Ulqin – Pas Prishtinës, kompleti i veprave të poetit, studiuesit të letërsisë dhe profesorit universitar Basri Çapriqi është përuruar të shtunën (20 janar 2023) në vendlindjen e tij në Ulqin, në Galerinë e Qendrës së Kulturës së këtij qyteti, të mbushur plot me miq dhe adhurues të veprës së tij dhe të letërsisë e kulturës në përgjithësi.
Përurimi është organizuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” dhe PEN Qendra e Kosovës, e cila e ka botuar kompletin e veprave, në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Kosovës.
Në fjalën e tij, kryetari i SHAI “Art Club”, Ismet Kallaba, ka treguar se kompleti përbëhet nga katër vëllime, ku përfshihen poezia, studimi letrar, eseistika dhe publicistika.
“Përurimi i veprës komplete në Ulqin krijon një ndjenjë pak më ndryshe, ndoshta pikërisht sepse poezia ka filluar të shkruhet këtu. Por gjithashtu edhe sepse është e mbushur me shumë imazhe nga ky vend, qoftë Ana e Malit dhe bimësia mediterane në poezitë më të hershme, apo edhe deti që e karakterizon poezinë më të vonshme. Gjatë leximit, në një mënyrë, transportohesh në këtë vend me imazhet mendore”, ka thënë Bulza Çapriqi
Ai ka folur për aktivitetet kushtuar Çapriqit pas vdekjes së tij, të realizuara nga “Art Club”-i dhe PEN Qendra e Kosovës, dy asociacione kulturore për të cilat Çapriqi ishte i lidhur shpirtërisht, si dhe ka thënë se me këtë përurim përkujtohet Basri Çapriqi në 6-vjetorin e vdekjes së tij.
Kryetari i PEN Qendrës së Kosovës, shkrimtari Binak Kelmendi, ka thënë se Çapriqi do të jetë gjatë në zemrat tona, ndërsa vepra e tij beson dhe shpreson se do të ketë jetë të gjatë letrare.
Ai e ka cilësuar botimin e kompletit të veprave të Çapriqit një projekt mjaft të madh dhe të rëndësishëm, për ç’gjë ka falënderuar redaksinë e botimit të përbërë nga kolegët e Çapriqit.
Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Mal të Zi, Ariana Zherka – Hoxha ka thënë se Basri Çapriqi, apo siç e quanin poeti i detit, paraqet një figurë të rëndësishme në skenën kulturore dhe intelektuale në të gjithë hapësirën shqiptare dhe është shembull i lidhjeve të forta dhe komplementare mes shqiptarëve të Malit të Zi dhe Kosovës.
“Krijimtaria e tij e pasur në letërsi ka sjellë një kontribut të vyer në letërsi, kritikën letrare dhe në rolin e tij si pedagog i letërsisë. Prandaj në këtë mbrëmje bashkohemi për të vlerësuar krijimtarinë e tij si krijues dhe për të shprehur respektin tonë ndaj kontributit të tij në pasurimin e dijes dhe të shprehjes artistike”, ka theksuar ajo.
Redaktori i kompletit të veprave, Prof. dr. Sali Bashota, i cili ka shkruar parathënien për vëllimin e tretë që përfshin monografinë letrare “Simboli dhe rivalët e tij”, ka thënë se kemi të bëjmë me një botim që do t’i gjejë lexuesit e vet, do ta kthejë poetin në vendin e vet në Ulqin dhe do ta nderojë poetin në Shqipërinë letrare, Kosovën letrare dhe krejt arealin gjuhësor shqiptar.
“Basriu si poet dhe si esesist, si publicist, si kritik, në secilën vepër i ka lënë shenjat e veta, shenjat e veta të veçanta”, ka pohuar ai.
Profesori Ibrahim Berisha, i cili është marrë me vëllimin e katërt, që përfshin publicistikën dhe eseistikën, ka thënë se megjithëse ajo që njihet dhe peshon më shumë në krijimtarinë e Basri Çapriqit janë poezia dhe studimet, pjesa e publicistikës dhe eseistikës po kështu është shumë e veçantë.
