, e parashikon atë si mjet mësimor për realizimin e njësive të caktuara mësimore.
Referuar disa vendeve që tashmë e kanë bërë praktikë ndalimin e celularëve gjatë procesit mësimor, përvojat tregojnë se kjo lloj praktike ka gjeneruar efekte pozitive në rezultatet që nxënësit arrijnë në procesin arsimor.
Ky vendim i Ministrisë dhe praktika e shkollave synojnë të krijojnë një ambient mësimor më të qetë dhe të përqendruar, ku përdorimi i teknologjisë shërben si mjet ndihmës kur është i planifikuar, ndërsa shpërqendrimet e panevojshme minimizohen. Nxënësit, mësuesit dhe stafi i shkollës janë pjesë e këtij procesi, duke kontribuuar në rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe të përvojës arsimore.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat