Trump do të përdorë mjete jokonvencionale për të arritur qëllimet e tij

Në Amerikë kemi një ndarje më dysh të opinioneve që kurrë më parë nuk kanë qenë më intensive. Në njërën anë, është Amerika skeptike, siç përthyhet në paralajmërimin e Presidentit tashmë të kaluar Bajden për rrezikun ndaj demokracisë amerikane dhe rrëshqitjen e vendit në duart e “oligarkëve”, ashtu edhe për ata që kanë pritje pozitive nga ardhja e Trumpit, si një rast për të zgjidhur problemet e brendshme të kombit

Koha javore: Z. Spahiu, si e vlerësoni zgjedhjen e Donald Trumpit për herë të dytë në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës? Çfarë do të thotë kjo për vetë Amerikën dhe amerikanët, por edhe për botën në përgjithësi?
A. Spahiu:
Si kurrë më parë në historinë e presidentëve të Amerikës ardhja e Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë nuk është pritur me “përzierje ndjenjash”, pritjesh dhe skepsën. Kjo vlen si për qarqet e brendshme ashtu dhe për vëzhguesit e politikës globale. Në Amerikë kemi një ndarje më dysh të opinioneve që kurrë më parë nuk kanë qenë më intensive. Në njërën anë, është Amerika skeptike, siç përthyhet në paralajmërimin e Presidentit tashmë të kaluar Bajden për rrezikun ndaj demokracisë amerikane dhe rrëshqitjen e vendit në duart e “oligarkëve”, ashtu edhe për ata që kanë pritje pozitive nga ardhja e Trumpit, si një rast për të zgjidhur problemet e brendshme të kombit.
Në planin e jashtëm, sfida për botën është se si të deshifrohen synimet e Trumpit dhe në këtë ka po ashtu një ndarje mendimesh. Çështja është nëse Trump në thelb po planifikon të ruajë pozicionin aktual të Amerikës në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe nëse në fushatën dhe paraqitjet publike ai thjesht ka përdorur taktika jokonvencionale për të pasur qasje më të mirë në tregje dhe aleanca më të forta dhe më të balancuara. Doktrina e tij e politikës së jashtme do të mund të ketë një orientim dhe një qasje që do të shkundë themelet e rendit aktual ndërkombëtar që do të fokusohet në riorganizim të hartës gjeopolitike të botës, mundësi kjo që paraqet shqetësimin më të madh të aleatëve dhe të shumë vendeve në tërë rruzullin. Kjo do të thoshte rifokusim nga përfshirja e SHBA-së në rajonet që administrata do t’i konsideronte të rëndësisë dytësore, ku hyjnë vatrat e vjetra të krizave, në çështje që do të konsideroheshin minore për kalim në aspekte më madhore dhe me ndikim ndërkombëtar, siç janë raportet me Kinën dhe Rusinë. Sidoqoftë, paralajmërimet janë të paparashikueshme e po aq të frikshme. Përderisa bota aktualisht po përjeton çaste “ethesh”, parashikueshmëritë janë të paqarta dhe do të kërkojnë kohë për t’u konfirmuar…

Koha javore: Si e vlerësoni mandatin e parë qeverisës të Presidentit amerikan Donald Trump? Sa mendoni se do të ndryshojë mënyra e qeverisjes së tij në mandatin e dytë?
A. Spahiu:
Mandatin e parë Donald Trump e nisi dhe e përfundoi me vendime kontradiktore në raport me botën, në interes të doktrinës së tij “Amerika vjen e para”. Ai kishte ndërmarrë disa vendime që shkaktuan “dridhje” sidomos në raport me Evropën dhe çështjet globale. Ai e kritikoi Evropën se nuk është duke bërë hisen e vet për sigurinë në Evropë, duke kërkuar që këto vende të rrisin buxhetin për mbrojtje në kuadër të NATO-s. Madje kishte qenë kritik ndaj vendeve të BE-së se Amerika nuk mund të përkujdeset pafundësisht për sigurinë evropiane dhe se secili duhet të ketë pjesën e vet të përgjegjësisë. Hapa të tjerë të administratës Trump gjatë mandatit të parë ishin edhe heqja dorë nga konventat për klimën globale dhe për armët bërthamore, tarifat restriktive ekonomike dhe jo vetëm ndaj Kinës etj.
Të gjitha këto paraqesin një indikacion se Trumpi do të vazhdojë aty ku e ka lënë, që do të thotë rreziku i konfrontimit madhor dhe konflikteve do të mund të rritet ndjeshëm, sidomos duke parë situatën pas agresionit rus në Ukrainë dhe kërcënimet ruse. Megjithatë, një acarim në raportet ndërkombëtare pa dyshim është real në të ardhmen…

