Me fillimin e vitit të ri shkollor 2025/2026, shkolla e mesme e kombinuar “Vëllazërim-Bashkim” në Ulqin ka hyrë në një fazë të re zhvillimi dhe përparimi, e cila jo vetëm që reflekton përkushtimin për arsim cilësor, por edhe vullnetin për të krijuar kushte moderne për nxënësit dhe stafin mësimor.
Për “Kohën Javore”, drejtoresha e kësaj shkolle, Ardita Kovaçi, ndau lajme pozitive dhe motivuese për vitin e ri shkollor.
“Jemi shumë të kënaqur që këtë vit kemi pasur një interes të jashtëzakonshëm për regjistrim. Kemi arritur të formojmë plot 14 paralele të klasës së parë, të cilat do të kenë kryesisht nga 22 nxënës, gjë që tregon besimin e prindërve dhe të rinjve në cilësinë e arsimit që ofrojmë”, deklaroi ajo.
Ky numër i lartë i regjistrimeve është një tregues i drejtpërdrejtë i rritjes së reputacionit të shkollës dhe njëherësh një sfidë që stafi po e përballon me përkushtim.
Me rritjen e numrit të nxënësve, shkolla po vazhdon të funksionojë me dy turne, një realitet që kërkon organizim të kujdesshëm dhe fleksibilitet të madh nga i gjithë stafi.
“Për shkak të fluksit të madh, jemi të detyruar të vazhdojmë me dy turne. Shkolla ka nevojë të madhe për më shumë hapësira mësimore. Ekziston një projekt për zgjerimin e kapaciteteve, por është një nismë që kërkon më shumë fonde dhe kohë për realizim. Megjithatë, ne jemi të përkushtuar që ta çojmë përpara këtë proces”, sqaron drejtoresha Kovaçi.
Përveç rritjes së numrit të nxënësve, drejtoresha e kësaj shkolle të mesme foli edhe për investimet e bëra gjatë muajve të verës, të cilat kanë përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën e brendshme të shkollës.
“Gjatë pushimeve verore kemi ndërmarrë një sërë investimesh të rëndësishme. Janë rregulluar klasat, janë sanituar dhe modernizuar banjot, si dhe është shtruar holli kryesor i shkollës, duke i dhënë ambientit një pamje më të pastër dhe më funksionale”, shtoi ajo.
Ky modernizim është bërë në funksion të krijimit të një ambienti më mikpritës dhe motivues për nxënësit, ku ndihen të respektuar dhe të motivuar për të mësuar.
Drejtoresha Kovaçi shprehu mirënjohje të veçantë për investitorët nga diaspora, të cilët me ndihmat e tyre kanë qenë faktor kyç në realizimin e këtyre përmirësimeve.
“Dua të falënderoj sinqerisht të gjithë donatorët dhe investitorët nga diaspora, të cilët vazhdimisht e mbështesin shkollën tonë. Ata besojnë në këtë institucion dhe përmes donacioneve të tyre na ndihmojnë të kompletojmë shumë nga projektet tona. Kontributi i tyre është i paçmueshëm”, u shpreh ajo
Dy drejtime të reja për më shumë mundësi
Në kuadër të përmirësimit të ofertës arsimore dhe përshtatjes me nevojat e tregut të punës, shkolla ka hapur dy programe të reja mjaft tërheqëse për nxënësit e interesuar në fusha profesionale dhe shoqërore.
“Këtë vit kemi hapur dy drejtime të reja: drejtimin katërvjeçar Administrim Ligjor dhe drejtimin trevjeçar Autoelektrik. Kjo është bërë për të pasuruar ofertën tonë arsimore dhe për të ofruar më shumë mundësi zgjedhjeje për nxënësit, në përputhje me kërkesat e tregut të punës dhe interesat e të rinjve”, theksoi drejtoresha Kovaçi.
Sipas saj, këto programe do të zhvillohen me stafin ekzistues të shkollës, por edhe me kuadro të reja profesionale, të cilët do të kontribuojnë në një nivel të lartë të përgatitjes teorike dhe praktike të nxënësve.
Përveç mësimit formal, shkolla do të vazhdojë të fokusohet fuqishëm edhe në zhvillimin personal dhe qytetar të nxënësve përmes aktiviteteve jashtëkurrikulare dhe projekteve ndërkombëtare.
“Edhe këtë vit do t’i kushtojmë rëndësi aktiviteteve dhe mësimit joformal, sepse besojmë që arsimi nuk ndodh vetëm brenda klasës. Do të vazhdojmë angazhimin tonë në projekte si SuperSchool, dhe për herë të parë, shkolla jonë është e vetmja në Mal të Zi që është bërë pjesë e projektit ‘Mesazhi i Paqes’, një nismë që promovon bashkëpunimin, dialogun dhe tolerancën mes të rinjve. Ky mesazh i paqes te ne do të vijë nga Kroacia, ndërsa ne do ta përcjellim në Shqipëri”, u shpreh Kovaçi.
Me gjithë këto zhvillime, shkolla e mesme e kombinuar “Vëllazërim-Bashkim” e nis vitin e ri shkollor me një energji të re dhe më të përgatitur për të përballuar sfidat dhe për të ofruar arsim cilësor.
“Besojmë se ky vit do të jetë i suksesshëm për të gjithë – nxënësit, mësimdhënësit dhe komunitetin në përgjithësi. Ne do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim për t’u bërë gjithnjë e më shumë një pikë referimi për arsimin e mesëm në vend”, përfundon drejtoresha Ardita Kovaçi.
D. Teliqi
