450-vjetori i shkollës (1572-1574)

Gjatë hulumtimit tonë në Arkivin Osman të Shtetit në Stamboll kemi identifikuar mjaft dosje në të cilat studiuesit flasin për ekzistencën e shkollës (mektebit) fillore ruzhdije gjatë shek. XIX, por përgjatë shekujve të mëhershem nuk kemi disponuar ndonjë të dhënë arkivore të publikuar…Përpjekjet tona për të hulumtuar shkollat edhe përgjatë shek. XVI-XVIII në këtë arkiv na çuan në identifikimin e pesë (5) dosjeve, prej të cilave shohim ekzistencën e Shkollës së Madhe Fillore (Mekteb-i Kebîr) brenda Kalasë së Ulqinit. Kjo shkollë në këto dokumente përmendet edhe me emra të tjerë si sibjan mektebi, mualimhane etj.

Mr. Ali Bardhi

Rreth veprimtarisë arsimore përgjatë shekujve osmanë në Ulqin janë bërë disa publikime, të cilat flasin për ekzistencën e disa shkollave (mektebeve) fillore, medresesë si edhe asaj ruzhdije gjatë fundit të shek. XIX duke vazhduar edhe për disa dekada në shek. XX.
Edhe ne gjatë hulumtimit tonë në Arkivin Osman të Shtetit në Stamboll kemi identifikuar mjaft dosje në të cilat studiuesit flasin për ekzistencën e shkollës (mektebit) fillore ruzhdije gjatë shek. XIX, por përgjatë shekujve të mëhershem nuk kemi disponuar ndonjë të dhënë arkivore të publikuar (Për herë të parë në vitin 2008 e kemi publikuar një artikull në Revistën “Etika” dhe në 2009 në revistën “Elif”, ku kemi dokumentuar disa xhami në Malin e Zi, nga ku kemi cekur edhe Shkollën e Madhe në Kalanë e Ulqinit.
Përpjekjet tona për të hulumtuar shkollat edhe përgjatë shek. XVI-XVIII në këtë arkiv na çuan në identifikimin e pesë (5) dosjeve, prej të cilave shohim ekzistencën e Shkollës së Madhe Fillore (Mekteb-i Kebîr) brenda Kalasë së Ulqinit. Kjo shkollë në këto dokumente përmendet edhe me emra të tjerë si sibjan mektebi, mualimhane etj. Mendoj që duhet të ketë edhe dosje të tjera në të cilat nuk ceket emri i kësaj shkolle në katalog, por brenda tekstit të ndonjë regjistri apo dosjeje mund të ekzistojnë të dhëna shtesë që mund të bëjnë fjalë për këtë shkollë dhe aktivitetin e saj. Në të ardhmen do të duhen bërë hulumtime më të hollësishme për të nxjerrë në dritë të gjithë veprimtarinë e saj.
Dosjet në të cilat ceket emri i shkollës fillore (Mektebi i Madh) brenda Kalasë së Ulqinit (shek. XVII-XVIII), të cilat i kemi marrë nga Arkivi Osman, janë të klasifikuara në këto fonde: dy dosje ndodhen në fondin AE.SMST.II. (Ali Emirî Mustafa I); një (1) në AE.SMHD.I (Ali Emirî Mahmud I) dhe dy (2) në C..MF.. (Cevdet Maarif). Të gjitha këto dosje janë shkresa – vendime (berat) që u dedikohen mësimdhënësve (mualimëve) të shkollës në Kalanë e Ulqinit, çka lë për të kuptuar rëndësinë e kësaj shkolle në nivel perandorak. Po kështu duhet theksuar se edhe pse këto dosje janë të mëvonshme nga data e ndërtimit të shkollës, si edhe fakti që në këto dokumente ngjitur me fjalën shkollë (mekteb) është i shënuar edhe emri i Sulltan Selimit II, lë për të kuptuar që kjo shkollë të jetë hapur që nga shek. XVI. Më poshtë po paraqesim pesë dosjet që kemi marrë për objekt studimi.
Dy dosjet e para i përkasin fondit AE.SMST.II. (Ali Emirî Mustafa I).
E para i përket datës 02 muharrem 1107 h./ 13 gusht 1695 dhe bën fjalë për marrjen e pagave të pashlyera të mësimdhënësit (mualimit) të shkollës fillore (mualimhane) Sulltan Selim në Kalanë e Ulqinit, Mehmed mualimi, të mbetura nga data 22 xhumade`l-ula 1106 h./ 7 shkurt 1695 dhe me një pagesë ditore prej dymbëdhjetë (12) akçeve, të marra nga nëpunësi i Mukataasë së Durrësit. Poshtë tekstit të këtij berati (vendimi) është shënuar „Makam-ı Sahra-i Belgrad‟ (BOA, AE.SMST.II. 22/2191). Kjo dosje në katalog mban datën 2.11.1113 h, ndërsa në tekstin origjnal të dokumentit mban datën 2.1.1107 h.) Arsyeja e këtij shënimi ndërlidhet me faktin se në vitin 1695 në krye të Perandorisë Osmane erdhi Mustafai II, i cili në momentin e përpilimit të këtij vendimi (berati) ndodhej në Kalanë e Beogradit dhe përveçse udhëhiqte ekspeditën kundër austriakëve (Mehmed Maksudoglu, Historia osmane dhe e institucioneve, Alsar, Tiranë, 2013, f. 418), po ashtu kryente edhe detyrat që i përkisnin për administrim e punë të Perandorisë.
Dosja e dytë e këtij fondi i përket datës 29.12.1112 h. / 6.6.1701 m. dhe dëfton për ekzistencën e shkollës (mualimhane) brenda Kalasë së Ulqinit dhe emërimin e një mësimdhënësi (mualimi) me emrin Junus në vend të mësimdhënësit Memi, i cili kishte vdekur. Paga e mualimit në fjalë u caktua dhjetë (10) akçe në ditë dhe sigurohej nga të ardhurat e Mukataasë së Shkodrës (BOA, AE.SMST.II. 27/ 2690).
Dosja tjetër që i përket fondit AE.SMHD.I (Ali Emirî Mahmud I) është e datës 25.10.1151 h. / 5.2.1739 dhe bën fjalë për emërimin e një mualimi në shkollën (mektebin) e Kalasë së Ulqinit me emrin Mehmed, në vend të Sylejman mualimit, i cili kishte vdekur dhe u caktua një pagë prej pesë (5) akçeve në ditë dhe t’i jepej nga pasuria e Mukatasë së Shkodrës (BOA, AE.SMHD.I. 115/8337).
Dy dosjet e fundit që bëjnë fjalë për këtë shkollë i përkasin fondit C..MF.. (Cevdet Maarif). E para i përket datës 15.5.1158 h. / 15.6.1745 m. dhe bën fjalë për ridhënien e vendimit (beratit) mësimdhënësit (mualimit) me emrin Hysein në Shkollën e Madhe (Mekteb-i kebir) Sulltan Selim brenda Kalasë së Ulqinit pasi e ka humbur atë dhe me një pagë ditore prej tridhjetë (30) akçeve (BOA, C.MF. 10/480).
Dosja e dytë e fondit C.MF. (Cevdet Maarif) i përket datës 14.9.1178 h/ 7.3.1765 m. dhe ka katër shkresa. Nga këto shkresa shohim ekzistencën e shkollës (mektebit) së Sulltan Selimit II brenda Kalasë së Ulqinit, me një pagë ditore prej 12 akçeve, që jepen nga të ardhurat e Mukataasë së Durrësit. Në to shprehet pakënaqësia e banorëve të Kalasë për mosfrekuentimin e mësimdhënësit Mehmedit në takime dhe shkollë pasi merrej me tregti. Kjo gjë shkaktoi pakënaqësi te banorët e Kalasë dhe u kërkua që në vend të tij të emërohej si mësimdhënës Resuli, pasi ishte i pajisur me dije të mjaftueshme për këtë detyrë (BOA, C.MF. 172/8569)

(vijon)

Të fundit

më të lexuarat