Koha javore: Disa deklarata të Trumpit (kam parasysh ato lidhur me Kanadanë, Grenlandën dhe Panamanë) para inaugurimit të tij si President i SHBA-së kanë ngjallur shqetësime, në radhë të parë ndër vendet partnere të Amerikës. Sa reale dhe serioze duhet marrë deklaratat e tij?
A. Spahiu:
Deklaratat e Trumpit lidhur me një sërë çështjesh në politikën e jashtme kanë shkaktuar polemika të shumta, madje edhe shqetësime. Më befasuese ishin ato lidhur me Grenlandën dhe çështjen e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kanadasë, por edhe ajo mbi “Kanalin e Panamasë”, që nxitën polemika në botë pas deklaratave të Trumpit, i cili ka shprehur dëshirën që t’i përvetësojë si pjesë të SHBA-së, duke mos përjashtuar as përdorimin e forcës ushtarake ose ekonomike për t’i realizuar këto objektiva. Këtë duhet parë si sinjal që politika e jashtme e Donald Trumpit do të jetë ajo e ndryshimeve sinjifikative në përmasa globale që cenojnë rendin ekzistues ndërkombëtar, me ndikim për sovranitetin e shteteve dhe gjeopolitikën botërore.
Disa paralajmërime të tjera janë me po aq skepticizëm në skenën ndërkombëtare dhe këtu hyjnë edhe çështja e Ukrainës dhe raporteve me aleatët evropianë. Premtimi i tij i shpejtë se luftën në Ukrainë do ta ndalë brenda një muaji pasi të ketë takuar presidentin rus Putin dhe spekulimet se nuk do të mbështesë Ukrainën ushtarakisht në dëm të koncesioneve të mundshme territoriale ndaj Rusisë do të ishte po ashtu goditje për Ukrainën dhe Evropën Perëndimore dhe minim i “investimeve” perëndimore në ruajtjen e pavarësisë dhe sovranitetit të Ukrainës. Për më tepër, kjo do të linte Evropën pa mburojë kundruall pretendimeve të Rusisë.

Koha javore: Bota po ballafaqohet me shumë sfida në fushën e sigurisë globale, mbase më të mëdhatë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. A do të jetë në gjendje Trump t’i zgjidhë konfliktet ekzistuese, ku pa dyshim prioritet ka lufta ruso-ukrainase, apo mund të priten edhe konflikte të tjera (të reja) në të ardhmen?
A. Spahiu:
Pa dyshim, kthimi i Donald Trumpit si President i SHBA-së për herë të dytë do të minojë progresin në trajtimin praktikisht të krizave aktuale në botë. Kjo ka të bëjë me një varg çështjesh jetike të sigurisë globale. Rreziku i konfrontimit bërthamor aktualisht është më i madh se kurrë, sidomos pas përsëritjes së vazhdueshme të Putinit për përdorimin e armëve bërthamore të karakterit lokal dhe vendosmërisë së Trumpit për të mos u marrë me negocimin mbi kufizimin e armëve bërthamore. Trump thotë se do të rivlerësojë rolin e Shteteve të Bashkuara në NATO dhe do të konsiderojë reduktimin e ndjeshëm të përfshirjes së Uashingtonit në të. Politika e tij ndaj imigracionit do të thotë po ashtu përkeqësim të raporteve me vendet e Amerikës Latine.
Paralajmërimi i tij se prioritet do të kenë marrëdhëniet me Kinën dhe Rusinë është një paralajmërim për kthesa relevante në aspektin e raportit ndaj një sërë çështjesh të hapura dhe konfliktuoze në të ardhmen. Konfrontimi me Kinën do të jetë kryesisht ekonomik, por edhe në aspektin e sigurisë duke shikuar edhe mundësinë që Amerika të heqë dorë nga mbështetja e fuqishme ndaj Tajvanit, që do të ishte po aq një koncesion politik strategjik ndaj Kinës. Vëzhgues të ndryshëm shkojnë aq lag sa të shohin mundësinë që në një botë “trumpiane” të jetë krijuar një lloj “triumvirati” i përbërë nga SHBA, Kina e Rusia për të vendosur një gjeostrategji të re në përmasa globale.

