
Rrugëtimi nëpër kohë dhe hapësirë, në çdo qytet, ka legjenda, anekdota dhe tregime të ndryshme, kështu që edhe qyteti ynë i bukur Ulqini me rrethinë i ka legjendat dhe tregimet e veta gojore, fjalë të urta dhe terma që pak më rrallë mund t’i hasim në gjuhën e përditshme.
Ruzhdi Hasanaga, në krahasim me shumë të tjerë të cilët merren me studime të tilla, ka bërë një punë të madhe dhe të rrallë, duke shënuar dhe mbledhur terma interesante dhe fjalë të urta popullore, të cilat ai i ka dëgjuar gjatë punës së tij 40-vjeçare në rrethinën e Ulqinit. Më vonë i ka botuar ato në një libër me titull interesant: ”Frazeologji dhe fjalë të urta të shqiptarëve në Mal të Zi”, duke përdorur formën autoktone shqipe të rrethinës së Ulqinit. Një gjë të tillë nuk e ka bërë askush tjetër dhe kjo është për t’u lavdëruar dhe respektuar.
Ruzhdiu ka gëzuar gjithmonë respekt të veçantë tek e gjithë popullata e Ulqinit dhe rrethinës, në veçanti në kohën kur ka qenë aktiv. Qëndrimi dhe sjellja e tij, fjalët e ëmbla, buzëqeshja dhe mënyra e trajtimit dhe e zgjidhjes së problemeve me të cilat janë përballur qytetarët tanë, sidomos në fshatrat e rrethinës së Ulqinit, e kanë ngritur punën e tij në një nivel të lartë. Pavarësisht se ka një kohë që është në pension, ai ende gëzon respekt të madh. Edhe sot e pyesin për këshilla. Askënd nuk e refuzon. Dera e shtëpisë së tij është gjithmonë e hapur për këshilla dhe sugjerime.
Ndikimi i tij në fushën e veterinarisë, në veçanti derisa ka qenë aktiv, ka qenë i madh dhe shumë mendime të tij në këtë lëmë i kanë respektuar kudo. Mirëpo, duhet të ceket që ky njeri i rrallë, që nga fillimi i punës së tij ka filluar të merret edhe me studime dhe grumbullimin e fjalëve dhe termave që i ka dëgjuar në vendet ku janë përdorur. Prandaj fjalori dhe frazeologjia e përmbledhur e këtyre termave është unike dhe e rrallë. Është mirë që një punë e tillë, e bërë nga Ruzhdi Hasanaga, do të mbesë përgjithmonë e shkruar për gjeneratat që do të vijnë pas nesh. Prandaj, edhe një respekt i veçantë, një mendim modest nga autori i këtij shkrimi, kushtuar këtij intelektuali të rrallë.
Materiali i tillë është grumbulluar dhe sistematizuar, shënuar spontanisht gjatë një periudhe të gjatë kohore, gjatë shërbimit të tij, duke i dëgjuar njerëzit gjatë kohës së vizitave si veteriner.
Me një pasion të madh dhe me një përkushtim të veçantë mbi 40 vite, Ruzhdiu ka grumbulluar thesarin popullor, fjalët e urta popullore dhe fraza të cilat ende sot përdoren në gjuhën tonë të bukur
Ky njeri i jashtëzakonshëm tregon se të gjitha këto i ka bërë për kënaqësi shpirtërore.
“Më vonë e kam vendos ta bëj një përmbledhje për një libër i cili do të mbesë në arkivin e fjalorit tonë të pasur popullor”, tregon ai.
Edhe disa të dhëna nga biografia e këtij njeriu të mirë dhe të “butë”, siç thotë populli ynë. Ka lindur në një familje me një pedigre të veçantë, në vitin 1937. Pas shkollës fillore në Ulqin, ndjek gjimnazin “e fortë” të asaj kohe në Tivar, në gjuhën serbokroate, siç është quajtur më parë.
Pas përfundimit të gjimnazit ka regjistruar Fakultetin e Mjekësisë në Zagreb, drejtimin e veterinarisë, dhe pas studimeve bëhet veterineri i parë shqiptar në Mal të Zi.
Pa ndërprerje, afër 40 vite, ushtron detyrën si drejtor i Stacionit të Veterinarisë deri në pension. Gjithmonë ka qenë i papritueshëm. Asgjë nuk ka mundur ta ndalë për të shkuar të japë ndihmën atje ku është nevojitur ndihma e tij.
Edhe diçka tjetër nga opusi i veprimtarisë së tij. Ky njeri modest, i sjellshëm dhe i aftë, vite me radhë ka qenë këshilltar i angazhuar në Radio Titograd. Ende edhe sot ruhen këshillat që i ka dhënë në radio për sëmundjet e kafshëve, që ishin shumë të përhapura në ato kohë.
Është e nevojshme të përmendet se Ruzhdiu ka shkruar po ashtu edhe shumë artikuj në revistën “Praxis” të Zagrebit, punime me vlerë në lëmin e veterinarisë për mjekimin e kafshëve. Dhe në fund të punës së tij shumëvjeçare është treguar edhe si mbledhës i frazeologjisë së gjuhës sonë shqipe. Ka bërë një punë të madhe duke i nxjerrë nga harresa termat dhe frazeologjinë popullore, në erën e kompjuterëve, rrjeteve sociale dhe kohës moderne.
