Në plejadën e krijuesve të shumënumërt të opusit të gjerë letrar në gjuhën shqipe nga Peja, Kosova dhe më gjerë padyshim, bënë pjesë edhe shkrimtari, publicisti dhe kronisti, Sejdi Bajram Berisha.
U lind më 10 qershor të vitit 1947. Qysh si nxënës i shkollës fillore, fillon të shkruaj poezi, të cilat së pari i botohen në gazetën “Flaka e Vëllazërimit” të Shkupit, pastaj në gazetën (revistën) për fëmijë “Pionieri” dhe në “Rilindja për fëmijë”. Nga këtu zë fill edhe zhvillimi i talentit të tij edhe si shkrimtar edhe si gazetar.
Si nxënës i Gjimnazit “11 Maji” të Pejës bashkëpunon me gazetën studentore “Bota e Re”, kurse që nga viti 1970 bëhet bashkëpunëtor mjaft produktiv i gazetës “Flaka e Vëllazërimit” që botohej në Shkup.
Në viti 1972, punësohet në Radiotelevizionin e Prishtinës, përkatësisht në Radio-Prishtinë si korrespondent nga Peja, prej nga raporton dhe informon opinionin e gjerë për ngjarjet dhe aktivitetet e gjithmbarshme nga ky rajon: Peja, Deçani, Klina dhe Istogu. Në këtë detyrë qëndron gjithnjë deri në korrik të vitit 1990, kur policia serbe me dhunë i dëbon nga vendet e tyre të punës të gjithë punëtorët shqiptarë të RTP-së (Radiotelevizionit të Prishtinës).
Sejdi Berisha, gjatë punës në Radio-Prishtina ka arritur titullin e Redaktorit të Kategorisë së parë dhe përpos që ka përcjellë zhvillimit dhe ngjarjet në territorin e Pejës dhe në tri komunat tjera të cekura më lart, kohë pas kohe ka raportuar edhe për ngjarjet dhe tubimet më të rëndësishme anë e kënd ish Jugosllavisë. Ka qenë edhe reporter në manifestimet kulturore siç ishte Festivali i Teatrove të Jugosllavisë, Festivali Republikan i Teatrove të Kosovës, Serbisë dhe Vojvodinës dhe Festivali i Teatrove Amatore të Kosovës, të cilat për çdo vit mbaheshin në Trebinje të Bosnjës dhe Hercegovinës, në Kulla të Vojvodinës dhe në Ferizaj të Kosovës.
Për punën cilësore dhe profesionale, Sejdi Bajram Berisha, disa herë është shpërblyer dhe ka marrë mirënjohje. Në ndërkohë, pesë vite ka qenë edhe gazetar-korrespondent i Televizionit të Prishtinës, kurse pas vitit 1980, edhe gazetar i të përditshmes “Rilindja”.
Ky krijues, publicist dhe kronist, në nëntor të vitit 1982 nxori numrin e parë të gazetës “Peja” dhe ishte themelues i Radio-Pejës në vitin 1981. Në vitin 1982 ishte drejtor i këtij institucioni me rëndësi të veçantë informative dhe shoqërore, por duke mos u pajtuar me koncepcionet e udhëheqjes së atëhershme të Kuvendit Komunal të Pejës, nën patronazhin e të cilit ishte edhe Radio-Peja, e që një koncepcion i tillë nuk lejonte hapësirë për punë kreative cilësore dhe profesionale, tërhiqet nga kjo detyrë dhe sërish kalon me punë në Radio-Prishtina.
Sejdi Bajram Berisha është njëri prej punëtorëve më të mirëfilltë të kulturës në Pejë dhe më gjerë. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe i Lidhjes së Gazetarëve të Kosovës.
Është krijues i denjë i paepur dhe produktiv i opusit të gjerë të letërsisë shqipe – poet, prozator, romansier, dramaturg dhe kronist.
Deri më tani ka botuar 36 vepra letrare në poezi e prozë dhe katër drama të cilat i janë emituar në valët e Radio Prishtinës.