Koha javore: Ajo që iu intereson më së tepërmi shqiptarëve është qëndrimi që do të mbajë diplomacia e re amerikane ndaj shqiptarëve, konkretisht çështjes së Kosovës, duke pasur parasysh edhe politikën e ndjekur në mandatin e tij të parë. A pritni që të ndryshojë politika amerikane ndaj Kosovës nën udhëheqjen e Trumpit? Si do të përfundojë konflikti (dialogu) Kosovë – Serbi? Profesori amerikan në Universitetin Johns Hopkins, Daniel Serwer, ka dhënë disa ide për ShBA-në, siç ka thënë ai, për korrigjimin e gabimeve që kanë bërë në rajonin e Ballkanit gjatë tre viteve të mandatit të presidentit Joe Biden?
A. Spahiu:
Tani mbetet për t’u parë nëse presidenti i ri Donald Trump do t’i vazhdojë këto politika, apo do të ketë një qasje më aktive me Kosovën, ndonëse ai njihet edhe nga mandati i tij i parë në Shtëpinë e Bardhë për qasje praktike përmes mjeteve jokonvencionale në funksion të arritjes së synimeve strategjike. Shpresojmë se në periudhën që vjen, ato që Trump konsideron “pjesë të botës me prioritet më të ulët”, si Ballkani, nuk do të margjinalizohen deri në atë pikë sa të lejohet përkeqësimi i situatës së sigurisë në rajon. Mendoj se, megjithatë, Uashingtoni do të kërkojë të korrigjojë gabimet e tre vjetëve të fundit, të cilat kanë qenë dështim diplomatik në Ballkan në të mirë të një qasjeje më të mirë të Uashingtonit kundruall dialogut me një strategji të fokusuar në mënyrë më të drejtpërdrejtë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për normalizim.
Është e paqartë nëse presidenti Donald Trump do të ndjekë politikat e pararendësit të tij në rajonin tonë. Shumë vëzhgues mendojnë se në fakt do të jenë politika të tjera, ndjeshëm të ndryshme. Ajo që administrata Trump do të kërkojë është një progres i ndjeshëm në rajonin tonë nga aktorë të ndryshëm dhe se mungesa e progresit nga palët do të adresohet nga Presidenti Trump në një formë krejtësisht tjetër. Pra, ai do të përdorë “mjete jokonvencionale për të arritur qëllimet e tij”, siç ka paralajmëruar. Është, madje e arsyeshme të pritet që Trump do të vazhdojë qasjen e tij nga mandati i parë të marrëveshjeve konkrete dhe dialogut, siç ishte ai i Uashingtonit.
Analisti i njohur amerikan Daniel Server ka dalë me disa ide për ta korrigjuar këtë kurs dhe se Amerika do të heqë dorë nga qasja e përdorimit të “karotës”, por jo edhe atë të “shkopit” në raport politik me Serbinë, sepse kjo qasje në mënyrë evidente ka dështuar dhe në vend se të prodhojë rezultate, ajo ka bërë që Serbia të mos bëjë asnjë centimetër ndryshim të politikës së saj ndaj Kosovës, por edhe ndaj rajonit duke kërcënuar sigurinë dhe paqen rajonale, si dhe duke u lejuar që të forcojë lidhjet me Rusinë dhe Kinën sa më larg agjendave integruese evropiane. Mendoj se idetë e Serverit për një platformë të re ndaj Kosovës dhe një qëndrim ndryshe në qasjet e Kosovës ndaj dialogut do të merren seriozisht. Për palën tonë, e vlen që ato ide të studiohen dhe të harmonizohen me qasjen dhe pozicionimin tonë të deritashëm.
Shpresoj se do të ketë një qasje më të kujdesshme që vetëkupton një angazhim më të drejtpërdrejtë të Uashingtonit në proceset në Ballkan, sidomos në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, duke iu bashkuar një qasjeje të përbashkët me BE-në dhe Britaninë e Madhe në këtë drejtim.

