Afro 200 nxënës festuan fundin e një kapitulli të rëndësishëm

Veshur me elegancë dhe stil, maturantët i dhanë qytetit një ngjyrë rinore e festive që rrallë shihet, duke dëshmuar se të rinjtë janë pasuria më e çmuar e shoqërisë. Kjo mbrëmje pasqyroi një kapitull të bukur të përfunduar dhe një hap të ri drejt ëndrrave dhe sfidave të së ardhmes

Ulqin – Maturantët e gjimnazit publik “Vëllazërim-Bashkim” në Ulqin kremtuan me emocione dhe shkëlqim mbrëmjen e tyre të maturës, duke e kthyer këtë ditë në një përvojë që do ta mbajnë mend gjatë gjithë jetës.
Afro 200 nxënës nga 12 paralele defiluan të mërkurën (11 qershor 2025) në mënyrë tradicionale në Ranë, nën duartrokitjet dhe sytë krenarë të familjarëve, miqve dhe qytetarëve të shumtë që ishin mbledhur për t’i përshëndetur dhe për t’u uruar rrugëtim të mbarë.
Veshur me elegancë dhe stil, maturantët i dhanë qytetit një ngjyrë rinore e festive që rrallë shihet, duke dëshmuar se të rinjtë janë pasuria më e çmuar e shoqërisë.
Pas defilesë madhështore, festa u zhvendos në ambientet e restorantit “Primavera”, ku u mbajt një mbrëmje e organizuar me dashuri dhe përkushtim, plot valle, buzëqeshje dhe emocione të sinqerta. Këtu, mbrëmja mori një dimension edhe më të personalizuar, ku përveç argëtimit të pandërprerë, u dëgjuan edhe fjalimet prekëse që pasqyruan sfidat dhe sukseset e kësaj gjenerate.
Drejtoresha e gjimnazit, Ardita Kokaj – Kovaçi, mbajti një fjalim frymëzues, duke falënderuar nxënësit për përkushtimin e tyre gjatë viteve të shkollës dhe duke u dhënë atyre një mesazh shprese dhe motivimi për të ardhmen.
“Ju jeni brezi që do të ndërtoni të nesërmen e këtij qyteti dhe vendi. Mos harroni asnjëherë se edukimi është çelësi i çdo suksesi dhe unë besoj fuqishëm në potencialin tuaj. Jeni të gatshëm për sfidat që ju presin dhe kurrë mos e humbni besimin tek vetja”, është shprehur ajo.
Nxënës të ndryshëm gjithashtu ndanë me të pranishmit përvojat dhe ndjenjat e tyre.
“Në këto vite kemi mësuar shumë, jo vetëm nga librat, por edhe nga jeta dhe shoqëria që na rrethon. Ky është momenti që të themi ‘faleminderit’ për çdo moment të bukur dhe sfidë që na bëri më të fortë”, tha një maturante.
Atmosfera u mbush me hare dhe emocion ndërsa u dhanë dhurata simbolike dhe u krijuan kujtime të reja, duke shënuar kështu një përfundim dinjitoz të një periudhe të rëndësishme shkollore.
Kjo mbrëmje pasqyroi një kapitull të bukur të përfunduar dhe një hap të ri drejt ëndrrave dhe sfidave të së ardhmes.

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat