Anatemimi, heshtja dhe harresa e shumë krijuesve letrarë e shkencorë

Që në fillim, me të lexuar titullin e librit, dikush nga lexuesit mund të shtrojë pyetjen: pse kjo pjesëz mohuese, në kllapa, në mes të titullit!? Mendoj se përgjigjja nuk është edhe aq e vështirë. Në periudhën e sistemit komunist është heshtur çdo gjë, sado përparimtare të ketë qenë, që nuk u ka pëlqyer atyre që kanë vendosur për fatin, madje edhe për jetën e njerëzve dhe për çdo gjë tjetër. Fatkeqësisht edhe në kohën e sotme, që e quajmë demokratike, vlen pothuajse e njëjta gjë, por në formë tjetër. Shyqyr që nuk guxojnë të vrasin e të presin siç kanë guxuar paraardhësit e tyre se nuk e di nëse do të ishin më të buta veprimet e tyre

(Nikollë Berishaj, Gjurmë që (nuk) heshten, Art Club, Ulqin, 2021)

Fran Camaj

E kam vështirë të flas për librin “Gjurmë që (nuk) heshten” të Nikollë Berishajt pas leximit të recensionit të shkrimtarit të njohur shqiptar, profesorit universitar, z. Agron Tufës, i cili këtë vepër e quan “Një guidë kulturologjike” dhe e vlerëson aq lart, saqë as vetë autori besoj se nuk e ka pritur, jo se ky libër nuk e meriton një vlerësim të tillë, por për faktin se deri tani nuk kemi parë t’i jetë bërë një recension me kaq vlerësime pozitive ndonjë vepre letrare, apo vepre tjetër, të autorëve tanë vendës. Sidoqoftë, në fillim dua të theksoj se Nikolla na ka dhuruar një përmbledhje me vlerë punimesh shkencore, letrare, gjuhësore e gazetareske, kryesisht të botuara më parë në gazeta e revista dhe në kohë të ndryshme, ose edhe të pabotuara ende. Ky është libri i parë i Nikollës i këtij lloji, që u bashkohet shumë veprave tjera të tij, duke filluar prej fjalorit, me sa e di unë, i pari sllovenisht-shqip dhe anasjelltas shqip-sllovenisht, veprave letrare në prozë e poezi, për të vazhduar me shumë përkthime në gjuhët sllave nga gjuha shqipe dhe anasjelltas nga gjuhët sllave në gjuhën shqipe të veprave të autorëve të njohur shqiptarë e sllavë si: Ismail Kadare, Ridvan Dibra, Tonin Çobani, Ballsha Brkoviq, e në veçanti në gjuhën sllovene të veprave të autorëve shqiptarë, por shumë më shumë të veprave të autorëve të njohur sllovenë në gjuhën shqipe. Po përmend vetëm disa prej tyre: Boris Pahor, Drago Jançar, Milan Dekleva, Milan Jazbec, Slavko Pregl e shumë të tjerë. Vlen të përmenden edhe shumë libra universitarë të përkthyer nga sllovenishtja e kroatishtja në gjuhën shqipe për nevojat e universiteteve të Kosovës.
Kur është fjala për librin “Gjurmë që (nuk) heshten” mund të them se që në fillim, me të lexuar titullin e librit, dikush nga lexuesit mund të shtrojë pyetjen: pse kjo pjesëz mohuese, në kllapa, në mes të titullit!? Mendoj se përgjigjja nuk është edhe aq e vështirë. Në periudhën e sistemit komunist është heshtur çdo gjë, sado përparimtare të ketë qenë, që nuk u ka pëlqyer atyre që kanë vendosur për fatin, madje edhe për jetën e njerëzve dhe për çdo gjë tjetër. Fatkeqësisht edhe në kohën e sotme, që e quajmë demokratike, vlen pothuajse e njëjta gjë, por në formë tjetër. Shyqyr që nuk guxojnë të vrasin e të presin siç kanë guxuar paraardhësit e tyre se nuk e di nëse do të ishin më të buta veprimet e tyre.