Ai ende studion, shkruan dhe hulumton gjëra të ndryshme nga e kaluara jonë. Ka shkruar shumë artikuj dhe studime lidhur me profesionin e tij, të cilin e ka ushtruar deri në perfeksionizëm.
Rrjeti social Facebook më përkujtoi në një shkrim modest që ia kam kushtuar më herët. Kjo zgjoi tek unë emocione dhe frymëzim për të shkruar një portret pak më të gjatë.
Rastësisht e kam takuar në Ranën e Ulqinit, pas përurimit e librit të tij. Ishte duke shijuar erën e detit në Ranën tonë të bukur. E fotografova, pa ditur që një ditë do ta përdori këtë fotografi për një portret modest të tij.
Duke e analizuar vendin ku ai ka lindur, është shkolluar dhe ka studiuar, duke filluar nga Ulqini, Tivari dhe Zagrebi i Kroacisë, mund të vërehet se sa shumë kanë ndikuar në zhvillimin e personalitetit të tij. Këto mjedise të ndryshme kanë bërë dhe kanë formuar një veteriner të dalluar dhe specialist në këtë lëmë.
Ruzhdiu ka qenë një punëtor i palodhur, pa orar të caktuar, por gjithmonë duke punuar ditë dhe natë pa refuzuar asnjë person për t’ia kryer shërbimin e nevojshëm. Duhet të ceket që nga puna dhe shërbimi i tij kanë qenë të varur shumë njerëz të cilët janë marrë me blegtori, në veçanti në rrethinën e Ulqinit, në Anë të Malit dhe kudo tjetër.
Një shembull i tillë, siç është Ruzhdi Hasanaga, pa dyshim që meriton të përmendet dhe mos të harrohet. Ruzhdiu është i rrallë dhe i veçantë.
Ndoshta dikur ai do ta gëzojë vendin e merituar në trashëgiminë tonë. Emri i tij me siguri do të jetë në majën e veterinarisë te ne. Dhe në fund të këtij portreti, po i përsëris disa fjali nga shkrimi që kam shkruar pas përurimit të librit të tij.
Ruzhdiu siç nuk e kemi njohur!
Kështu e kam filluar shkrimin tim kushtuar personalitetit dhe librit të tij të përuruar më 23 prill 2017, në Qendrën e Kulturës – Ulqin. Ishte kjo një befasi për të gjithë të pranishmit. Një mbrëmje solemne e paharruar që më ka mbetur në kujtesën time.
Titulli i librit “Frazeologji dhe fjalë të urta të shqiptarëve në Mal të Zi” zgjoj interesim te të gjithë që merren me hulumtime dhe studime të frazeologjisë popullore.
Vetëm termi “fjalë të urta” mjafton të lexohet dhe të studiohet, në veçanti kur dëgjoni që Ruzhdiu këto fjalë i ka mbledhur gjatë rrugëtimit 40-vjeçar.
Ishte kjo një befasi e rrallë për të gjithë ata që pak e shumë e njohin Ruzhdiun, apo më saktë, të cilët kanë menduar se e njohin. Të gjithë ne e njohim Ruzhdiun si një njeri të qetë, modest, një njeri i cili nuk din ta ngrejë zërin asnjëherë.
Ruzhdiu gjithmonë ka qenë i pashëm, i veshur në mënyrë elegante, markant dhe i komunikueshëm. Të gjithë anëtarët e fisit Hasanaga janë të mirë, të veçantë, mirëpo Ruzhdiu dallohet, është i jashtëzakonshëm, i rrallë. Prandaj edhe them se kjo ishte një befasi e këndshme për shumë intelektualë dhe krijues nga Ulqini dhe më gjerë. Me një pasion të madh dhe me një përkushtim të veçantë mbi 40 vite, Ruzhdiu ka grumbulluar thesarin popullor, fjalët e urta popullore dhe fraza të cilat ende sot përdoren në gjuhën tonë të bukur.
Fjala e shkruar mbetet dhe ruhet nga harresa. Edhe unë them se Ruzhdiu, siç e thotë edhe ai në librin e tij, “kam dhënë një ndihmesë kundër harresës, në përtërirjen e traditës kulturore, në ruajtjen dhe pasurimin e gjuhës së folur.”
Ky ishte edhe qëllimi i tij. Unë do të shtoja se Ruzhdiu e arriti këtë qëllim dhe pa dyshim ky libër gjithmonë do të jetë një burim për studiues të gjuhës dhe thesarit tonë popullor.
Më ka mbetur në kujtesë edhe një ekip i respektuar i folësve, të cilët i dhanë kësaj mbrëmjeje një solemnitet të rrallë. Në këtë mbrëmje solemne, për veprën e autorit folën panelistët Hajro Ulqinaku, Hajredin Kovaçi, si edhe mysafiri nga Shqipëria Prof. dr. Stavri Trako. Në këtë mbrëmje, shpjegime dhe sqarime të disa termave dha edhe prof. dr. Ruzhdi Ushaku.
…
Edhe pse në moshë, Ruzhdi Hasanaga ende është markant, i qeshur dhe gjithmonë elegant i veshur. Kafen e parë të mëngjesit e pi në Bar “Venus”, ku rri dhe bisedon me njerëz të cilët gjithmonë i befason me punën e tij hulumtuese. Ende shkruan, studion dhe hulumton.
I dëshiroj jetë të gjatë dhe të bukur.