
Në aspektin e shtetit juridik mund të vërehen antonimi të shumta në tranzicionin aktual të shoqërisë sonë. Kështu, edhe pse është bërë instalimi formal juridik i institucioneve juridiko-shtetërore të modelit liberal, përmbajtjen e tyre edhe për një kohë të gjatë do ta karakterizojë funksionimi këmbëngulës i institucioneve të shtetit partiak si antitezë e shtetit juridik.
Në Mal të Zi politika ishte dhe mbeti mbi ligjin, pra ligji parimisht u reduktua dhe po reduktohet në shërbëtoren e politikës aktuale ditore. Një nga parimet e rëndësishme të shtetit juridik është universalizmi. Kjo do të thotë se normat juridike duhet të jenë universalisht të zbatueshme dhe të barabarta për të gjithë. Sundimi i ligjit është një ide emancipuese e barazisë së përgjithshme juridike, sigurisë dhe e parashikueshmerisë. Ajo bazohet në idenë se rregullat juridike, për sa kohë që janë të vlefshme, kanë fuqi të barabartë detyruese si për pushtetarët ashtu dhe për të sunduarit. Thelbi i së drejtës nga ana morale dhe praktike, respektivisht parimet juridike janë: të jetosh me ndershmëri, të mos ofendosh të tjerët dhe t’i japësh secilit atë që i takon.
Në shtetin juridik, përbërësi më thelbësor është arsyeshmëria, ratio, si dhe kërkesa e ligjit duhet ta ketë parasysh idenë e drejtësisë dhe së drejtës, sepse ajo është baza e gjithë qeverisjes së mirë. Megjithatë, në Mal të Zi, si vend në tranzicion, shikuar në përgjithësi, shteti juridik, respektivisht pushteti ligjor, është më tepër një ideal, realizimi i të cilit duhet synuar të bëhet gradualisht, sesa që është një realitet i prekshëm, më shumë ka të bëjë me një teori sesa me praktikë, si dhe më shumë është një ide sesa institucion funksional dhe efikas.
Shteti juridik, në të vërtetë, nuk është i mundur në këtë rajon në formën e tij “të pastër”. Megjithatë, ai pak a shumë mund të zbatohet, andaj shtrohet pyetja se në të cilën pikë, çast apo moment bëhet de facto juridik. Duhet të ketë një parametër minimal që pasqyron modelin e shtetit juridik, apo të shtetit ligjor, që më poshtë nuk do të guxohej të shkohej. Përkundrazi, do të ishte vetëm një hapësirë për të manipuluar me këtë ide.
Në Mal të Zi janë të përhapura dukuritë e diskriminimit, gjuhës së urrejtjes dhe fyerjeve, jotolerancës, tensioneve politike dhe kërcënimeve në baza nacionale, fetare dhe politike. Po ashtu janë të pranishme dhe dukuritë e nacionalizmit, shovinizmit, klerikalizmit, ekstremizmit, të cilat manifestohen në mënyra të ndryshme, por më të rrezikshme janë atëherë kur dukuritë e lartpërmendura hyjnë në institucionet e sistemit juridiko-politik.
Në filozofinë politike, për bartësit e dukurive e tendencave të lartpërmendura thuhet se janë njerëz prej ”materialit të dobët”, kurse në mjekësi thuhet se janë persona me probleme “nevralgjike”. Në Mal të Zi problemi qëndron në ekzistencën e një kulture dhe vetëdijeje me elemente anakrone nga mesjeta, të politikës autoritare, dogmatike dhe populiste. Ndërsa Malit të Zi si kandidat për integrimin në Bashkësinë Evropiane i duhet zhvillimi i një kulture bashkëkohore moderne demokratike me vlera të Evropës Perëndimore.
Një nga çështjet e rëndësishme për të ardhmen e Malit të Zi si shtet i pavarur dhe sovran është afirmimi i multikulturalizmit, interkulturalizmit dhe tolerancës multietnike. Mali i Zi si shoqëri multietnike dhe multikulturore është një realitet. Shprehja e këtij realiteti është multikulturalizmi si një politikë kulturore që synon në radhë të parë bashkëjetesën e barabartë të kulturave. Prandaj, detyra e shtetit është të përcaktojë një strategji kombëtare (shtetërore) për afirmimin e multikulturalizmit dhe ndërkulturalizmit, si dhe mbrojtjes së të drejtave të pakicave etnonacionale dhe masat për zbatimin e tyre, dhe ato, eurokompatibile, në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Për sendërtimin konsekuent të të drejtave të pakicave kombëtare, krahas sigurimit të bazës normative, është e domosdoshme të krijohen supozimet institucionale dhe kadrovike cilësore, respektivisht të sigurimit të ekspertëve të shquar në përfaqësimin politik të pakicave kombëtare në institucionet e sistemit juridiko-politik, për çka tani jemi në deficit.