Pra, gjurmët e krimeve të panumërta, që janë bërë ndaj njerëzve dhe popullit tonë nuk mund të fshehën as të heshtën, edhe pse përpjekjet për t’u shlyer e heshtur çdo gjë që nuk u shkon për shtat atyre, kanë qenë dhe janë të mëdha. A nuk është për vite me radhë kontributi i madh që i kanë dhënë Patër Anton Harapi çështjes kombëtare shqiptare dhe Kardinali Alojze Stepinac asaj kroate e që fati tragjik i të dyve është i ngjashëm, por megjithatë edhe i ndryshëm, falë kulturës dhe traditës demokratike shumë të ndryshme të njërit dhe të popullit tjetër? Me këtë paralele, gjegjësisht me të përbashkëtat dhe dallimet e fatit tragjik të këtyre dy viganëve të atdhetarizmit, të kulturës dhe të letërsisë së dy popujve të njohur të Ballkanit fatkeq e fillon veprën Nikollë Berishaj (studimi me titullin “Dy figura të mëdha të anatemuara nga sistemi(et) komunist(e) në Ballkan”). E përbashkëta e këtyre dy figurave markante të dy popujve është fakti se të dy ishin predikues të devotshëm të besimit që i takonin, por çdoherë duke iu përmbajtur binomit të njohur fishtian “Për fe e atdhe”. Të dy armikun më të madh të kombit të vet, por edhe të njerëzimit në përgjithësi, e shihnin te sistemi komunist, që po instalohej në të dy vendet e tyre, andaj ishin të gatshëm edhe të vdisnin në interes të së ardhmes së vendeve dhe popujve të tyre. Fati tragjik i tyre është i njëjtë, por edhe i ndryshëm. Të dy u dënuan nga gjyqet komuniste të dy vendeve, por e ndryshme është vdekja e Patër Anton Harapit, i cili u pushkatua vetëm disa ditë pas dënimit me vdekje, kurse Kardinali kroat vuajti dënimin shumëvjeçar, por vdiq disa vite më vonë. E keqja më e madhe është fakti se edhe pas shembjes së sistemit komunist, figura e Anton Harapit anatemohet nga regjimi gjoja demokratik shqiptar, por kjo nuk mund të thuhet për kardinalin kroat. Para varrit të tij përkulen çdo ditë bashkatdhetarët e tij si para një shenjti të vërtetë, madje edhe udhëheqësit më të lartë të shtetit, gjë që nuk mund të thuhet për Anton Harapin, njërin ndër personalitetet më të shquara të kombit. Madje për çudi anatemohet figura e këtij patrioti të madh edhe nga autoritetet kishtare. A nuk e vërteton këtë fakti se Patër Anton Harapi, si edhe disa figura tjera të njohura kishtare të pushkatuara nga regjimi komunist në Shqipëri, nuk gjetën vend në mesin e martirëve kishtarë të shpallur nga Vatikani?! Në të gjitha këto pyetje përgjigjen mund ta gjeni duke e lexuar me kujdes këtë studim me titull “Dy figura të mëdha të anatemuara nga sistemi(et) komunist(e) në Ballkan”.
Ndoshta fakti që Patër Anton Harapi ka shërbyer si meshtar rreth tre vjet në fshatin Priftën, vendlindja e autorit të këtij libri dhe e personazhit kryesor të kryeveprës së Anton Harapit ”Andrra e Prëtashit”, e ka nxitur edhe më shumë Nikollë Berishajn, stërnip i kryepersonazhit të kësaj vepre, Prëtash Cuka, që t’i kthehet sërish veprës së Anton Harapit, për të cilin toleranca fetare ka qenë e një rëndësie parësore, njësoj si edhe atdhedashuria. Këtë me të drejtë e potencon Berishaj në vështrimin “Toleranca fetare në veprën e Atë Anton Harapit”.
“Shpirti i shqiptarit, me gjithë besimet e ndryshme, e ndien fuqishëm se i njâjti Zot i vërtetë âsht Zoti i muhamedanëve, Zoti i ortodoksëve e Zoti i katolikëve. E pra, nëse ne jemi të bijtë e Zotit, ne jemi vëllazën, mbetet që si vëllazën të nderojmë reciprokisht bindjet fetare të njëni-tjetrit”.
Kjo thënie tregon se për Harapin lufta për harmoninë fetare është detyrim për të gjithë shqiptarët, aq sa edhe lufta për atdhetarizëm, sepse nuk ka fe pa atdhe, as atdhe pa fe. Këtu qëndron edhe esenca e binomit fishtian “Për fe e atdhe”, që i ka frymëzuar aq shumë françeskanët e asaj kohe, por edhe shumë të tjerë. Këtu qëndron edhe arsyeja pse Berishaj në studimet e veta i kthehet dy herë veprimtarisë patriotike të atdhedashësit të madh Anton Harapit.
