Ky kalendar do të shërbejë si bazë dhe çelës i sigurt në organizimin e punës në shkollë, planifikimin e drejtë te të gjitha lëmive mësimore dhe jashtëmësimore.
Me këto fjalë, njoftova dhe inkurajova të gjithë subjektet planifikues të punëve në shkollë. Ky dokument, kryesisht u dedikohej atyre
Rexhep Lleshi
Planifikimi dhe realizimi i punëve mësimore në Shkollën fillore ”Bedri Elezaga” në Katërkollë – Ulqin, nga viti në vit paraqisnin vështirësi. Shkaku i atyre mundimeve ishte papajtueshmëria e Ligjit të shkollave dhe Programit mësimor për shkollë fillore. Derisa Ligji në mënyrë të prerë definonte numrin e ditëve të punës-mësimit, Programi rregullonte fondin e orëve të lëndëve mësimore që duhej realizuar. Dilema zakonisht paraqitej në fund të vitit. Atëherë edhe u shtronin pyetje, si e kur me përfunduar mësimin? Me realizimin e orëve mësimore, si e parashikonte programi, apo të ditëve të mësimit, si e përkufizonte ligji? Ndodhte që pa dashje të cenohet njëri apo faktori tjetër.
Duke i pasur në dijeni të gjitha ato rrethana të pavolitshme pune, unë në vete mendoja si ta gjej formulën e përbashkët për t’u ikur atyre mangësive, apo më saktë, si të rregullohet çështja, për të kënaqur njëkohësisht edhe bazën normative dhe realizuesin e saj, subjektin arsimor – mësimdhënësit.
Ishte qershori i vitit 1992. Si zakonisht, duke përcjellur përfundimin e punëve të vitit në vijim dhe duke koordinuar detyrat për vitin e ardhshëm, vetes i dhash detyrim që të mendoj për harmonizimin e obligimeve, që imponojnë ligji dhe programi, në përfundimin e mësimit.
Një ditë, sa isha në një heshtje të thellë në zyrë, filloi të më lind ideja interesante.
”Mu shfaq” kalendari i veçantë!
Këtë mrekulli, që se kisha parë kurrë, fillova ta ”përshkruaj”. Mendimin e përfundova dhe në letër shkrova, ”Kalendari shkollor për vitin mësimor 1992/93”.
Ky ishte mendimi im, i një personi. Me të, së pari njoftova bashkëpunëtorët, kolegët e punës. Ata e pëlqyen si të tillë, por pa koment. Askush nuk i thoshte të metat eventuale, apo epërsitë e tij. As vetë nuk isha i sigurt si do të dukej në praktikë, si do të shkojë realizimi i punës në bazë të tij. Mendova të konsultoja dikë që din ta vlerësojë këtë dhe të më ndihmojë me këshilla.
Që të marr mendimin e preferuar zgjodha pedagogun e shquar, Prof. dr Pavle Gazivoda, njëherësh dhe Ndihmësministër i Arsimit në republikën tonë. Sipas marrëveshjes, një ditë gushti shkova në kabinetin e tij me atë qëllim. Ia tregova Tabelën me komentim. Pas një shikimi, të gjatë të tabelës me tekst, profesori i mirënjohur u shpreh thekshëm:
– Këtë dokument duhet ta ketë secila shkollë! Deri tash, kështu nuk e ka punuar dhe nuk e ka askush në republikë. Nuk e kemi as ne këtu në ministri edhe pse është i nevojshëm ta kemi. Si tabelë është punuar mirë dhe zbatimi i tij nuk prodhon asgjë negative për procesin mësimor e punë të tjera në shkollë. Përparësitë eventuale vlen t’ia lëmë praktikës, të flasë ajo, më meritorja. Të jetë kjo një surprizë për shkollën tuaj në vitin e ri shkollor. Ky inovacion të vihet në zbatim, aty, në atë shkollë, ku edhe herët e tjera më parë njerëzit vendas kanë filluar e udhëhequr reforma. Në qoftë se praktika shkollore e pranon risinë, autori duhet të shpërblehet. Po them ”në qoftë se”, sepse nuk dua të paragjykoj edhe për faktin pse kam bindje që si punëtor operativ i procesit mësimor e ke menduar mirë dhe, duke e lidhur me punën e ”ke parë” edhe fundin. Përndryshe, ti nuk kishe ardhur këtu, për ”bisedë të kotë”, – e përfundoi mendimin ndihmësministri.
Në mbledhjen e radhës, në gusht, Këshilli i mësimdhënësve e shqyrtoi dhe aprovoi Kalendarin shkollor për vitin 1992/93. Ai ishte dokumenti i parë i tillë i përgatitur dhe i prurë në këtë shkollë dhe do të jetë i vetmi i këtij lloji në Republikën e Malit të Zi.
– Ky kalendar do të shërbejë si bazë dhe çelës i sigurt në organizimin e punës në shkollë, planifikimin e drejtë të të gjitha lëmive mësimore dhe jashtëmësimore.
Me këto fjalë njoftova dhe inkurajova të gjithë subjektet planifikues të punëve në shkollë. Ky dokument, kryesisht u dedikohej atyre.
Vitin e parë të kalendarit, me vëmendje u përcollën rrjedhat dhe përfundimi i punëve të planifikuara në bazë tij. U bindëm se gjithçka shkoi në rregull. Kalendari e arsyetoi veten. Ai u bë ”manual” i yni, i punëtorëve të shkollës. Atë vazhdova ta punoj vetë edhe viteve të tjera, deri më 1998/99. Si mjet pune e përdorën edhe drejtorët e tjerë të kësaj shkolle.
Më vonë, Ministri i Arsimit në Mal të Zi, për herë të parë, shpall Kalendarin shkollor për vitin 2003/04 dhe i obligon shkollat që punën e tyre ta organizojnë sipas tij. Për shkollën tonë ai dokument nuk ishte i ri, as i panjohur. Ne atë e posedonim me vite e kishim shkruar vet. Me dallim prej tij, kalendari ynë ishte më i qartë, më konkret, më praktik e funksional. Sipas tij, punën e organizuam me sukses, 11 vite rresht para atij shtetëror.
Në këtë shkollë Kalendari shkollor punohet gjithnjë, me formë e përmbajtje të njëjtë, si projekti nismëtar i vitit shkollor 1992/93.
Në vitin shkollor 2017/18, ai shënon 25 vite të jetësimit të tij.
