Tuz – Në prani të nxënësve, mësimdhënësve, prindërve, përfaqësuesve të institucioneve edukativo-arsimore etj., të enjten, më 17 prill 2025, në Qendrën Kulturore-Informative “Malësia” u kremtua me një ceremoni solemne Dita e shkollës fillore “Mahmut Lekiq” në Tuz.
Drejtori i SHF “Mahmut Lekiq”, Luigj Dedvukaj, në fjalën e rastit, u shpreh se kjo ditë është një mundësi për të reflektuar mbi rrugëtimin, sukseset, vështirësitë, përkushtimin dhe përpjekjet e përbashkëta.
“Arritjet tona, përkrahja dhe bashkëpunimi juaj nuk do të mbeten vetëm fjalë për t’u thënë, por ato do të mishërohen brenda kopertinave të revistës sonë ‘Fjala’. Përmes fuqisë së fjalës së shkruar, ato do të përjetësohen dhe do të ruhen nga harresa”, u shpreh drejtori i SHF “Mahmut Lekiq”
“Të vetëdijshëm se shkolla nuk është vetëm një vatër e dijes, por një vend ku edukohemi, rritemi, ëndërrojmë dhe ndërtojmë kujtime që zgjasin një jetë, me punë të palodhur dhe të mësuesve tanë, të përkushtimit të nxënësve dhe mbështetjes së prindërve, nxënësit tanë rriten jo vetëm në njohuri por edhe në vlera njerëzore”, u shpreh Dedvukaj.
Ai më tej shpalosi sukseset e nxënësve përgjatë vitit shkollor, duke theksuar se, kudo që kanë marrë pjesë në gara e aktivitete, janë përballur me konkurrentë dhe kanë arritur suksese të lakmueshme.
Dedvukaj vlerësoi se falë talentit dhe aftësive të dëshmuara në fusha të ndryshme, nxënësit kanë ngritur lart emrin e shkollës ku mësojnë.
“Edhe Enti për Shkollim vlerësoi punën tonë me notën ‘Suksesshëm’. Shkolla jonë sigurisht që ka lëshime dhe vend për kritika, por ta dini se së bashku mund të bashkëpunojmë për të ngritur më shumë cilësinë e mësimit, sjelljes dhe përmirësimit të kushteve”, theksoi drejtori i kësaj shkolle.
Ai nuk la pa përmendur angazhimin e institucionit në realizimin e një sërë projektesh të ndryshme.
Në Ditën e Shkollës “Mahmut Lekiq” u bë përurimi i numrit më të ri të revistës shkollore “Fjala” (numri 5), e cila përmbledh kontributin dhe punën e shkollës përgjatë një viti.
“Arritjet tona, përkrahja dhe bashkëpunimi juaj nuk do të mbeten vetëm fjalë për t’u thënë, por ato do të mishërohen brenda kopertinave të revistës sonë ‘Fjala’. Përmes fuqisë së fjalës së shkruar, ato do të përjetësohen dhe do të ruhen nga harresa”, u shpreh drejtori i SHF “Mahmut Lekiq”, Luigj Dedvukaj.
Në këtë ditë të shënuar për këtë institucion edukativ-arsimor, nxënësit shpalosën talentin dhe kreativitetin e tyre përmes një programi të larmishëm kulturor dhe artistik.
t. u.