Në teorinë politike partitë nacionale paraqesin një institut demokratik në artikulimin e interesave kombëtare. Mirëpo, shtrohet pyetja: partitë nacionale a i përfaqësojnë interesat nacionale gjithherë në mënyrë konsekuente, dhe nëse i realizojnë, në çfarë mase atë e bëjnë, apo vetëm vetëmashtrojnë se e bëjnë atë, derisa në të vërtetë sendërtojnë interesat e veta të veçanta, respektivisht të udhëheqësive të tyre, dhe atë jo rrallë në dëm të popullit të cilin e përfaqësojnë apo do të duhej ta përfaqësojnë? Më së keqi është atëherë kur përfaqësuesit politikë të popujve pakicë bëhen vetëm transmetues i thjeshtë politik i shumicës parlamentare, ashtu që interesat e popujve pakicë lihen pas dore dhe nuk sendërtohen.
Mali i Zi po përballet me një krizë të politikës së kuadrit, si dhe me nacionalizmin serb. Ish-kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi, Dragan Vukçeviq, thotë se padija është problemi më i madh sot në Mal të Zi. Mbi të gjitha, në skenën politike dominon amatorizmi politik, repektivist kuadri politikisht i paaftë dhe i papërgjegjshëm. Dihet se përparimi shtetëror dhe shoqëror nuk mund të bëhet me politikanë dhe intelektual ”llomotitës”, siç shprehej Zhan – Paul Sartri.
Ish-ministrja kroate e Punëve të Jashtme dhe profesoresha universitare Vesna Pushiq, thotë: “Sot, skena politike në Ballkan është e dominuar me politikanë që nuk dinë asgjë për politikë, por ata mosdija politike nuk i shqetëson”. Ndërsa, Presidentja e Maqedonisë së Veriut dhe profesoresha universitare Gordana Silanovska – Davkova, thotë: “Sot politikanët ballkanikë janë personazhe karikaturiste”.
Sot, në shekullin e 21-të, në shekullin e revolucionit shkencor dhe teknologjik, kur nga Perëndimi deri në Lindje janë rreth 100 disiplina të shkencave politike, në Mal të Zi, për fat të keq, me politikë merren kuadro pa kurrfarë arsimimi politik, respektivisht njerëz të papërgatitur për politikë në pikëpamje profesionale, si në kohën parahistorike. Natyrisht, amatorët politikë janë shumë të dëmshëm e të rrezikshëm për zhvillimin dhe prosperitetin e shtetit dhe shoqërisë.
Pikërisht për këtë, si dhe për shkak të kulturës së pazhvilluar politike demokratike bashkëkohore, gjendemi në një krizë të thellë politike dhe institucionale. Prandaj, pason një rrugë jo e lehtë drejt Bashkimit Evropian.
Kur bëhet fjalë për politikën e jashtme, Mali i Zi është bërë anëtare e NATO-s, si dhe është përcaktuar për integrime në Bashkimin Evropian. Megjithatë, partitë politike proserbe dhe proruse që bëjnë pjesë në pushtetin politik në organet shtetërore, nuk janë sinqerisht të përkushtuara ndaj vlerave politike perëndimore, por më tepër anojnë kah politika e Serbisë dhe Rusisë.
Në vitin 2024, Qeveria e Malit të Zi njoftoi se katër kapituj të bisedimeve me Bashkimin Evropian do të mbylleshin deri në fund të atij viti. Megjithatë, Komiteti i Perfaqësuesve të Përhershëm të Shteteve Anëtare të BE-së miratoi mbylljen e tre kapitujve në bisedimet e Malit të Zi me BE-në (13.12.2024). Ndërsa kapitulli i katërt, ai 31 (politika e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes) nuk fitoi “dritë jeshile”, sepse u bllokua nga Kroacia, për arsye të politikës së papërgjegjshme të pushtetit politik të Malit të Zi në marrëdhenie me Kroacinë. Meqenëse, Kuvendi i Malit të Zi, me votat e shumicës parlamentare më 28 qershor 2024 miratoi Rezolutën për gjenocidin e Jasenovacit, i cili ishte një akt i gabuar politik, sepse nxiti përkeqësimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me Kroacinë, e cila si anëtare e BE-së e ka ndihmuar shumë Mali të Zi në rrugën e tij drejt BE-së, rezoluta e tillë përbën gjithashtu një kërcënim për integrimin e Malit të Zi në BE.