Koha javore: Ndaj Qeverisë aktuale të Kosovës shpesh janë dëgjuar kritika për prishjen e raporteve me SHBA-në. Sa të vërteta janë ato dhe cila është rruga që duhet të ndjekë Kosova në të ardhmen në marrëdhëniet e saj me SHBA-në?
A. Spahiu:
Është e vërtetë se marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara nuk kanë qenë në nivelin e duhur si mes dy vendeve mike dhe partnere. Në shumë raste gjatë periudhës së kaluar veprimet e Kosovës zyrtare kanë qenë shkas për tensione mes Prishtinës dhe Uashingonit, përkundër thirrjeve që politika e jashtme e qeverisë Kurti të jetë e kujdesshme në veprimet e saj “pa koordinim” me aleatin tonë më të madh. Arsyet për këtë “ftohje” të raporteve duhet kërkuar në qëndrimet e udhëheqjes së Kosovës ndaj çështjeve që kishin të bënin me veriun e Kosovës dhe me procesin e dialogut. Ndonëse strategjia diplomatike amerikane ndaj Serbisë dhe butësia me të cilën ajo ka treguar ndaj Vuçiqit ka pasur po ashtu një ndikim dëmtues në këto raporte. Në të vërtetë, Kosova ka pritur nga administrata Bajden një mbështetje më të madhe dhe më të qartë ndaj saj në konstelacionin aktual në Ballkan. Pritjet nga administrata Bajden nuk kanë qenë në proporcion me rezultatet sa i përket Ballkanit, në veçanti me Kosovën dhe kjo ka qenë zhgënjyese. Strategjia amerikane pësoi një ndryshim drastik në qasje: nga kërkesa për njohje të ndërsjellë në fund të një procesi normalizimi, në kërkesën për themelimin e “asociacionit” dhe presionin e drejtpërdrejtë ndaj Kosovës. Vendimet e administratës së Bajdenit lidhur me Ballkanin Perëndimor janë parë si të reduktuara në një vazhdimësi të qasjes preventive për t’i evituar rreziqet që i kanosen rajonit. Në përfundim të mandatit të tij presidencial, Joe Biden mori disa vendime në raport me Ballkanin Perëndimor, sikurse Dialogu Strategjik për avancimin e marrëdhënieve me shtetet e rajonit si dhe zgjeroi sanksionet ndaj atyre që kërcënojnë paqen në rajon. Kjo sikur ishte tepër pak dhe tepër vonë. Ndonëse platforma e “partneritetit strategjik” është një mundësi e mirë edhe për administratën Trump që mosmarrëveshjet me Kosovën të vihen në binarë të duhur. Siç vë në pah eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, këtë situatë Shtetet e Bashkuara po mundohen ta zhbllokojnë pikërisht nëpërmjet Dialogut Strategjik.
Është koha për një “ristartim” për Prishtinën në raport me Uashingtonin, që të përmirësohen gabimet dhe të ketë një koordinim të vërtetë me Uashingtonin sa i përket veprimeve në raport me Serbinë dhe qasjen ndaj dialogut. Një angazhim më i drejtpërdrejtë i Uashingtonit në proceset në rajon, sidomos në atë të dialogut, që është në krizë serioze të dështimit të plotë, do të lindte shpresa të reja. Mendoj se administrata e Trumpit do ta bëjë pikërisht këtë bashkë me BE-në për një angazhim më të madh në raport me Kosovën dhe qëndrimit më të ashpër të Uashingtonit ndaj Beogradit për të zhbllokuar ngecjen e dialogut për “normalizim”.

Bisedoi: I. Kallaba

Të fundit

më të lexuarat