Të hënën, më 23 qershor 2025, në ambientin e qendrës mësimore të shkollës së mesme të përzier “Beqo Bashiq” në Plavë, janë tubuar maturantët me sukses të shkëlqyer, prindërit e tyre, mësimdhënësit kujdestarë të klasave, stafi drejtues i shkollës, në krye me drejtoreshën Snezhana Bojoviq, dhe kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq me bashkëpunëtorë, për të marrë pjesë në ndarjen e diplomave “Lluça” (“Pishtari”) nxënësve maturantë, për rezultate të larta në mësim, që kanë shënuar gjatë shkollimit fillor dhe të mesëm në këtë shkollë dhe në shkollat fillore në Plavë dhe Guci.
Nga 131 maturantë të nëntë paraleleve mësimore, dy prej të cilave janë edhe paralelja e drejtimit të gjimnazit të përgjithshëm me 13 maturantë dhe ajo e drejtimit profesional shitës me 9 maturantë, të dyja me mësim në gjuhën shqipe, 19 maturantë gjatë shkollimit fillor nëntëvjeçar dhe të mesëm tre dhe katërvjeçar, kanë treguar sukses të shkëlqyer dhe sjellje shembullore, tetë prej të cilëve notat në të gjitha lëndët mësimore i kanë pasur të shkëlqyera, u janë dorëzuar diplomat “Lluça I” (“Pishtari I”). Kurse 11 të tjerëve, të cilët kanë pasur sukses të shkëlqyer por jo në të gjitha lëndët mësimore, u janë dorëzuar diplomat “Lluça II” (“Pishtari II”).
Për suksesin e lartë të arritur në mësim dhe sjelljen shembullore, me vendimin e kolektivit të mësimdhënësve të shkollës, maturantët janë shpërblyer me nga një libër.
Maturantët e shkëlqyer, laureatë të diplomës “Lluça I, II” (“Pishtari I, II”) edhe Komuna e Plavës i ka shpërblyer me një vistër dhuratash – me nga një libër, një bllok shënimesh me mbishkrim të Komunës së Plavës si dhe me nga 100 euro në të holla.
Profesoresha e gjuhës dhe letërsisë malazeze-serbe e boshnjake, Senada Gjesheviq, në hapjen e ceremonisë solemne të ndarjes së diplomave në fjalë, në fjalën e rastit, ndër të tjera, është shprehur:
“Dita e sotme është njëra ndër ato që i mbajmë në mend. Dita kur dituria, përpjekja, përgjegjësia dhe vlera fitojnë pranimet e veta të merituara. Dita kur ndriçimi i ‘Lluçës’ (‘Pishtarit’) shndrit jo vetëm suksesin, por edhe rrugëtimin të cilin ju nxënës të dashur e keni kaluar deri tek arritja e tij. Shkollën tonë, qytetin tonë, dhe të gjithë ne sot me krenari na përfaqësoni ju – laureatë të diplomës Lluça (Pishtari). Suksesi juaj është fryt i qëndrueshmërisë e këmbëngulësisë suaj, por edhe i dashurisë së sinqertë ndaj dijenisë”, duke shtuar në vazhdim: “Laureatë tanë të dashur, të dashur nxënës bartës së gjeneratës! Kjo diplomë të mos të jetë e fundit, por vetëm shtytje e nxitje për suksese të reja. Në emër të kolektivit të mësimdhënësve dhe timin personal, ua uroj nga zemra. Bëhuni krenarë në vete – sikur që jemi ne krenarë me ju”.
Drejtoresha e shkollës, Snezhana Bojoviq, e cila bashkë me kryetarin e Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, maturantëve ua ka dorëzuar diplomat, pasi ka përshëndetur gjithë të pranishmit në ceremoninë solemne, në fjalën e rastit ka thënë:
“Dita e dorëzimit të diplomave ‘Lluça’ (‘Pishtari’) për maturantët të cilët me sukses dhe sjelljet e veta kanë merituar të bartin epitetin e nxënësve më të mirë të gjeneratës së maturantëve të sivjetmë, për shkollën tonë është solemniteti më i rëndësishëm gjatë vitit shkollor”.
