Me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, në ambientet e Gjimnazit Publik “Vëllazërim Bashkim” në Ulqin, të premten (6 mars 2026) është organizuar një aktivitet festiv i veçantë kushtuar figurës dhe misionit të mësuesit. Në këtë aktivitet morën pjesë nxënës, mësimdhënës, prindër dhe mysafirë të shumtë, të cilët së bashku shënuan këtë datë të rëndësishme për arsimin shqip.
Programi artistik u organizua nga Aktivi i Gjuhës Shqipe dhe u përgatit me përkushtim nga nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollës. Përmes recitimeve, interpretimeve letrare dhe pjesëve artistike, nxënësit sollën para publikut një program të larmishëm që shprehte respektin dhe mirënjohjen për mësuesit dhe rolin e tyre në edukimin e brezave të rinj.
Programi artistik u pasurua edhe me disa pika muzikore nga kori i shkollës, të cilat u mirëpritën me duartrokitje nga publiku, si dhe një pikë humoristike që solli momente të këndshme dhe të qeshura.
Një moment i veçantë i aktivitetit ishte edhe shfaqja e një dokumentari të shkurtër, ku protagonistë ishin profesorët e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Përmes këtij materiali u sollën të dhëna mbi historinë dhe rëndësinë e Ditës së Mësuesit, si dhe mbi rolin e gjuhës shqipe dhe kontributin e poetëve shqiptarë në zhvillimin e kulturës dhe identitetit kombëtar.
Profesorët e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe ndanë për ne mendimet e tyre për rëndësinë e kësaj dite dhe për misionin e arsimit.
Profesori Islam Hoti theksoi se 7 Marsi përfaqëson një moment reflektimi për vlerën e shkollës dhe të mësuesit në shoqëri.
“Mësuesi nuk është vetëm bartës i dijes, por edhe frymëzues i brezave të rinj. Përmes arsimit ne formojmë jo vetëm nxënës të mirë, por edhe qytetarë të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm”, u shpreh ai.
Ndërkaq, profesoresha Gresa Katana – Hoxha theksoi rëndësinë e gjuhës dhe letërsisë në formimin kulturor të nxënësve.
“Gjuha shqipe është një nga shtyllat më të forta të identitetit tonë. Përmes letërsisë nxënësit mësojnë të mendojnë, të ndiejnë dhe të kuptojnë më mirë botën që i rrethon”, u shpreh ajo.
Drejtoresha e shkollës, Ardita Kovaçi, falënderoi kolektivin e mësimdhënësve për përkushtimin e tyre gjatë viteve.
“Mësuesi është shtylla kryesore e çdo shoqërie. Çdo sukses i nxënësve është pasqyrë e punës së palodhur të mësuesve dhe dëshmi e rëndësisë së këtij profesioni fisnik”, u shpreh ajo.
Mes recitimeve, muzikës dhe dokumentarit, nxënësit dhe stafi u bashkuan për të shprehur mirënjohje, duke rikujtuar se çdo hap drejt dijes është një investim në të ardhmen dhe se kultura dhe gjuha shqipe mbeten gurthemeli i identitetit tonë kombëtar.
D. Teliqi
