Koha javore: Z. Beqaj, jeni muzikant me përvojë të gjatë, por edhe i angazhuar më seriozisht me folklorin e Malësisë. Çfarë ju shtyn të kultivoni këtë muzikë dhe çfarë ju ka mbajtur të lidhur kaq fort me të?
S. Beqaj: Muzika popullore ka qenë gjithmonë pjesë e shpirtit tim. Të them të drejtën, gjatë vitit 2020, kur pandemia na la të gjithëve të mbyllur në shtëpi, ndjeva një thirrje më të fortë për t’iu kthyer rrënjëve tona dhe për t’i kushtuar më shumë kohë punës në studio në këtë drejtim. Folklori i Malësisë nuk është vetëm një këngë apo melodi, është një gjuhë që flet për historinë tonë, për njerëzit tanë dhe për mënyrën se si kemi jetuar ndër shekuj. Ajo që më shtyu të merrem më seriozisht me të ishte dëshira për ta ruajtur këtë pasuri shpirtërore që po zbehej me kalimin e kohës. Më mban i lidhur fakti që çdo tingull i çiftelisë apo i sharkisë më kujton një kujtim të fëmijërisë, hapat e parë në SHKA dhe një këngë që nuk dua ta humbas. Kjo muzikë më jep qetësi dhe identitet, është pjesë e asaj që jam.
Koha javore: Dy albumet tuaja instrumentale që keni realizuar, bartin frymën e folklorit burimor të Malësisë. Çfarë donit të përcillni përmes tyre?
S. Beqaj: Në këto dy albume kam dashur të ruaj frymën e pastër të muzikës tradicionale të Malësisë, pa ndërhyrje moderne që mund të humbin thelbin e saj. Albumin e parë e realizova në mbështetjen e Fondit për Pakica, ndërsa albumin e dytë me mbështetjen e Komunës së Tuzit. Bëhet fjalë për CD me këngë dhe valle burimore shqiptare. Qëllimi im ka qenë që përmes tingujve t’i jap publikut një përjetim të sinqertë të kulturës sonë, që ajo të mos mbetet vetëm në kujtime apo arkiva. Në njëfarë mënyre, këto albume janë një urë mes brezave për më të vjetrit, një rikthim në kujtesë për të rinjtë dhe një ftesë për t’u njohur me rrënjët e tyre. Aktualisht jam duke punuar në albumin tim të tretë, i cili planifikohet të publikohet gjatë vitit 2026.
Koha javore: Ju jeni pjesë aktive e Qendrës Kulturore-Informative “Malësia” në Tuz. Si e ndihmon ky angazhim përhapjen e kulturës muzikore tradicionale dhe përfshirjen e brezave të rinj në të?
S. Beqaj: QKI “Malësia” është një institucion që e mban gjallë shpirtin e artit dhe identitetin tonë kulturor. Përmes koncerteve, festivaleve, ekspozitave dhe punëtorive edukative, aty punohet çdo ditë për t’u dhënë të rinjve një lidhje të drejtpërdrejtë me trashëgiminë tonë. Nëpërmjet kësaj qendre, brezat e rinj jo vetëm që njihen me teatrin, folklorin dhe artin në përgjithësi, por shpesh kanë mundësi t’i prekin dhe t’i përjetojnë ato. Si institucion publik, përpiqemi të përkrahim të rinjtë në kreativitetin dhe projektet e tyre, si drejtpërdrejt, ashtu edhe përmes bashkëpunimeve me shoqata të ndryshme.
Koha javore: Ju jeni me profesion jurist dhe së fundmi keni përfunduar studimet master, pas disa vitesh ndërprerjeje. Si lidhen këto dy fusha – drejtësia dhe muzika folklorike, në jetën tuaj?