Ajo ka theksuar në vazhdim se “si shkollë u jemi mirënjohës nxënësve maturantë, të cilët para katër vitesh kanë trokitur në dyert e kësaj shkolle, në të cilën kanë aplikuar për të vijuar shkollimin e mesëm, e sot mu atyre ua dorëzojmë solemnisht diplomat ‘Lluça’ (‘Pishtari’)”.
Kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, në fjalën e vet përshëndetëse, maturantëve të suksesshëm – laureatëve të diplomës “Lluça” (“Pishtari”) u ka dëshiruar shëndet dhe sukses në vazhdimin e shkollimit të tyre universitar.
“Mbi ju dhe për ju s’ka çka të thuhet shumë, sepse të gjitha notat pesëshe që gjenden në dëftesat tuaja, më së miri flasin dhe dëshmojnë për ju. Para jush është një udhëkryq i madh, por ai mos t’iu frikësojë, përkundër, ai duhet t’u trimërojë, nxisë dhe motivojë”, ka thënë ai.
Maturanti Faris Markishiq, laureat i diplomës “Lluça I” dhe nxënës i gjeneratës, i profilit profesional – në drejtimin e mjekësisë në gjuhën malazeze, në emër të maturantëve fitues të diplomës në fjalë dhe në emër të vet, përshëndeti gjithë të pranishmit duke evokuar dhe shprehur fjalë mirësie dhe falënderimi për të gjithë ata të cilët kanë dhënë kontributet e veta maksimale dhe të pakursyera për mbështetjen dhe përkrahjen e tyre në arritjen e rezultateve vërtet të larta, duke veçuar prindërit, mësimdhënësit, stafin drejtues të shkollës, por edhe të tjerët, sidomos qeverisjen lokale të Plavës në krye me kryetarin e Komunës, Nihad Canoviq.
Laureatë të diplomës “Lluça I” janë maturantët e paraleleve me mësim në gjuhën malazeze: Jellena Bojoviq, Samra Srdanoviq, Illija Brkoviq, Millan Bojoviq, Najlla Huseinoviq, Alldin Feratoviq dhe Faris Markishiq, dhe Kelmend Kukaj në paralelet me mësim në gjuhën shqipe, kurse laureatë të diplomës “Lluça II” (“Pishtari II”) janë maturantët e paraleleve me mësim në gjuhën malazeze: Isaid Rexhepagiq, Izabella Kandiq, Nikolla Boshkoviq, Nailja Gutiq, Sara Srdanoviq, Nejlla Reçkoviq, Xheneta Canoviq, Mellisa Feratoviq dhe Danis Suroviq, dhe në paralelen me mësim në gjuhën shqipe: Dorentina Hakaj dhe Izedina Ulaj.
Kolektivi i mësimdhënësve të shkollës, nxënës të gjeneratës në drejtimin e gjimnazit me mësim në gjuhën malazeze shpalli maturanten Jellena Bojoviq, nxënës të gjeneratës në drejtimet profesionale të shkollës shpallen maturantin Faris Markishiq, kurse nxënës të gjeneratës në paralelen e gjimnazit me mësim në gjuhën shqipe shpallen maturantin Kelmend Kukaj. Të gjithë maturantëve të gjeneratave në fjalë, shkolla ua ndau certifikatat përkatëse dhe i shpërbleu edhe me nga një libër.
Laureatët e diplomës “Lluça I e II” (“Pishtari I e II”) dhe shpërblimeve të tjera u zotuan se do të vazhdojnë shkollimin e lartë në universitete brenda dhe jashtë Malit të Zi.
Shaban Hasangjekaj
