Tuz – Shoqata joqeveritare “Roditelji” (Prindërit) e cila çdo të shtunë viziton nga dy komuna në Mal të Zi, të shtunën e kaluar më 21 tetor 2023, vizitoi Tuzin.
Aktiviteti u zhvillua në QKI “Malësia” në Tuz”, ku qëllimi i tyre ishte që përmes një programi kreativo-edukativ dhe zbavitës të informojë prindërit mbi të gjitha çështjet e rëndësishme të cilat kanë të bëjnë me parandalimin dhe stilet e shëndetshme të të jetuarit të më të rinjve, përmes bisedimit me ekspertët nga Instituti i Shëndetit Publik.
Sipas kësaj shoqate, fëmijët në Tuz dhe Zetë sipas mendimit të prindërve të tyre, nuk kanë mbrojtje adekuate shëndetësore, sepse nuk kanë mjaftueshëm specialistë të pediatrisë në raport me pacientët e vegjël.
“Për fëmijët në Tuz ordinon vetëm një mjek në turnin e parë, derisa në Gollubovc punojnë dy pediatër, por edhe krahas kësaj, siç thonë prindërit, presin tepër gjatë për termin të kontrollit sistematik dhe për vaksinim të rregullt. Problem shtesë për ta paraqet edhe ndërrimi i shpeshtë i mjekëve”, u shprehën nga kjo shoqatë.
Ndër të tjera ata theksojnë se disa nga prindërit nga Tuzi kanë vendosur që t’i dërgojnë fëmijët te pediatret në Podgoricë.
Nga kjo shoqatë joqeveritare shprehen se programi i tyre për fëmijët është përshtatur për të gjitha moshat, me një mori programore kreative dhe edukativo-zbavitëse që, siç kanë thënë, i kanë hartuar OJQ “Roditelji” (Prindërit), animatorët e “Rent a Party” dhe ligjëruesit e Shkollës Edukative për Zhvillimin Intelektual të Fëmijëve.
“Grupi i këtij karvanit ofron një mori informacionesh të dobishme për prindërit, me përmbajtje zbavitëse dhe edukative për fëmijët, me një atmosferë dhe energji të mirë”, janë shprehur nga kjo OJQ.
Nga kjo shoqatë kanë thënë se gjatë vizitës së qyteteve realizohen disa aktivitete me tematika të ndryshme të cilat i kontribuojnë një informimi më të mirë të prindërve mbi tematikat e rëndësishme të cilat kanë të bëjnë me rritjen dhe zhvillimin e fëmijëve.
“Siç është të ushqyerit me gji, ushqyerja, vaksinimi, aktiviteti fizik, rëndësia e kontakteve, lojërat dhe kufizimi i mjeteve teknologjike të cilat nuk u janë dedikuar fëmijëve”, theksojnë nga kjo shoqatë.
Karvani familjar deri më tani ka vizituar Gucinë, Kollasninin, Shavnikun, Plevlën, Zhablakun, Nikshiqin, Plluzhinën, Petnicë dhe Rozhajën.
Karvani familjar është pjesë e projektit të cilin OJQ “Roditelji” (Prindërit) e realizon në bashkëpunim me UNICEF-in, me mbështetje financiare të Delegacionit të Unionit Evropian në Mal të Zi. Qëllimi i aktiviteteve të cilat realizohen gjatë karvanit familjar është kyçja dhe fuqizimi i bashkësive lokale që të sigurojnë kushtet e domosdoshme për një zhvillim dhe rritje optimale të fëmijëve.
t. u.