Me këtë rast Kroacia i dërgoi një notë proteste Malit të Zi. Po ashtu, Ministria kroate e Punëve të Jashtme dhe Evropiane i shpalli Andrija Mandiqin, kryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, deputetin Millan Knezheviq dhe Aleksa Beçiqin, zëvendëskryeministër i Qeverisë së Malit të Zi, të padëshirueshëm, apo persona non grata në Kroaci, për shkak të “veprimeve sistematike për të prishur marrëdhëniet e vazhdueshme të fqinjësisë së mirë me Republikën e Kroacisë për qëllime të brendshme politike”.
Me një fjalë, shumica parlamentare në Parlament dhe në Qeveri ka arritur dukshëm të dëmtojë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë të Malit të Zi me Kroacinë, Bosnje e Hercegovinën dhe Kosovën. Në veçanti, partitë politike proserbe dhe proruse, si pjesë e shumicës parlamentare, në vazhdimësi janë kundër Kosovës si shtet i pavarur. Ato e trajtojnë Kosovën si pjesë të Serbisë, e quajnë atë ”shtet të rremë”, respektivisht ato qëndrojnë në pozicione nacionaliste ndaj shqiptarëve në përgjithësi, megjithëse janë “në përqafim politik” me partitë shqiptare.
Siç dihet, pesë parti shqiptare në Mal të Zi kanë nënshkruar marrëveshje koalicioni me partitë e tjera të shumicës politike parlamentare në Mal të Zi. Struktura e këtyre partive është shumë heterogjene në pikëpamje politike dhe ideologjike. Në këtë kaos politik, vend me rëndësi kanë partitë proserbe dhe proruse, për të cilat mund të thuhet se janë parti antishqiptare. Nga përfaqësuesit shqiptarë të shumicës në pushtetin qendror, në Parlament dhe Qeveri, mund të vërehet se kanë një aktivitet të dukshëm politik politikanët Nik Gjeloshaj, Marash Dukaj dhe Ilir Çapuni. Por në anën tjetër, fatkeqësisht shihet se nuk kanë fuqi politike të duhur, për shkak të mekanizmit politik të marrjes së vendimeve me shumicë politike, pra të politikës së mbivotimit apo majorizmit politik. Në teorinë politike rekomandohet zbatimi i ashtuquajur i “vetos” së pakicës, kur ka të bëjë me marrjen e vendimeve që kanë të bëjnë me çështjet jetike apo substanciale të pakicave kombëtare. Mirëpo, në politikën e Malit të Zi një mekanizëm i tillë nuk ekziston, por dominon diktatura e shumicës politike mbi pakicën politike. Ashtu që me të drejtë mund të thuhet se një politikë e tillë legjitimon diskriminimin mbi baza politike dhe nacionale.
Qeveria e Malit të Zi dhe Emiratet e Bashkuara Arabe nënshkruan një marrëveshje për bashkëpunim ekonomik, si dhe në fushën e turizmit e zhvillimit të pasurive të paluajtshme në Abu Dhabi, më 28 mars 2025, kurse Parlamenti i Malit të Zi i miratoi ato më 22 prill, me procedurë të përshpejtuar, me iniciativën e kryeministrit Millojko Spajiq. Marrëveshjet u miratuan me votat e shumicës parlamentare.
Deputeti i Aleancës Shqiptare, Ilir Çapuni, u shpreh në Parlamentin e Malit të Zi se miratimi Marrëveshjes për turizëm dhe zhvillimin e pasurive të paluajtshme të Qeverisë së Malit të Zi me Emiratet e Bashkuara Arabe cenon të drejtat e shqiptarëve në Ulqin si pakicë kombëtare, dhe duke iu referuar Ligjit për të Drejtat dhe Liritë e Popujve Pakicë në Mal të Zi kërkoi pushimin e seancës së Parlamentit me qëllim të konsultimit shtesë me kryeministrin Millojko Spajiq dhe ambasadorin e BE-së, Johan Satler. Mirëpo, si për çudi, kryeparlamentari Andrija Mandiq, vojvodë i çetnikëve, partner politik dhe “mik” i partive shqiptare në pushtet e refuzoi një kërkesë të tillë. Gjithashtu, shtrohet pyetja: Çka u bë me ministrin nga Ulqini në Qeverinë e Malit të Zi, Fatmir Gjekën, i cili haptazi deklaroi në protestat e mbajtura në Ulqin se nëse miratohet Marrëveshja në Parlament, ai më nuk do të jetë ministër në Qeverinë e Malit të Zi?! Pas deklarimit të tij, dhënë në mënyrë publike para opinionit në Ulqin, Marrëveshja është miratuar nga Parlamentit i Malit të Zi, por ai akoma edhe pas ”besës” shqiptare të dhënë, po hesht dhe po vazhdon punën në Qeveri, sikurse mos të kishte ndodhur kurrgjë e re.
