Veprimtar me referenca të larta universale në fushën e ekonomisë

Shaban Hasangjekaj

Fshati Vuthaj i Komunës së Gucisë, dikur ishte njëri ndër vendbanimet më të mëdha në Komunën e Plavës. Asokohe numëronte mbi 200 familje me mbi 1.200 banorë tërësisht të popullatës shqiptare. Është fshat piktoresk përballë Alpeve të thepisura shqiptare, e rrëzë bjeshkëve të larta me pyje e kreshta, Bjeliçit, Ropojanit e Zastanit, me pozitë kodrinore, me bukuri e atraksione të rralla natyrore (kanjone, ujëvara, lugina, bregore e shpella) të cilat janë motiv joshës të shumë vizitorëve nga komuna, por edhe e turistëve mysafirë anekënd botës, të cilët fitojnë përshtypjen se kanë të bëjnë me një trevë atraksionesh e bukurish që ka krijuar natyra, të cilat rrallë kund mund t’i gjeni, si Ujëvara Gërla (te Hartini), Syri i kaltër (i Skavkaçit), Krojet e Ali Pashë Gucisë etj.
Por gjithsesi, fshati Vuthaj më tepër veçohet, njihet e përmendet si vatër e denjë dhe e paepur e shumë ngjarjeve dhe ndodhive historike, por edhe të trashëgimisë etno-kulturore dhe të identitetit kombëtar shqiptar. Mirëpo ajo që më së shumti e karakterizon dhe e bën të zëshëm dhe më të theksuar atë, është e dhëna se fshati Vuthaj është truall burimi i një plejade intelektualësh shqiptarë profilesh të ndryshme profesionale, të cilët kontributin e vet e japin në komunat e Plavës dhe Gucisë, në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni të Veriut, në ca qendra të Malit të Zi, por edhe anekënd botës. Njëri ndër ta është edhe ekonomisti Prof. Dr. Mujë Halil Gjonbalaj, jeta dhe veprimtaria gjithëpërfshirëse e të cilit është e begatë dhe mjaft e bujshme. U lind në fshatin Vuthaj të Komunës së Gucisë, më 23 prill të vitit 1956, nga e ëma Grishë Hasangjekaj – Gjonbalaj dhe i ati Halil Kurti Gjonbalaj, në një familje tipike tradicionale shqiptare, me veti dhe tipare atdhedashëse patriotike, mikpritëse e bujare. Në familje ku prindërit Halili dhe Grisha rritnin tetë fëmijë, katër vajza dhe katër djem, Muja ishte djali i dytë, gjegjësisht fëmija i gjashtë me radhë i familjes. I rritnin në kushte të vështira ekonomiko-sociale, të cilët asokohe si shumica e familjeve të kësaj ane, mbijetonin me bujqësi dhe blegtori.
Mujë Halil Gjonbalaj shkollimin fillor katërklasësh (I-IV) e ka kryer në vendlindje – në fshatin Vuthaj, ndërsa katër klasët e ciklit të lartë (V-VIII) i ka kryer në Shkollën Fillore tetëvjeçare “Xhafer Nikoçeviq” në Guci, ku ishte nxënësi më i mirë i gjeneratës.
Në vitin 1970, Halil Kurti me familje shpërngulet nga Vuthajt dhe vendoset në lagjen Bërzhenik të Pejës. Muja asokohe kishte të kryer shkollën fillore dhe regjistrohet në shkollën e mesme ekonomike në Pejë të cilën e përfundon në vitin 1975. I etur për dritë e dije dhe i mbështetur e ndihmuar nga prindërit dhe familja, në të njëjtin vit regjistrohet në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë dhe diplomohet në vitin 1979, ku dhe bëhet fitues i çmimit “student i dalluar” i Universitetit të Prishtinës.
Me qëllim të zgjerimit dhe përsosjes së diturisë në shkencën e ekonomisë, Mujë Halil Gjonbalaj në vitin 1982 regjistrohet dhe dy vite me vonë, më 1984 magjistron në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Zagrebit në temën: “Ndikimi i migrimeve të jashtme në zhvillimin ekonomik në Kosovë”. Në vitin 1995 doktoron në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës në temën: “Komponenti Ekonomik dhe Demografik i zhvillimit të popullsisë së Kosovës”. Në vitet 1987-1988 ndjek studimet specialistike në fushën “Evaluimi i projekteve sipas metodologjisë së Bankës Botërore” në Universitetin e Zagrebit.
