Guci – Para pak ditësh, shkolla fillore “Xhafer Nikoçeviq” në Guci ka pranuar një donacion me vlerë në kabinete, mjete pune, materiale shkollore dhe lektyra nga institucione arsimore të komunave të Pejës dhe Istogut.
Në ambientet e kësaj shkolle është bërë dorëzimi i këtyre mjeteve në zyrën e drejtorit të shkollës, Luan Kukaj, nga përfaqësuesit e shkollave dhuruese: Nexhmedin Beqiraj, drejtor i shkollës fillore “Trepça” nga Banja e Komunës së Istogut; Xhavit Kastrati, drejtor i Qendrës Burimore për Mësim dhe Këshillim “Xheladin Deda” nga Peja; Kastriot Blakaj, koordinator i shkollës së mesme të artit “Odhise Paskali” nga Peja dhe studiuesi, shkrimtari, gazetari dhe përkthyesi Enver Ulaj nga Vuthajt e Komunës së Gucisë, ish-nxënës i shkollës “Xhafer Nikoçeviq”, i cili tani jeton, vepron dhe punon në Pejë. Ai ishte edhe nismëtar dhe zbatues i këtij aksioni që u zhvillua për dy muaj deri në grumbullimin e materialeve shkollore në vlerë mbi 10 mijë euro, ku bëjnë pjesë mbi 80 pajisje dhe mjete pune në shkollë për 9 kabinete dhe 341 libra.
“Ne si shkollë i jemi bashkëngjitur aksionit të filluar nga Ulaj, me dëshirën që si shkolla nga Kosova të afrohemi me shkollat në komunat me shqiptarë në Mal të Zi, pasi një aksion të tillë kemi zhvilluar edhe vitin e kaluar në shkollën e Dacajve të komunës së Rozhajës, ku kemi dhuruar një fotokopjues dhe një lap-top. Janë këto përkushtime tona që kanë për qëllim të lidhim shkollat dhe mësimdhënësit në komunat tona në Kosovë dhe Malësi”, ka thënë drejtori i shkollës fillore “Trepça”, Nexhmedin Beqiraj. Kjo shkollë ka dhuruar për shkollën në Guci një laborator të kimisë, i përbërë nga 20 pako të vogla me mbi 100 elemente xhami dhe pano të kimisë me ilustrime shqip, për kabinetin e biologjisë nga një mikroskop profesional, skelet të trupit të njeriut me organe dhe dhjetëra pajisje kabineti, vegla për kabinetin e matematikës dhe harta fizike e politike për kabinetin e gjeografisë.
Sipas drejtorit të QBMK “Xheladin Deda”, Xhavit Kastrati, kjo shkollë ka dhuruar mbi 20 libra pedagogjike për punën me fëmijë me nevoja të veçanta arsimore dhe një projektor për nevojat e shkollës, pasi ky institucion është një qendër burimore që ka mision ofrimin e dijes dhe ekspertizës se si punohet me këta fëmijë.
“Ne kemi ftuar drejtorin dhe stafin e shkollës të na vizitojnë në qendrën tonë të trajnimeve në Pejë”, ka thënë Kastrati.
Kurse shkolla e mesme e artit ka dhuruar punime dhe piktura nga nxënësit e shkollës, literaturë profesionale dhe mjete të imta për kabinetin e informatikës dhe edukimit fizik.
Aksionit në fjalë i është bashkuar edhe Lions Klub Istogu, që është marrë me organizimin dhe transportin të gjitha materialeve didaktike, si dhe institucioni parashkollor privat “Hirushja” nga Peja, që për kabinetin e muzikës ka dhuruar një instrument muzikor – fizarmonikë Weltmeister. Për bibliotekën e shkollës po ashtu ka dhuruar lektyra shkollore të autorëve shqiptarë dhe të huaj dhe literaturë pedagogjike për mësimdhënësit, dhuratë nga Enver Ulaj, në total 282 tituj, përkatësisht 341 kopje librash.
Drejtori i shkollës “Xhafer Nikoçeviq”, Luan Kukaj, ka falënderuar mysafirët për dhuratën dhe i ka dhënë një mirënjohje aktivistit Enver Ulaj për donacionin që përmirëson kushtet e punës së shkollës dhe kontribuon ndjeshëm në cilësinë e procesit arsimor-edukativ.
Pas ceremonisë së dorëzimit të donacionit, drejtori i shkollës Luan Kukaj i ka shoqëruar mysafirët në një vizitë të ambienteve të shkollës.
Aksioni është zhvilluar nën moton “Me gjeste të vogla të mbështetjes motivojmë njëri-tjetrin që të punojmë më shumë në misionin tonë si mësimdhënës”.
Sh. Hasangjekaj
