70-vjetori i InstitutitAlbanologjik në Prishtinë

Nga themelimi i tij në vitin 1953, Instituti Albanologjik i Prishtinës është dëshmi autentike e historisë së Kosovës. Pavarësisht se është mbyllur dy herë nga regjimi serb, ai sfidoi rrethanat e kohës, duke i mbetur besnik qëllimit për studimin e albanologjisë me hulumtimin, organizimin dhe botimet e ndryshme shkencore në favor të kulturës dhe shkencës së shqiptarëve në nivel mbarëkombëtar

Nail Draga

Me rastin e 70-vjetorit të Institutit Albanologjik në Prishtinë, nga data 19-21 qershor i zhvilloi punimet konferenca shkencore „Albanologjia dje, sot dhe nesër“.
Në akademinë solemne pas pikës muzikore „O moj e bukura Arbëri“, interpretuar në violinë nga Pleurat Doli, me fjalë rasti përshëndetën të pranishmit drejtori i Institutit Albanologjik, Hysen Matoshi, Albin Kurti, kryeministër i Republikës së Kosovës, Akademik Rexhep Qosja dhe Skënder Asani, drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqipëtarëve në Shkup.
Instituti Albanologjik u themelua në vitin 1953 në Prishtinë me një numër të vogël studiuesish për qëllim të studimit të kulturës, historisë, gjuhës e të letërsisë së shqiptarëve. Ndonëse ishin të punësuar katër studiues të rregullt dhe 10 bashkëpunëtorë të jashtëm, të prirë nga drejtori Elhami Nimani, dhe profesor Selman Riza, punuan me përkushtim e profesionalizëm për të nxjerrë në dritë kontributet e para albanologjike. Ndonëse në kushte minimale hapësinore e kadrovike, një subjekt i tillë ishte i papërshtatshëm për pushtetin e kohës ku pas dy viteve (1955) e mbyllën.
Një goditje e tillë vazhdoi deri në vitin 1967 kur e larguan nga pushteti kryeshefin e sigurimit jugosllav A. Rankoviqin. Dhe në rrethana të reja shoqërore, studiues e intelektualë në Kosovë arritën të riaktivizojnë Institutin Albanologjik më 28 shkurt 1968, me drejtor Fehmi Aganin dhe bashkëpunëtorët Idriz Ajetin e Rexhep Qosjen. Nga ajo kohë e më pas, Instituti Albanologjik iu përvesh studimeve dhe hulumtimeve shkencore në shumë fusha si në gjuhësi, histori, letërsi, folklor e etnologji. Ishte koha e përkushtimit profesional e stafit profesional, studiuesve dhe të bashkëpunëtorëve që u dëshmua me botime të veçanta, revista shkencore dhe organizimin e sesioneve shkencore, duke dëshmuar rezultate si për nga sasia, ashtu edhe për nga cilësia. Por, pas ngjarjeve të vitit 1981 në Kosovë në shënjestër të politikës antishqiptare nga pushteti jugosllav i kohës ishte edhe Instituti Albanologjik si të gjitha institucionet shkencore e kulturore në Kosovë. Një politikë e tillë dëshmohet më 8 mars 1994 kur punojësit e Institutit maltretohen e dhunohen fizikisht duke i detyruar të lëshojnë objektin. Por ata të vetëdijshëm se janë në shërbim të kulturës dhe shkencës shqiptare në Kosovë nuk nderprenë veprimtarinë, por u vendosen në një shtëpi private në Kodrën e Diellit deri në vitin 1999, ndërsa pas luftës u kthyen në objektin e tyre për të vazhduar veprimtarinë. Nuk ka dilemë se historia e Institutit Albanologkik është në të vërtetë historia e shqiptarëve të mbetur në pushtimin jugosllav, duke sfiduar rrethanat e kohës duke i mbetur besnik kursit e orientimit kombëtar me një vetëdije shkencore në funksion të çështjes kombëtare, ku bashkë me elitën intelektuale e shkencore ishin në linjën e shtetndërtimit të Kosovës.
Edicioni i 14-të i Javës së Albanologjisë, përkatësisht i Konferencës shkencore „Albanologjia dje, sot dhe nesër“, për tri ditë (19-21 qershor) i zhvilloi punimet në pesë seksione: histori, gjuhësi, etnologji, letërsi dhe folklor. Gjithsejt janë paraqitur 88 studiues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.
Nga Mali i Zi në këtë konferencë ka marrë pjesë Nail Draga me kumtesën ”Kontributi i V. Zmajeviqit në albanologji-gjeografi historike (shek.XVIII)“. Sipas praktikës kumtesat e prezantuara do të botohen në një botim të veçantë.
Në fund cekim se në shënim të 70-vjetorit të Institutit Albanologjik është shfaqur edhe dokumentari i shkurtër për rrugëtimin ndër vite të institucionit me titull:“Ruajtja e së kaluarës, frymëzimi i së ardhmes”.

Të fundit

më të lexuarat