Koha Javore: Si nisi rrugëtimi Juaj drejt teatrit dhe aktrimit në aspektin e formimit edukativ?
Gent M. Çajani: Unë jam studenti i gjeneratës së parë shqiptare që kam studiuar “Regji teatri dhe aktrim” në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Kam diplomuar në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Dua të falënderoj dy profesorët e mi të jashtëzakonshëm që bënë të mundur që studentët shqiptarë si unë të kenë mundësinë të ndjekin ëndrrat në art dhe film: pikërisht profesorin dhe regjisorin e njohur Mehmet Xhelili nga Shqipëria dhe mentorin tim të mrekullueshëm, Qëndrim Rijanin, profesor dhe regjisor nga Maqedonia e Veriut.
Të jesh pjesë e studentëve shqiptarë të brezit të parë që studiojnë për regji dhe aktrim është mjaft historike dhe e paharrueshme për mua. Unë jam mirënjohës që përjetoj rrugën artistike, të cilën e kam shumë pasion.
Pres me padurim se çfarë do më sjellë e ardhmja në aspektin profesional dhe unë jam shumë mirënjohës për dy profesorët e mi për mbështetjen e tyre të jashtëzakonshme dhe mësimet e jetës.
Koha Javore: Keni shënuar një sukses tjetër me shfaqjen teatrale “Tregimi zoologjik”. Mund të na thoni më shumë për përfshirjen tuaj në këtë projekt?
Gent M. Çajani: “Zoo story” përfaqëson jetën e njeriut të mbyllur brenda në kafazin e ndërgjegjes. Shumë pak njerëz kanë fuqinë për të qenë empatikë. Sot jetojmë në një kohë ku interesi i njerëzve mbizotëron të qenurit human dhe dashamirës ndaj njëri-tjetrit. Kemi humbur sensin e jetës duke nxituar të jetojmë në një jetë luksi të influencuar nga bota dixhitale dhe ne harrojmë të jetojmë në realitet. Me të vërtetë ne njerëzit kemi vdekur përbrenda.
E kishim shumë të vështirë t’i analizonim personazhet dhe t’i vendosnim në skenë për të treguar ndjenjën e të qenit i huaj në vendin tonë. Sepse vërtet qenia jonë është ndërlikuar shumë duke humbur sensin e të qenurit empatik.
Si regjisor besoj se kam mundur të shfaq vizionin tim artistik në skenë. Jam shumë i kënaqur me ekipin fantastik të “Zoo story”, kryesisht Berat Mahmutin, Rrahim Ramadanin dhe Granit Velën.
Koha Javore: Për çfarë flet historia e “Tregimit zoologjik”?
Gent M. Çajani: “Tregimi zoologjik” është shkruar nga Eduard Albe, një dramaturg shumë i njohur në SHBA, i cili përfaqëson “Teatrin e absurdit”. Shfaqja flet për dy personazhe që takohen në Central Park (NY). Xheri, protagonisti i cili kishte ikur nga spitali psikiatrik dhe Piter, i cili sapo erdhi në park për të shkruar librin e tij “best seller”.
Këta dy personazhe përfaqësojnë njëri-tjetrin në një pozicion shumë të çuditshëm, sepse ata përpiqen të kuptojnë njëri-tjetrin, por kjo përfundon jo mirë në fund. Xheri nuk u kuptua kurrë nga të tjerët, gjë që e bëri atë të çmendur. Ndërsa Piter, një personazh shumë konservativ, ai ikën nga shtëpia e tij vetëm për t’u qetësuar dhe për të gjetur paqen brenda vetes.
Koha Javore: Shpresoj që shfaqja të nxisë një diskurs konstruktiv për të ndryshuar kontekstin e të qenurit “i huaj” përballë jetës së përditshme. Çfarë ndodh kur ne humbasim sensin për të jetuar? Si mund ta fitojmë lirinë, pa mos e lënduar askënd?
Kush tjetër ishte pjesë e “Zoo story”?
Gent M. Çajani: Berat Mahmuti luan Xherin, kurse Rrahim Ramadani luan Piterin. Ne kishim edhe Granit Velën, kitaristin që e quajtëm Xhek, një i pastrehë, i cili e pa të gjithë historinë dhe shkroi një këngë për të.
Koha Javore: Urime për shpërblimin me çmimet e regjisorit dhe aktorit më të mirë! Si ka qenë përvoja Juaj në Festivalin Ndërkombëtar Othello dhe Akt Fest Shkup? Çfarë shfaqjesh keni sjellur në këto dy festivale?
Gent M. Çajani: Jam shumë i gëzuar që mora një çmim që në fillim të karrierës time, çmimin “Regjisori më i mirë” me “Zoo story” në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Othello, Maqedoni e Veriut (2020). Berat Mahmuti fitoi çmimin “Aktori më i mirë i ri” me “Zoo story” në AKT Fest Shkup (2020).
Koha Javore: Çfarë filmash apo shfaqjesh teatrale keni drejtuar?
Gent M. Çajani: Karriera ime artistike si regjisor filloi në vitin 2019 me shfaqjen “Tregimi zoologjik”. Në 2021 isha regjisor i dy projekteve: “Stoned” projekt filmik që përfaqëson jetën e të rinjve në Maqedoninë e Veriut dhe në Ballkan; dhe “Të mallkuarit”, një shfaqje, bazuar në një histori të vërtetë, që përfaqëson jetën e tre emigrantëve në Greqi.
Në 2022 isha regjisor i “Requiem për Musine Kokalarin”, një shfaqje teatri dokumentar, që përfaqëson jetën e Musine Kokalarit (ikona shqiptare), shkrimtares së parë femër në Shqipëri dhe zonjës së parë që krijoi Partinë Socialdemokrate.
Koha Javore: Në cilat projekte keni marrë pjesë si aktor?
Gent M. Çajani: Kam aktruar në filmin “The Artists Lunacy” (2018) me regji Murat Zherka, produksion “Lumiere films”, Shkup, Maqedoni e Veriut.
Koha Javore: Keni një projekt të preferuar dhe pse?
Gent M. Çajani: Të gjitha projektet e mia janë bërë me shumë dashuri, i dua të gjitha projektet dhe bashkëpunimet e mia që kam pasur deri më tani.
Koha Javore: A e shprehni kreativitetin në ndonjë mënyrë tjetër?
Gent M. Çajani: Më pëlqen ta shpreh artin tim në shumë mënyra. Unë pikturoj herë pas here dhe punoj si agjent shitjeje për një artist të madh në Evropë. Më pëlqen fotografia dhe kam marrë pjesë në ekspozita si fotograf. Unë bëj shumë gjëra duke u përpjekur të shpreh ndjenjat e mia në mënyra të tjera të të bërit art, si shkrimi i poezive, këndimi dhe udhëtimi.
Koha Javore: Për çfarë po punoni aktualisht?
Gent M. Çajani: Aktualisht po punoj për projektin e radhës për këtë vit që do të zhvillohet në teatër. Është një shfaqje me tre personazhe “Bualli amerikan” nga David Mamet.
Intervistoi: Artemisa Kastrioti