Nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit, të hënën më 10 mars 2025, shënuan në mënyrë solemne përvjetorin e 96-të të shkollës së tyre. Me një program të larmishëm kulturor-zbavitës, i cili u organizua me këtë rast, nxënësit anëtarë të aktiviteteve jashtëshkollore për më shumë se një orë argëtuan publikun e shumtë që kishte ardhur në këtë manifestim. Falë punës së palodhshme të grupeve të aktiviteteve të lira që funksionojnë në këtë institucion edukativo-arsimor, të pranishmit panë për së afërmi dhe shijuan frutet e këtyre aktiviteteve të shkollës. Me këtë rast duhet cekur pa asnjë dyshim punën e korit të shkollës, nën drejtimin e profesorit të kulturës muzikore Ardit Nika, i cili e ka gjallëruar jetën kulturore jo vetëm në shkollën e Krajës por edhe gjetiu ku punon. Nuk duhet lënë anash as seksionin letrar, atë dramatik dhe të artit figurativ, të cilët edhe me këtë rast dëshmuan se po punojnë dhe veprojnë në vazhdimësi.
Kështu në manifestimin për nder të Ditës së shkollës, ata në fillim të solemnitetit hapën ekspozitën me punime figurative, përuruan numrin 27 të revistës shkollore “Valët” dhe me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit shfaqen një pjesë të dramës “Gjaku i Arbërit” të autorit Fadil Kraja. Për një shkollë në të cilën numri i nxënësve është gjithnjë në rënie, ky aktivitet i nxënësve dhe i mësimdhënësve është për çdo lëvdatë.
Në manifestimin për nder të Ditës së shkollës, seksionet e nxënësve në fillim të solemnitetit hapën ekspozitën me punime figurative, përuruan numrin 27 të revistës shkollore “Valët” dhe me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit shfaqen një pjesë të dramës “Gjaku i Arbërit” të autorit Fadil Kraja. Për një shkollë në të cilën numri i nxënësve është gjithnjë në rënie, ky aktivitet i nxënësve dhe i mësimdhënësve është për çdo lëvdatë
Në manifestimin qendror që u mbajt në sallën e edukimit fizik, përveç nxënësve, trupit arsimor, veteranëve të arsimit nga kjo trevë dhe prindërve, morën pjesë edhe një numër i konsiderueshëm i qytetarëve nga Kraja dhe viseve të tjera përreth.
Në fillim drejtori i shkollës, Sami Doda, i përshëndeti të pranishmit duke ua uruar festën.
Ai në fjalën e vet, ndër të tjera, tha: “Përvjetori i shkollës është një gëzim i madh për të gjithë ne, por duhet të jemi të vetëdijshëm që sot është një moment për të menduar dhe reflektuar për atë që ne po bëjmë në rrugën drejt dijes dhe suksesit, gjithashtu që ne mbajmë një përgjegjësi të madhe ndaj atyre që ndër vite punuan dhe vepruan që këtë shkollë ta ngrejnë dhe ta sjellin këtu ku është sot. Kemi një shkollë shembull dhe model, me kushte shumë të mira, ku vizitorët në hyrje befasohen me bukurinë dhe mrekullitë e saj. Së fundi është investuar në infrastrukturë – realizimin dhe përfundimin e projektit të ndërrimit të dritareve. Gjithashtu janë krijuar ambiente moderne të digjitalizuara me pajisje e mjete IT të reja, që ndihmojnë në procesin e mësimdhënies. Kohë më parë për nxënësit tanë kemi siguruar një udhëtim më të sigurt dhe komod duke vënë në dispozicion kombibusin e ri me kilometrazh zero, të ndarë për shkollën tonë nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit. Jemi krenarë me të arriturat dhe sukseset e nxënësve, me pjesëmarrjen e tyre në aktivitetet jashtëshkollore, gara të ndryshme – në recitime, gara sportive si dhe pjesëmarrja në konkurse me punime artistike. Nxënësit tanë po shpalosin talentin e tyre dhe po arrijnë sukses duke u shpërblyer me çmime. Të gjitha këto nuk do ishte e mundur pa përkushtimin e mësuesve të palodhur, pa përpjekjen e nxënësve tanë të mrekullueshëm dhe pa mbështetjen e prindërve, të cilët shfytëzoj rastin t’i falënderoj nga zemra për bashkëpunimin dhe punën e palodhshme. Le të vazhdojmë të punojmë së bashku për një të ardhme të ndritur dhe një shoqëri të ngritur në dije dhe vlera, të punojmë që të mbajmë lart emrin e shkollës sonë dhe të arrijmë edhe më shumë suksese në ditët që do të vijnë”.
Kujtojmë se si datë e themelimit të shkollës në Krajë konsiderohet 10 marsi i vitit 1929, edhe pse sipas studiuesve të arsimit shkolla në Krajë ka ekzistuar qysh në shekullin XIX në Skje, Arbnesh, Ostros etj. Nga ana tjetër, duhet theksuar se mësimi në gjuhën shqipe në këtë trevë nis në vitin 1942.
Të shtojmë në fund se numri i nxënësve në këtë shkollë është gjithnjë në rënie. Këtë vit shkollor mësimet këtu i ndjekin më pak se 60 nxënës, na thonë në Drejtorinë e shkollës. Nuk është e largët koha kur kjo shkollë numëronte dhjetëfish më shumë nxënës, pra deri në 560 nxënës.
Ali Gjeçbritaj