Tuz – “Trashëgimia kulturore në të gjitha trevat shqiptare në Mal të Zi, vazhdon të jetë e rrezikuar dhe e pambrojtur në masën e duhur, dhe si e tillë kërkon vëmëndje dhe angazhim institucional në mënyrë që ajo të valorizohet, të ruhet dhe të kultivohet tek brezi pasardhës”, ky është konkluzioni i panelistëve të ftuar në tryezën e rrumbullakët mbi temën “Trashëgimia kulturore e Malësisë, ruajtja dhe zhvillimi i folklorit”, të cilën e organizoi SHKA “Koha” nga Dinosha në kuadër të manifestimit “Malësia fest 2021”, kushtuar festës së 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit Kombëtar.
Në fillim të këtij panel diskutimi, të pranishmit i përshëndeti Samir Beqaj- sekretar i shoqatës në fjalë, i cili tha se përmes përzgjedhjes së kësaj tematike synojnë që të tërheqin vëmendjen e institucioneve kompetente që të kthejnë kokën drejt njerëzve që po ruajnë dhe kultivojnë vlerat folklorike autoktone në këto treva.
“Në çdo shtet të civilizuar trashëgimia kulturore promovohet, ruhet dhe mbrohet nga rreziku i vazhdueshëm i zhdukjes, si nga institucionet shtetërore, por edhe nga organizatat e ndryshme ndërkombëtare siç është UNESCO. Mbështetur në këtë fakt, këtë detyrim ligjor e ka edhe Mali i Zi si shtet multinacional i cili patjetër duhet të fokusohet në evidentimin dhe diskutimin e problematikave nga të cilat vuan edhe trashëgimia kulturore shqiptare”, u shpreh Beqaj.

Ai për këtë gjendje fajësoi shtetin, e më pas vetëdijen e njerëzve i cili sipas tij mungon në këtë drejtim, duke shpresuar që Komuna e Tuzit do të bëjë diçka në këtë aspekt.
Ndërkaq, sekretarja e Sekretariatit për Vetëqeverisje Lokale në Komunën e Tuzit, Marina Ujkaj, përgëzoi organizatorin për këtë aktivitet kulturor përmes të cilit, siç u shpreh ajo, SHKA “Koha” shpalos nevojën e hapjes së dialogut për sfidat që has trashëgimia kulturore në Malësi, qoftë ajo materiale apo shpirtërore.
“Ne si sekretariat jemi shumë të interesuar mbi këto tematika. SHKA-të në Malësi për vite dhe dekada kanë ruajtur, kultivuar dhe zhvilluar folklorin vendas, duke na nderuar me organizime dhe pjesëmarrje nëpër aktivitete të ndryshme në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare”, u shpreh ndër të tjera znj. Ujkaj, e cila u zotua se do të veprojë në mënyrë institucionale në mbështetje dhe promovim të kulturës në Malësi.
Një vështrim të detajur në lidhje me zanafillën e folklorit dhe të trashëgimisë kulturore shqiptare në Mal të Zi, mbi themelimin e shoqatave të para kulturore-artistike në vend, dhe mbi krijimtarinë e pasur artistike të trevës së Malësisë, e shpalosi, fyelltari, koreografi dhe etnologu i njohur, Shtjefën Ujkaj, njëherazi autor i librit “Vallet dhe lojërat e Malësisë”, përmes kumtesës “Instrumentet muzikore si pjesë e trashëgimisë kulturore, veshja tradicionale dhe folklori i Malësisë”.
Z. Ujkaj, nga ky panel diskutimi tha se zona e Malësisë, përkatësisht shoqëritë kulturore e artistike në vend, janë përfaqësuesit më dinjitozë të vendit, ngado që ata performojnë brenda dhe jashtë vendit, dhe sipas tij, kjo trevë ka një pasuri të jashtëzakonshme kulturore të këngëve dhe valleve folklorike. Z. Ujkaj apeloi që ky thesar i çmuar kulturor duhet të mbrohet përmes kanaleve institucionale, që ai t’i mbijetojë kohës së sotme të tekonologjisë digjitale, gjithnjë në zhvillim.
“Kjo rrëmujë tekno-urbane e rrezikon ekzistencën e folklorit burimor autentik”, tha Ujkaj.
Nga ana tjetër, mbi etnokulturën dhe veshjen tradicionale të Malësisë së Madhe foli znj. Rita Shkurtaj, kryetare e SHKA “Xhubleta e Alpeve Shqiptare”. Znj. Shkurtaj, tha se iniciativa dhe organizime të tilla janë të nevojshme dhe të domosdoshme, në mënyrë që kjo kulturë të ruhet, kultivohet e të trashëgohet tek brezat e rinj.
Ndërkaq, një vështrim mbi të drejtat e arritura të përdorimit të flamurit kombëtar shqiptar si simbol dhe pjesë e trashëgimisë kombëtare nëpër institucione dhe manifestime kulturore në Mal të Zi, e shpalosi, kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, z. Faik Nika.
Z. Nika tha se kërkesa mbi përdorimin e lirë të simboleve kombëtare ka qenë një kërkesë e kahmotshme e të gjitha strukturave politike shqiptare në Mal të Zi, një e drejtë e cila u arrit të realizohet vitin e kaluar.
“Ne asnjëherë nuk kemi kërkuar më tepër sesa të tregojmë se kush jemi, përmes simboleve tona kombëtare. Kjo e drejtë neve na është mohuar me shekuj, mirëpo në fund si gjithnjë e vërteta triumfon, dhe ne tani përdorim të lira simbolet tona kombëtare”, u shpreh Nika. Sipas tij, miratimi i Ligjit mbi përdorimin e lirë të simboleve kombëtare ka rëndësi të madhe, sepse siç tha, përpjekjet e vazhdueshme për ta ndaluar këtë, kanë tentuar që shqiptarët një ditë ta harrojnë identitetin e tyre, mundësisht t’i braktisin këto simbole dhe të asimilohen në kombe të tjera shumicë.
Nika u zotua se edhe në vazhdim të veprimtarisë së institucionit që përfaqëson, do të angazhohet në arritjen e të drejtave të shqiptarëve në Malin e Zi.
Kjo tryezë e rrumbullakët u mbështet nga Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave në Mal të Zi.
Kujtojmë që SHKA “Koha” nga Dinosha është njëra ndër shoqatat më të vjetra kulturore-artistike në Malësi, e cila vitin që vjen do të kremtojë 45 vjetorin e saj të themelimit.
t. u.