“Botimi i këtij kompleti e lehtëson punën e studiuesve për një qasje shkencore ndaj gjithë veprës së tij letrare-studimore, shumë të rëndësishme për njohjen e jetës dhe veprës së tij letrare, veprave të tij të veçanta, poetikës, angazhimit intelektual dhe çështjeve të hapura në letërsinë dhe kulturën shqiptare”, është shprehur kritiku dhe përkthyesi Qazim Muja
“Atë e bën të veçantë vetë mënyra e trajtimit të temave thelbësore që kanë pasur të bëjnë me një periudhë shumë të rëndësishme të gjithë shqiptarëve, në të gjitha pjesët e saj”, ka thënë ai, duke vijuar se Çapriqi “kishte një preokupim thelbësor se si të funksionalizohej hapësira shqiptare në të gjithë segmentet e saj – arsimor, kulturor, politik, ekonomik etj.”.
Profesori Osman Gashi ka thënë se vepra letrare e Basri Çapriqit, por edhe vepra studimore dhe publicistike janë një thesar i çmueshëm dhe i pashmangshëm në të gjithë arealin kulturor shqiptar.
Ai ka folur për vëllimin e dytë, që përfshin librin studimor “Mikrostruktura e tekstit” dhe pjesën ku trajtohet deti në letërsinë e sotme shqipe.
“Libri ‘Mikrostruktura e tekstit’ është vepra e parë diskursive e Basri Çapriqit e botuar në edicionin e Rilindjes, më 1990. Vepra trajton në mënyrë krejtësisht të veçantë poezinë e sotme shqipe, sidomos atë të gjysmës së dytë të shekullit XX. Mund ta konsiderojmë si një monografi të fokusuar, në radhë të parë, në krijimtarinë poetike të një domeni specifik që studiuesit e kanë emërtuar si poezi e sferës së mbyllur subjektive e që më pas është emërtuar edhe si poezi e komunikativitetit të ulët, poezi e kulluar apo poezi hermetike”, ka theksuar Gashi.
Për vlerat dhe rëndësinë e botimit të kompletit të veprave të Basri Çapriqit ka folur kritiku Qazim Muja, i cili po ashtu e ka përkthyer poezinë e Çapriqit në gjuhën malazeze dhe promovuar atë në botime të posaçme, antologji dhe revista të ndryshme që botohen në hapësirat e ish-Jugosllavisë.
Ai ka thënë se krijimtaria letrare e gjithmbarshme e Basri Çapriqit, tanimë e përmbledhur brenda katër vëllimeve nga PEN Qendra e Kosovës, meriton një qasje serioze shkencore letrare-historike, letrare-teorike dhe letrare-kritike, kërkon një qasje serioze shkencore nga shumë aspekte.
“Andaj dhe botimi i këtij kompleti e lehtëson punën e studiuesve për një qasje shkencore ndaj gjithë veprës së tij letrare-studimore, shumë të rëndësishme për njohjen e jetës dhe veprës së tij letrare, veprave të tij të veçanta, poetikës, angazhimit intelektual dhe çështjeve të hapura në letërsinë dhe kulturën shqiptare. Vepra e Çapriqit është një arkë me një thesar të shumëçmuar”, është shprehur Muja.
Në emër të familjes së autorit, të pranishmëve u është drejtuar vajza e tij, Bulza Çapriqi, e cila ka thënë se përurimi i veprës komplete të Basri Çapriqit në Ulqin, për dallim nga përurimi në Prishtinë, krijon një ndjenjë pak më ndryshe, ndoshta pikërisht sepse poezia ka filluar të shkruhet këtu.
“Por gjithashtu edhe sepse është e mbushur me shumë imazhe nga ky vend, qoftë Ana e Malit dhe bimësia mediterane në poezitë më të hershme, apo edhe deti që e karakterizon poezinë më të vonshme. Gjatë leximit, në një mënyrë, transportohesh në këtë vend me imazhet mendore”, ka thënë ajo.
Vargje nga krijimtaria letrare e Çapriqit ka lexuar Liriona Mehmeti, nxënëse e vitit të tretë në Shkollën e Mesme në Ulqin, kurse poeti Ibrahim Berjashi ka lexuar një poezi kushtuar Çapriqit, shkruar me rastin e dyvjetorit të vdekjes së tij.
Me këtë rast, PEN Qendra e Kosovës i ka dhuruar kompletin e veprave të Basri Çapriqit ambasadores së Republikës së Kosovës në Mal të Zi, Ariana Zherka – Hoxha, shkrimtarit Ibrahim Berjashi, kryetar i parë i Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, si dhe shkrimtarit Asllan Bisha.
Botimi i kompletit të veprave të Basri Çapriqit është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës.i. k.
