Të mërkurën mbrëma, më 25 qershor 2025, Kopshti i Fëmijëve “Solidariteti” shfaqi program solemn në sallën e Qendrës për Kulturë në Ulqin, me rastin e përfundimit të vitit shkollor dhe përcjelljen e parashkollorëve.
Fëmijët që e përfunduan kopshtin, të lumtur e të entuziazmuar më shumë se kurrë, shpalosen njohuritë e fituara në kopsht. Me këtë rast u ndanë dhe diplomat në prani të prindërve dhe shumë miqve e dashamirëve tanë.
Fëmijëve ju dëshirojmë shëndet dhe suksese në hapat e parë si nxënës fillestarë.
Këtë vit IPP “Solidariteti” arriti të nxjerrë dhe numrin e parë të revistës “Margaritarët – Biseri“, në dy gjuhë, ku janë të shpalosura sukseset dhe arritjet tona.
Na mbetet edhe shumë punë për të bërë që të arrijmë më të mirën për fëmijët tanë, të përfundojmë dhe pajisim me inventar objektin në Katërkollë, që është në fazën përfundimtare të rikonstruksionit.
Në Ulqin të fillohet sa më parë ndërtimi i kopshtit të ri se është tejkaluar çdo afat i planifikuar.
Presim nga Kuvendi Komunal të merren me çështjen e kopshtit, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Inovacionit të bëjnë zgjidhjen më të mirë, deri në ndërtim të kopshtit të ri të na mundësohet marrja me qira e një ambienti që i plotëson kushtet hapësinore për punë normale.
Të mos presin fëmijët tanë në lista pritjeje për t’u regjistruar në kopsht.
Prindërve t’u lehtësohet rritja dhe përkujdesja e fëmijëve gjatë kohës që ata janë në punë.
Kopshti që posedon Ulqini nuk i plotëson as kushtet minimale pasi që objekti ekzistues për qëndrim gjysmëditor, është i paraparë vetëm për 120 fëmijë. Këtë vit shkollor kopshtin e kanë vijuar 520 fëmijë në kushte minimale, në shtëpi private të marra me qira.
Shpresojmë të na përkrahni dhe të gjithë së bashku të kontribuojmë për të mirën e vogëlushëve tanë.
Udha e mbarë fillestarë drejt tempullit të dijes!
Lumnije Bisha
(Autorja është edukatore në IPP “Solidariteti”)