Edhe pse marrëveshja nuk e specifikon vendndodhjen e investimeve, Qeveria e Malit të Zi më herët ka njoftuar se ato i referohen investimeve të biznesmenit arab Mohammed Alabar në turizëm për projekte – në jug dhe në veri të vendit. Plazhi i Madh në Ulqin është paraparë për këtë projekt. Bëhet fjalë për dhënien me qira për 99 vjet të Plazhit të Madh, ku do të ndërtoheshin objekte turistike dhe banesa për shitje, një kompleks megaturistik.
Me zbatimin eventual të kësaj marrëveshjeje, ndërtimit të një kompleksi megaturistik në Plazhin e Madh do të cenoheshin të drejtat e pakicave kombëtare, të garantuara me të drejtat ndërkombëtare, që kanë të bëjnë me ndryshimin e strukturës demografike të popullsisë në Ulqin. Konkretisht, në Konventën Kuadër të Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare (Strasburg, 1995), neni 16 përcakton: ”Shtetet anëtare të Këshillit të Evropës dhe shtetet tjera kontraktuese të kësaj Konvente kuadër do të përmbahen nga masat që ndryshojnë strukturën e popullsisë në zonat e banuara me pjesëtarë të pakicave kombëtare…”Komiteti i Këshillit të Evropës do të përcjelli sesi shtetet kontraktuese e zbatojnë këtë Konventë Kuadër (Seksioni IV, neni 24).
Më tutje, në Rekomandimin 1201 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, lidhur me mbrojtjen e pakicave kombëtare (1993), Protokolli shtesë, neni 5 përcakton: “Ndalohen ndryshimet e qëllimshme në strukturën demografike të zonave të banuara me pakica kombëtare, të cilat janë të dëmshme për ato pakica”.
Lidhur me këtë, duhet rikujtuar se integrimi evropian kushtëzohet nga përmbushja e kritereve përkatëse për zgjerimin dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian, të cilat u vendosën nga krerët e shteteve dhe qeverive në takimin e Kopenhagës në vitin 1993. Këto kritere përfshijnë dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave kombëtare në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Pavarësisht se mendoj që do të ishte e nevojshme që Mali i Zi të zhvillohet në drejtim të decentralizmit demokratik dhe vetëqeverisjes lokale, më duhet të theksoj se qeveria aktuale po vepron në drejtim të kundërt. Domethënë, politika aktuale shtetërore ka më tepër ngjashmëri me konceptet autoritare dhe zgjidhjet institucionale nga e kaluara sesa me idetë dhe institucionet liberal-demokratike. Pushteti aktual shtetëror përpiqet për centralizim administrativ dhe përqendrimin e pushtetit dhe të burimeve natyrore, që nuk është në përputhje me standardet evropiane.
Zbatimi eventual i Marrëveshjes në fushën e turizmit dhe zhvillimit të pasurive të paluajtshme me Emiratet e Bashuara Arabe, do të nënkuptonte tjetërsimin e Plazhit të Madh nga qytetarët e Ulqinit dhe nga komuniteti lokal meqenëse marrëveshja ka të bëjë me kohëzgjatje për një shekull. Kjo do të krijonte rrezik që Komuna e Ulqinit, por dhe shteti i Malit të Zi të humbte sovranitetin ekonomik në një nga pjesët më të bukura të bregdetit të saj, sepse Plazhi i Madh në Ulqin përfaqëson perlën e bregdetit adriatik.
Më në fund, besoj se Ulqini ka nevojë për investime, por për investitorë të tjerë me kushte të tjera të përshtatshme dhe në pajtim me komunitetin lokal të Ulqinit. Andaj, mendoj se investitorët do të ishin më të preferueshëm nga shtetet e njohura të Evropës Perëndimore, siç janë Gjermania, Austria etj.
(Autori është politolog dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Duklës)