Në pjesën e parë të librit Nikollë Berishaj dëshiron të theksojë padrejtësinë që u është bërë shumë krijuesve letrarë e shkencorë, duke i lënë në harresë ose duke i heshtur e anatemuar, jo vetëm në sistemin komunist, por edhe në kohën e sotme. Përveç Patër Anton Harapit, për të cilin fola më parë, në grupin e të harruarve bëjnë pjesë edhe bashkëpunëtori shumëvjeçar i Fan Nolit, Athanas Gega, pastaj gazetari e politikani Nikollë Ivanaj dhe vëllezërit e tij, të gjithë nga Trieshi i kësaj pjese të Malësisë së Madhe. Në studimin “Heshtja e Athanasit” jep arsyet pse është heshtur ky intelektual i njohur dhe këtë e lidh me aktivitetin e tij sindikal asokohe e në veçanti me qëndrimin e tij publik kundër pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste në vitin 1939. Është heshtur edhe figura shumë interesante, i harruar, por i njohur për kontributin e dhënë studimit të gjuhës shqipe, sidomos në hartimin e “gjuhës zyrtare shqipe” nga Komisia Letrare e Shkodrës (1916-1918).
Askund tjetër nuk kam lexuar diçka për albanologun e njohur e të heshtur slloven, prof. dr. Rajko Nachtigal, kontributin e të cilit e qet në dritë Nikollë Berishaj me studimin “Elbasanishtja si themel i duhur për gjuhën e njënjëshme letrare shqipe”.
“Antivlerat dhe pseudovlerat” është një studim tjetër mjaft interesant i autorit. Berishaj citon njohësen dhe miken e madhe të shqiptarëve, në veçanti të malësorëve, zonjën Edit Durham, e cila jep definicionin më të mirë për Ballkanin: “Ballkani është perandori e një perandori. Sa bie perandori, bie edhe perandoria”.
Autori i librit është i njohur si përkthyes nga disa dhe në disa gjuhë dhe pikërisht për këtë një kujdes të veçantë i kushton teknikës dhe rëndësisë së përkthimit, duke konstatuar se përkthyesit nga të ashtuquajturat gjuhë “të mëdha” kanë përparësi ndaj atyre të “vogla” edhe përkundër faktit se popuj të vegjël kanë dhënë edhe emra shumë të mëdhenj. Sigurisht se përkthyesi duhet të njohë mirë të dy gjuhët nga e cila dhe në të cilën përkthen, por vetëm kjo nuk mjafton. Po të ishte kështu numri i përkthyesve do të ishte tepër i madh, konstaton autori në studimin “Përkthimi nga/në gjuhët e ‘vogla’ – sfida dhe probleme të mëdha”, për të cilin përkthimi mund të jetë vetëm dashuri.
Duke shfletuar faqet e këtij libri hasim edhe disa vështrime mbi krijuesit letrarë e artistikë, në të cilat vërehet lehtë se autori është njohës i mirë i kritikës letrare dhe i artit, por po aq edhe i shkrimit të portreteve të figurave të shquara. Ai na paraqitet si njohës i mirë edhe i situatës politike në vend edhe pse asnjëherë nuk ka qenë pjesë aktive e saj. Më së miri këtë mund ta vërejmë në artikullin “Viti i mbrapshtë 1989”, të cilin e vlerëson atëherë si “Viti më i zymtë dhe më i ndritshëm njëkohësisht në historinë pesëdhjetëvjeçare të Kosovës”.
Për të mos e zgjatur më shumë, në fund dua të ceki se gjuha dhe stili që e përdor autori në këtë libër vërtetojnë se ai është njohës shumë i mirë i gjuhës dhe i drejtshkrimit edhe pse atë zyrtarisht nuk e ka profesion. Gjuha që përdor është e rrjedhshme dhe e pasur, ndërsa stili i qartë dhe i kuptueshëm për çdo kategori lexuesish.
(Vështrimi është lexuar në përurimin e librit në Panairin e Librit në Tuz, më 19 gusht 2021)

Të fundit

më të lexuarat