Kopshti i Fëmijëve “Xixëllonjat”, i cili vepron në kuadër të Bashkësisë Islame Ulqin, të premten (27 qershor 2025) përcolli edhe një gjeneratë të parashkollorëve drejt universit të dijes.
Salla e Qendrës së Kulturës ishte e mbushur plot me prindër, miq, të ftuar, familjarë të fëmijëve etj. Të gjithë të lumtur e të gëzuar, fëmijët me shumë krenari shpalosën para publikut talentin e tyre, të koordinuar me përgatitje perfekte nga edukatoret punëtore. Dekori, veshjet ishin përzgjedhur me shije, ku çdo gjë ishte e përsosur deri në detaje.
Fjalën përshëndetëse e mbajti drejtoresha e Kopshtit, Suela Kaca, e cila i falënderoi prindërit për besimin dhe bashkëpunimin e ndërsjellë me kopshtin. Fëmijëve u dëshiroi suksese, shëndet, rrugë të mbarë “Nga planeti i Xixave, drejt universit të dijes!”
Kryeimami i Bashkësisë Islame Ulqin, Ali Bardhi, i përshëndeti të pranishmit dhe vlerësoi rëndësinë e edukimit të fëmijëve që në fëmijëri të hershme me baza të shëndosha për një shoqëri me plot vlera.
Ai theksoi se që në vitin 2012 është nënëshkruar marrëveshja me Ministrinë e Arsimit në Mal të Zi për hapjen e kopshtit në kuadër të Bashkësisë Islame dhe që nga atëherë kanë filluar punën. “Fillimet kanë qenë solide, me një staf të paktë, ambient të huazuar, numër të vogël të fëmijëve, ndërsa sot kemi objektin e vet të pajisur dhe modern. Numri i fëmijëve që ndoqën kopshtin tonë këtë vit ishte 180. Kërkesat janë shumë më të mëdha. Së shpejti kemi në plan të aftësojmë edhe një objekt të ri. Vullneti dhe dëshira nuk na kanë munguar kurrë që të punojmë për fëmijë dhe në të mirë të fëmijëve gjithmonë”, është shprehur kryeimami i Ulqinit.
Bukuria e kësaj mbrëmjeje magjepsëse do të ishte shumë më mbresëlënëse po të kishte salla kushtet e duhura, ku pajisja me kondicionerë për ftohjen e mjedisit ishte më se e nevojshme. Vapa e madhe i lodhi fëmijët e pafajshëm, të cilët nuk janë fajtorë për pakujdesinë tonë si shoqëri.
Lumnije Bisha
