Forcim i bashkëpunimit ndërinstitucional dheshkëmbim i praktikavemë të mira

Kongresi përfundoi me konkluzione të përbashkëta për rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional, rritjen e kompetencave profesionale, si dhe shkëmbimin e eksperiencave të suksesshme në kujdesin ndaj fëmijëve të vegjël

Më 11–14 tetor 2025, qyteti i Ulqinit u bë qendër e bashkëpunimit profesional rajonal, duke pritur Kongresin e Parë Ndërkombëtar të Motrave Mjekësore të Institucioneve Parashkollore.
Ky aktivitet mblodhi rreth 150 pjesëmarrës nga Mali i Zi dhe Serbia, duke shënuar një hap të rëndësishëm në përmirësimin e cilësisë së kujdesit shëndetësor në institucionet e edukimit të hershëm.
Kongresi u organizua me përkrahjen e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit të Malit të Zi, Institutit të Shëndetit Publik të Malit të Zi, Ministrisë së Arsimit të Serbisë dhe Këshillit Shëndetësor të Republikës së Serbisë, i cili e akreditoi ngjarjen si formë të detyrueshme të zhvillimit profesional për motrat mjekësore të kopshteve.
Pjesa logjistike dhe financiare u mundësua nga vetë institucionet pjesëmarrëse dhe organizatorët lokalë, të cilët me përkushtim siguruan mbarëvajtjen e të gjitha sesioneve dhe aktiviteteve të kongresit.

Qëllimi – zhvillim profesional dhe shkëmbim përvojash
Synimi kryesor i kongresit ishte forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe shkëmbimi i praktikave më të mira në kujdesin ndaj fëmijëve të moshës parashkollore.
Në kuadër të tij u zhvilluan punëtori tematike, ligjërata dhe trajnime praktike, ku u trajtuan çështje si: mbështetja e fëmijëve me vështirësi në zhvillim, menaxhimi i sëmundjeve kronike jo ngjitëse, siguria në administrimin e terapisë, si dhe promovimi i ushqyerjes së shëndetshme në institucionet parashkollore.
Kongresi bashkoi jo vetëm mjekë dhe infermierë, por edhe drejtorë institucionesh, edukatorë dhe ekspertë të shëndetit publik, duke krijuar një platformë gjithëpërfshirëse profesionale.

Një hap i madh për profesionalizmin në arsimin e hershëm
Sipas Elmadije Marajt, njërës prej organizatoreve nga Ulqini, ky kongres përbën një gur themeli në forcimin e rolit të motrave mjekësore në institucionet parashkollore.
“Interesimi ishte i jashtëzakonshëm dhe pjesëmarrja i tejkaloi pritjet tona. Krijuam një atmosferë bashkëpunimi dhe mësimi të ndërsjellë mes profesionistëve nga Mali i Zi dhe Serbia”, u shpreh ajo.
Maraj theksoi se, pavarësisht mungesës së mbështetjes së jashtme financiare, përkushtimi i stafit lokal bëri të mundur organizimin e një ngjarjeje të nivelit të lartë profesional.
“Ky kongres na ndihmoi të përditësojmë njohuritë mbi kujdesin shëndetësor, ushqyerjen, obezitetin, alergjitë, epilepsinë dhe diabetin te fëmijët”, shtoi ajo.

Ulqini, shembull i bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve
Nga ana tjetër, Jadranka Spasiq, kryetare e Bashkimit të Shoqatave të Motrave Mjekësore të Institucioneve Parashkollore të Serbisë, e vlerësoi këtë aktivitet si fillimin e një bashkëpunimi të ri dhe të qëndrueshëm ndërmjet dy vendeve.
“Kemi mbi 15 vjet bashkëpunim me koleget nga Mali i Zi, por ky ishte kongresi i parë i përbashkët dhe përvoja në Ulqin ishte jashtëzakonisht pozitive”, deklaroi ajo.
Spasiq falënderoi qytetin e Ulqinit për mikpritjen dhe theksoi se pjesëmarrëset u larguan me përvoja të vlefshme profesionale dhe kujtime të bukura.

Rezultatet dhe perspektiva
Kongresi përfundoi me konkluzione të përbashkëta për rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional, rritjen e kompetencave profesionale, si dhe shkëmbimin e eksperiencave të suksesshme në kujdesin ndaj fëmijëve të vegjël.
Ngjarja u vlerësua si një nismë që forcon urat midis Malit të Zi dhe Serbisë, duke hapur rrugën për projekte të tjera të përbashkëta në fushën e shëndetit dhe edukimit parashkollor.
D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat