Peng e infrastrukturës dhe vullnetit institucional

Edhe pse ligji e parashikon edukatën fizike si lëndë të barabartë me të tjerat, nga klasa e parë deri në të nëntën, zbatimi i tij mbetet peng i infrastrukturës dhe vullnetit institucional

Në një kohë kur shkenca dhe mjekësia vërtetojnë çdo ditë se aktiviteti fizik është po aq i rëndësishëm sa matematika apo gjuha për zhvillimin e shëndetshëm fizik dhe mendor të fëmijës, realiteti në shkollat fillore të Ulqinit paraqet një pasqyrë shqetësuese. Edhe pse ligji e parashikon edukatën fizike si lëndë të barabartë me të tjerat, nga klasa e parë deri në të nëntën, zbatimi i tij mbetet peng i infrastrukturës dhe vullnetit institucional.
Në shkollën fillore “Marko Nuculloviq” – Shtoj, drejtori Dul Asllani dëshmon një betejë të përditshme për të mbajtur gjallë aktivitetin sportiv. Në mungesë të një salle të mirëfilltë, nxënësit janë të detyruar të ushtrohen në oborr apo në fushën e topit. Por, ajo që bën përshtypje është këmbëngulja: kur moti është i keq, mësimi zhvendoset në korridore, e madje edhe ushtrimet ritmike zhvillohen brenda në klasë. Këtu, edukata fizike mbahet tri herë në javë për ciklin e ulët, duke kuptuar rëndësinë jetike që ka lëvizja për rritjen e tyre.
Shkolla fillore “Bedri Elezaga” – Katërkollë në këtë drejtim shërben si shembull pozitiv, ku sipas drejtorit Mustaf Bardhi lënda e edukatës fizike mbahet regullisht për të gjitha paralelet.
Në shkollën “Marshall Tito”, ndihmësdrejtori Isa Kraja konfirmon se lënda e edukatës fizike mbahet rregullisht për klasat e para dhe të dyta, por pranon një fakt shqetësues: ndonjëherë kjo lëndë zëvendësohet me atë të muzikës. Ndonëse arti është i rëndësishëm, pyetja që lind është: a mundet kënga të zëvendësojë nevojën biologjike të një fëmije 7-vjeçar për të vrapuar dhe zhvilluar koordinimin motorik?
Situata më kritike paraqitet në shkollën fillore “Boshko Strugar”. Këtu, më të vegjlit tanë – nxënësit e klasave të para dhe të dyta – janë plotësisht të privuar nga edukata fizike për shkak të mungesës së sallës.
Në moshën ku aktiviteti fizik është i domosdoshëm për zhvillimin e kockave, muskujve dhe shëndetit mendor, këta fëmijë qëndrojnë të mbyllur në klasë për 4 deri në 5 orë rresht. Ata e konsumojnë edhe ushqimin aty, pa pasur mundësi të shkarkojnë energjinë apo të marrin ajër të pastër, duke e kthyer ambientin mësimor në një hapësirë statike që dëmton procesin e tyre të rritjes.
Mungesa e aktivitetit fizik te fëmijët nuk është thjesht një “orë më pak mësim”. Ajo përkthehet në:

  • Rrezik për deformime të shtyllës kurrizore, rënie të përqendrimit në lëndët tjera;
  • Rritje të stresit dhe mungesë të socializimit përmes lojës.
    Është koha që institucionet të kuptojnë se edukata fizike nuk është “luks” apo “orë e lirë”, por një detyrim moral dhe ligjor ndaj brezit të ri. Fëmijët tanë meritojnë të vrapojnë, jo vetëm të ulen.
    Arjona Resulani

Të fundit

më të lexuarat