Në Shkollën fillore “Bedri Elezaga” në Katërkollë është hapur klasa në natyrë – hapësirë edukative inovative, e cila lidh mësimin, natyrën dhe qasjet moderne pedagogjike, me qëllimin që t’u sigurojë nxënësve një mjedis më kreativ, më të shëndetshëm dhe më efikas për fitimin e njohurive.
Në kuadër të hapjes së klasës në natyrë është përgatitur mobilieria prej druri – tavolina dhe stola të përshtatura për punë në natyrë. Janë vendosur panele edukative me përmbajtje mësimore nga lëndë të ndryshme, dhe është realizuar një ekspozitë e përhershme e fotografive arkivore të shkollës, e cila tani paraqet një ekspozitë të qëndrueshme kushtuar historisë së saj. Gjithashtu, është mbjellë edhe një kopsht me bimë mjekësore që u mundëson nxënësve mësim praktik për llojet bimore dhe përdorimin e tyre.
Ngjarjen e hapi drejtoresha ekzekutive e OJQ “Juventas”, Ivana Vujoviq. Ajo theksoi se paraqet kënaqësi të veçantë që një iniciativë e tillë është realizuar përmes programit “Së bashku për të mirën e përbashkët”, duke nënvizuar se klasa në natyrë nuk është vetëm hapësirë e re, por edhe qasje e re ndaj mësimit, që fëmijëve u mundëson të lidhen me natyrën, të mësojnë përmes përvojës dhe të zhvillojnë njohuri e aftësi në mënyrë që nxit kureshtjen, bashkëpunimin dhe komunitetin.
Dragan Mijushkoviq, ushtrues i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Drejtorisë për Arsim dhe Edukim, për përfaqësues të popujve pakicë dhe komunitete të tjera pakicë në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, tregoi rëndësinë e modeleve inovative në arsim dhe theksoi se kjo ministri e çmon vlerën e iniciativave të tilla, sepse kontribuojnë në motivim më të madh të nxënësve dhe krijimin e një mjedisi shkollor më kreativ dhe më nxitës.
Të pranishmëve iu drejtua edhe nënkryetari i Komunës së Ulqinit, Petar Deliq, i cili theksoi se hapja e klasës në natyrë është moment i rëndësishëm për Katërkollën dhe tërë komunitetin. Ai theksoi se Komuna vlerëson investimet në iniciativa të tilla që kontribuojnë në zhvillimin e komunitetit lokal dhe përshëndeti mbështetjen e ofruar përmes programit “Së bashku për të mirën e përbashkët”.
Drejtori i SHF “Bedri Elezaga”, Mustaf Bardhi, falënderoi partnerët dhe nënvizoi rëndësinë e klasës në natyrë për nxënësit dhe shkollën. Ai tha se është nder i madh që shkolla ka fituar një klasë në natyrë, hapësirë që e lidh dijen, natyrën dhe qasjen moderne ndaj mësimit. Drejtori Bardhi theksoi se ky është moment i rëndësishëm jo vetëm për shkollën, por edhe për tërë komunitetin, sepse fëmijëve u siguron mjedis që nxit kureshtjen, kreativitetin dhe një përjetim ndryshe të mësimit.
Drejtori programor në OJQ “Juventas”, Jovan Bojoviq, dorëzoi mirënjohje për mësuesit dhe stafin e SHF “Bedri Elezaga” si shenjë mirënjohjeje për punën e tyre në krijimin e hapësirës që kontribuon në forcimin e kohezionit shoqëror dhe lidh nxënësit, shkollën dhe komunitetin lokal përmes aktiviteteve të përbashkëta në klasën e natyrës.
Kjo klasë në natyrë paraqet zgjidhje inovative, e cila i solli shkollës mënyrë krejtësisht të re pune dhe të lidhjes së nxënësve përmes mësimit në natyrë. Vlera e veçantë e projektit shfaqet në forcimin e lidhjeve ndërmjet shkollës amë dhe paraleleve të saj, në ruajtjen e trashëgimisë lokale, zhvillimin e tolerancës dhe kohezionit shoqëror, si dhe në nxitjen e zakoneve të shëndetshme të jetesës dhe vetëdijes ekologjike te fëmijët dhe të rinjtë.
Realizimin e projektit e udhëhoqi koordinatorja Luljeta Avdiu – Cura, mësimdhënëse e gjuhës angleze, së bashku me anëtarët e grupit joformal dhe me pjesëmarrjen aktive të mësuesve dhe nxënësve. Ceremonia u plotësua me paraqitjet e nxënësve, realizimin e orëve demostrative nga disa lëndë, si edhe mbjelljen simbolike të ullirit në oborrin e shkollës – si shenjë e rritjes, qëndrueshmërisë dhe bashkësisë.
Klasa në natyrë është realizuar në kuadër të programit “Së bashku për të mirën e përbashkët”, të cilin e zbatojnë UNDP, UNICEF dhe UNESCO në partneritet me Qeverinë e Malit të Zi, me mbështetjen financiare të Fondit të Paqes së OKB-së.
Teksti nga OJQ “Juventas” u përgatit për botim nga Luljeta Avdiu – Cura
