Afirmim i kërcimit dhe i mënyrës së shëndetshme të të jetuarit

Tuz – Të enjtën mbrëma, më 14 qershor 2023, në QKI “Malësia” u shfaq koncerti i Klubit të Kërcimit “Tip Toe” i cili ka si vizion afirmimin e kërcimit, mënyrën e shëndetshme të jetesës dhe formimin e një grupi të suksesshëm i cili synon t’i arrijë majat në fushën e veprimtarisë angazhuese.
Nga Qendra Kulturore-Informative “Malësia”, si organizator i këtij koncerti, u shprehen se aktiviteti fizik luan rol të rëndësishëm e të pazavendësueshëm në jetën e njeriut.
“Dihet se kërcimi është segment pozitiv në adaptimit e stilit të shëndetshëm të jetesës, i cili përmirëson dukshëm shëndetin dhe cilësinë e jetës njerëzore. Këtë sonte do të na e vërtetojnë më së miri anëtaret e Klubit të Kërcimit “Tip Toe” me disa pika nga repertori i tyre”, u shprehen nga QKI “Malësia”.
Nga ky institucion theksuan se ndjejnë krenari që në mesin tonë ka të rinj/reja të cilët/at performojnë dhe transmetojnë stil të shëndetshëm të jetesës.
“Prandaj QKI “Malësia” i ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështesë talentët e rinj vendas të cilët janë e ardhmja jonë e që vazhdimisht na bëjnë krenarë çdo ditë”, theksuan nga ky institucion kulturor.
Ndërkohë, duke folur për aktivitetet dhe sukseset e këtij grupi kërcimi, drejtoresha dhe koreografja e tij, Leonora Dedivanaj falënderoj QKI-në “Malësia”, Komunën e Tuzit, si dhe prindërit, veçanërisht nënat që kanë njohur potencialin e vajzave dhe për përkujdesjen që bëjnë ndaj fëmijëve të tyre në çdo shfaqje dhe garë.
“Klubi i Kërcimit “Tip Toe” pas koncertit të sotëm dhe garës në Tivar që zhvillohet pas dy ditësh, përfundon sezonin e kërcimit 2022/23 dhe në vazhdim të performancave do të shikoni se sa kemi punuar kohëve të fundit, si dhe arritjet e vajzave tona. Këtë sezon nga çdo garë jemi kthyer me medalje dhe jam e sigurt se në të ardhmen do të vazhdojmë me ritëm edhe më të fortë për fitore të reja”, u shpreh drejtoresha dhe koreografja e Klubit të Kërcimit “Tip Toe”, Leonora Dedivanaj.
Ky është koncerti i dytë i këtij klubi i cili shfaqet në QKI “Malësia” në Tuz.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat