
Mit’hat Frashëri ka thënë: ‘’Themelin e diturisë dhe të atdhedashurisë e përbën vetëm gjuha’’
Gjuha është urë lidhëse dhe mjeti kryesor i komunikimit mes njerëzve.
Që nga viti 1999 që UNESCO e shpalli 21 shkurtin si Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare organizohen manifestime të ndryshme në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar me qëllim ruajtjen dhe mbrojtjen e gjuhëve amë.
Termi gjuhë amtare ose gjuha e nënës është pikërisht e folura që ne mësojmë që të vegjël në rrethin familjar pra çdo tingull dhe çdo fjalë që përvetësojmë përbën një rëndësi shumë të veçantë për ne, të cilën e pasojmë në formimin dhe edukimin tonë pastaj në moshën e rritur. Gjuha është pjesë e pandashme e identitetit tonë kombëtar, ku nëpërmjet saj shprehet bukur historia, kultura arti dhe çdo gjë tjetër. Ne duhet ta bëjmë promovimin e saj në mënyrën më të mirë të mundshme, sepse kështu u tregojmë të tjerëve kulturën që mbizotëron brenda shoqërisë sonë.
Por a e ruajmë dhe a e mbrojmë siç duhet gjuhën tonë amtare?
Në fakt kjo është edhe një ndër problematikat kryesore të kohës sonë që vlen të evidentohet. Duke parë që tani me zhvillimin e teknologjisë kanë ndryshuar edhe format e komunikimit dhe kjo bën që të ndikojë drejtpërdrejt në papastërtinë dhe shtrembërimin e gjuhës sepse zgjedhim të përdorim barbarizma pra terminologji të huaj në vend të fjalës shqipe, pastaj shkruajmë me shkurtesa dhe nuk jemi të rregullt në drejtshkrim, problem i theksuar në vendosjen e shenjave të pikësimit dhe shumë e shumë mangësi të tjera.
Një nga elementet bazë për shmangien e gabimeve në drejtshkrim është ngritja e kulturës gjuhësore për secilin nga ne. Çdo individ duhet të mundohet të respektojë në maksimum dhe ta mbrojë gjuhën amtare duke e përdorur atë drejtë në shkrim dhe lexim. Dhe kjo kulturë duhet të na shoqërojë që nga hapat e parë në shkollë dhe pikërisht mësimdhënësit duhet të jenë strikt dhe shembull për nxënësit e tyre duke mos i anashkaluar gabimet edhe ato më të voglat sepse kur ne edukohemi shtrembër është e vështirë të ndreqemi pastaj.
Brezat e rinj sot duket që nuk i japin rëndësinë e duhur gjuhës amtare dhe përdorimit të saj duke e nënvleftësuar atë dhe duke konsideruar shpeshherë veten se janë të ditur dhe se nuk kanë nevojë për përmirësim.
Dhe fatkeqësisht arsyet kryesore që drejtshkrimi, po degradon çdo dite e më shumë nënvleftësimi mosdija, mjetet elektronike dhe mos leximi tek të rinjtë.
Përveç rëndësisë të dish të shkruash drejt dhe pa gabime ajo që përbën alarm sot është mospërdorimi i fjalëve shqipe në shkrim dhe lexim në çdo fushë të jetës.
Duke marrë edhe parasysh se njerëzit janë pragmatistë përdorin fjalën që e kanë më lehtë. Ajo që është më fatalja se gjuha kur nuk përdoret vdes.
Dhe bashkë me të edhe kultura.
Sot në botë me qindra gjuhë shuhen nga mospërdorimi i folësve.
Ndryshimet dhe shtrembërimet e shumta në gjuhë sot prekin të gjitha rrafshet e saj si atë fonetik, leksikor, morfologjik dhe sintaksor.
Nuk është e drejtë dhe e hijshme që pikërisht këtë gjuhë të mos e respektojmë, gjuhë e cila me vjetërsinë e saj shekullore dhe rëndësinë e saj që prej Formulës së Pagëzimit, Mesharit të Gjon Buzukut dhe shkrimtarëve tanë humanistë, romantik, modern dhe shumë gjuhëtare që vite e vite me radhë punuan pa u lodhur për ndritjen dhe zhvillimin e saj.
Shumë poetë i thuren vargje të mrekullueshme gjuhës dhe bukurisë së saj duke e ngritur në piedestalin më të lartë si Naimi, Mjeda, Fishta etj.
Disa vargje nga Fishta:
“Porsi kanga e zogut t’verës,
qi vallzon n’blerim të prillit;
porsi i ambli flladi i erës,
qi lmon gjit e drandofillit;
porsi vala e bregut t’detit,
porsi gjâma e rrfès zhgjetare,
porsi ushtima e nji tërmetit,
ngjashtu â’ gjuha e jonë shqyptare”
Ne nuk kemi nevojë të luftojmë ta kemi atë, por ta mbrojmë larg terminologjisë së huaj, ta ruajmë nga shtrembërimet, të tregohemi purist dhe të shmangim fjalët me shkurtesa. Duke mbrojtur gjuhën, ruajmë identitetin tonë dhe kështu pasqyrojmë te të tjerët kulturën tonë. Siç thotë edhe gjuhëtari, Gjovalin Shkurtaj:
‘’ Mbrojtja e gjuhës është peng nderi për çdo shqiptar ‘’
Më poshtë disa nga vargjet e Mjedës kushtuar gjuhës shqipe:
“Përmbi za që lshon bylbyli,
gjuha shqipe m’shungullon
përmbi er’ që jep zymbyli,
pa da zemren ma ngushllon
Nji kto gjuhë që jam tue ndie,
jan’ të bukra me themel
por prap’ kjo, si diell pa hije,
për mue t’tanave iu del.”