S. Beqaj: Është e vërtetë. Unë jam jurist me profesion dhe këtë vit kam përfunduar studimet master, pas një periudhe të gjatë që nga përfundimi i fakultetit juridik. Kjo ka qenë një ëndërr e vjetër që më në fund u realizua. Në pamje të parë, ligji dhe muzika mund të duken të largët, por në fakt i bashkon diçka thelbësore: ndershmëria, përkushtimi dhe respekti për rregullin e natyrshëm të gjërave. Muzika, ashtu si drejtësia, kërkon ekuilibër, një harmoni që ruan rendin, por që lë hapësirë për ndjenjën njerëzore. Studimet në fakultetin juridik më kanë mësuar disiplinën, analizën dhe këmbënguljen, ndërsa muzika më ka dhënë shpirtin e lirë, kreativitetin dhe lidhjen me njerëzit. Së bashku, këto dy rrugë më kanë ndihmuar të kuptoj se njeriu duhet t’i ndjekë të dyja – atë të arsyes dhe atë të shpirtit.
Koha javore: Sa e vështirë është që të ruhet sot autenticiteti i muzikës popullore, mes ndikimeve moderne dhe mbështetjes së kufizuar institucionale?
S. Beqaj: Është shumë e vështirë, sepse sot jemi të rrethuar nga ndikime moderne dhe trende të shpejta që shpesh e bëjnë publikun të harrojë origjinalitetin. Muzika popullore kërkon kohë, dashuri dhe përkushtim, gjëra që sot shpesh mungojnë. Përveç kësaj, mungesa e mbështetjes institucionale e bën të vështirë të krijosh projekte serioze në këtë fushë. Por për fat, kemi njerëz që punojnë me zemër, që sakrifikojnë kohë e mjete për ta mbajtur gjallë folklorin. Unë besoj se autenticiteti nuk humb për sa kohë ka njerëz që e këndojnë me shpirt dhe e përçojnë me dashuri, jo për modë dhe biznes, por për mision.
Koha javore: Një pjesë e rëndësishme e rrugëtimit tuaj është përfshirja e familjes në këtë pasion. Djali juaj, vetëm 10-vjeçar, është anëtari më i ri i SHKA “Koha” dhe tashmë ka marrë pjesë në festivale brenda dhe jashtë vendit. Çfarë ndieni kur e shihni në skenë dhe çfarë do të doni që ai të trashëgojë nga ju?
S. Beqaj: Kur e shoh në skenë, ndiej një emocion që s’ka përshkrim. Është sikur shoh një vazhdimësi, një shpresë që arti nuk do të ndalet me mua. Ai e përjeton muzikën me gëzim të sinqertë dhe kjo më mbush me krenari. Edhe pse është shumë i ri, performon në mënyrë shumë skenike për moshën që ka. Ka marrë pjesë në Festivalin për Fëmijë në Shkodër, ka qenë mysafir i Presidentit të Shqipërisë, z. Bajram Begaj në Tiranë me rastin e 1 Qershorit – Ditës së Fëmijëve, ku performoi në Pallatin e Brigadave para mysafirëve të Presidentit. Ka marrë pjesë edhe në Kroaci, në qytetin Rijeka në Kuvendin Komunal, si dhe në Kosovë – në Festivalin Folklorit të Deçanit.
Mendoj se kënaqësinë më të madhe ai e ka kur performon në koncertet e SHKA “Koha” nga Dinosha. Do të doja që ai të trashëgojë nga unë jo vetëm dashurinë për muzikën, por edhe respektin për traditën, për punën dhe për rrënjët. Nëse arrin të kuptojë se çdo këngë popullore është një copë historie dhe ndjenje, atëherë e di se trashëgimia jonë është në duar të sigurta.
Koha javore: Si e shihni të ardhmen e folklorit të Malësisë? A po vazhdojnë brezat e rinj ta kultivojnë dhe ta ruajnë, apo rrezikon të humbasë?
S. Beqaj: Unë jam optimist. Por po, ka rrezik të humbasë nëse nuk i japim kujdes dhe hapësirë. Folklori është si një zjarr, nëse e mbulon me kujdes – nuk shuhet kurrë, thjesht pret dorën që ta fryjë përsëri. Misioni ynë është ta ruajmë atë zjarr, që brezat e ardhshëm të mos e kërkojnë dritën diku tjetër, por ta gjejnë brenda vetes, në këngët e Malësisë. Folklori në Malësi ruhet më së shumti përmes shoqatave kulturore-artistike që veprojnë vullnetarisht dhe me mision të qartë, e që është ruajtja e traditave dhe folklorit në përgjithësi.
Bisedoi: Toni Ujkaj