Me përfundimin e studimeve në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës në vitin 1979, Mujë Halil Gjonbalaj punësohet në cilësi të profesorit në Shkollën e Mesme Ekonomike “Luigj Gurakuqi” në Klinë të Kosovës. Në periudhën kohore 1980-1997 ka punuar në Institutin Ekonomik të Prishtinës, fillimisht si hulumtues më pastaj si hulumtues i pavarur, bashkëpunëtor i lartë shkencor, dhe në vitin 1997 avancohet në thirrjen shkencore “Këshilltar shkencor”. Gjatë viteve 1995-1997 ishte edhe kryeredaktor i revistës shkencore “Economia”.
Po në vitin 1997, Dr. Mujë Halil Gjonbalaj zgjedhet në thirrjen docent, në vitin 2005 profesor i asocuar, dhe në vitin 2010 profesor i rregullt në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë, Departamenti i Agroekonomisë për lëndët: statistikë, statistikë splikative, biometri me statistikë dhe evaluimi i projektit.
Në periudhën kohore 2009-2017 në cilësinë e bashkëpunëtorit të jashtëm, Prof. Dr. Mujë H. Gjonbalaj ka ligjëruar disa lëndë në nivelin bachelor, master dhe në programin e doktoratës në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Në periudhën 1999-2000 ka ushtruar funksionin e zv/ministrit në Ministrinë e Ndërtimit dhe Rindërtimit në Qeverinë e përkohshme në Kosovë, dhe në periudhën kohore 2002-2004 ka ushtruar detyrën e Këshilltarit të parë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë të Qeverisë së Kosovës. Për më shumë se një dekadë e ka udhëhequr Departamentin e Agroekonomisë në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë. Kohë pas kohe ka qenë anëtar i disa trupave profesionale dhe shkencore në Institutin Alb-shkenca, Agjensioni i statistikave të Kosovës, anëtar i Komisionit për publikime në fushën e ekonomisë në kuadër të Universitetit të Prishtinës, anëtar i Asociacionit të Ekonomistëve të Kosovës, anëtar i Asociacionit të Ekonomistëve Shqiptarë, bashkëthemelues dhe bashkëpronar i Institutit për menaxhimin e marketingut dhe të ndërmarrësisë në Prishtinë, udhëheqës dhe anëtar i Komisionit për mbrojtje të temave të masterit dhe doktoraturës në Universitetin e Prishtinës, Universitetin e Tiranës dhe Kolegjin ILIRIA, bashkëprofesor në Universitetin veror ndërkombëtar të Prishtinës në vitin 2013/2014, recensent i një numri të punimeve dhe i monografive shkencore në vend dhe jashtë.
Prof. Dr. Muj Halil Gjonbalaj ka botuar pesë monografi si autor apo koautor. Ka në dorëshkrim librin universitar “Menaxhimi i projektit”. Është autor dhe bashkautor i 38 punimeve në revista shkencore, autor dhe koautor i 55 projekteve dhe elaborateve në fushën e zhvillimit ekonomik. Në kuadër të projekteve të ndryshme, Muja ka bashkëpunuar me një numër të institucioneve dhe organizatave vendore dhe ndërkombëtare si: Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Banka Evropiane për Investime, USAID (SHBA), GIZ (Gjermani), DflD (Mbretëri e Bashkuar), Intercooperation (Zvicër), Banka Evropiane për rindërtim dhe zhvillim (IBRD), FAO etj. Ka marrë pjesë me kumtesa në disa konferenca shkencore në vend dhe jashtë, është autor i disa artikujve publicistik dhe i vështrimeve kritike në fushën e ekonomisë. Ka realizuar vizita studimore në Universitetin e Tiranës, Zagrebit, Hohenhajmit në Gjermani dhe Universitetin e Bokus në Austri.
Përndryshe, Prof. Dr. Mujë Halil Gjonbalaj tani është pensionist, jeton në Prishtinë me bashkëshorten Dritën e cila po ashtu është doktoreshë e ekonomisë. Është prind i tri vajzave: Festës, Albës dhe Fjollës, të cilat kanë titujt master në profilet e veta profesionale, Festa të fituar në Gjermani, Alba në Angli dhe Fjolla në SHBA. Edhe pse në pension, ende është aktiv në profesionin e vet. Kohë pas kohe e viziton Pejën ku e ka shtëpinë familjare, por edhe Vuthajt ku u lind dhe kaloi rininë e hershme.

Të fundit

më të lexuarat