Veprat letrare: 1. “Kombinati i lëkurë këpucëve në Pejë”, monografi,(1984), 2. “Tronditje”, (poezi, 1991), 3. “Mendia në rreth” (prozë, 1993), 4. “Feniksi” (poezi, 1993). 5. “Simfoni pritjeje” (poezi, 1995). 6. “Zejtarët e Pejës” (monografi, 1995), 7. “Gabim stinësh” (poezi, 1996), 8. “Në cep koha” (peezi,1997) 9. “Vrasësi i gjumit” (roman, 1999), 10 “Heraldika” (poezi, 2000), 11. “Lumturia e dhembjes” (eseistikë, 2002), 12. “Freskia e pluhurit” (poezi, 2002), 13. “Piramida e ironisë” (eseistikë, 2004), 14. “Plagë në pikturë” (poezi, 2005), 15. “Fjala e gjakut” (tri poema kushtuar Prekazit, Gllogjanit dhe Koshares, 2006), 16. “Shpërputhje kohe” (ese, shkrime kritiko-letrare, vështrime jete, 2006), 17. “Kaq shumë vetmi” (poezi të zgjedhura, 2007), 18. “Dashuro një minutë” (poezi dashurie, 2007), 19. “Homazhe tek mendja” (ese, 2008), 20 “E bukura e rrugëtimit” (këndvështrime letrare, 2008), 21. “Fjalë e pathënë” (poezi, 2009), 22. “Zejtarët e Pejës” (monografi, botimi i dytë, 2010), 23. “Kërko dhembjen time” (poezi, 2011), 24. “Mallkimi i heshtjes” (shkrime refleksive, 2011), 25. “Teatri i Pejës” (monografi, 2012), 26. “Vargje të këputura (poezi, 2012), 27, “Përtej shkrimit” (shkrime të plasura, baladë shkrimesh, kujtime, mendime, vlerësime dhe biseda për njeriun, dhe të tjerët për mua, 2013), 28. “Gjethet e hirta të zemërimit” (poezi, 2014), 29. “Në lum bie shi” (poezi, 2015), 30. “Konflikti me vetveten” (Ese, shkrime të tjera, 2016), 31. “Gërshetimi krijues dhe urat letrare” (Analiza dhe këndvështrime letrare, 2016), 32. “Kthimi në shtëpinë që nuk ekziston” (poezi të përkthyera në gjuhën greke, 2016), 33. “Varrtarët kush do t’i varrosë” (poezi, 2017), 34. “Zejtarët e Pejës, roli dhe kontributi i tyre në zhvillimin ekonomik dhe kulturor” (monografi – botimi i tretë, 2017), 35.” Peizazh i jetës sime (poezi, 2018), 36. “Njeriu pa vendlindje – thjeshtë, dhembja dhe lumturia e jetës bashkë” (libër autobiografik, 2019).
Dramat e botuara: 1.”Valsi i kuq” (1976), 2. Vdekja e bardhë” (1985), 3. “Ministria” (1987) dhe 4. “Obelisku pa adresë” (2005). Kjo monodramë është përgatitur dhe shfaqur nga Trupa teatrale e Teatrit të Klinës më 27 prill të vitit 2007, në kuadër të Ditës së të pagjeturve dhe të 40-vjetorit të punës së aktorit Ismet Krasniqi. Ndërsa në prill të vitit 2017, është përgatitur dhe shfaqur në Teatrin “Istref Berolli” të qytetit të Pejës, kurse është shfaqur edhe në shumë qytete të tjera të Kosovës dhe më gjerë. Më 17 janar të vitit 2014, Teatri i qytetit të Pejës dramën “Obilesku pa adresë” e ka shfaqur edhe në Teatrin Kombëtar në Prishtinë.
Veprimtari, vizionari universal i denjë dhe i paepur i krijimtarisë letrare në gjuhën shqipe, Sejdi Bajram Berisha, jeton dhe vepron në Pejë. Që nga viti 2002, disa herë ka qenë anëtar i Bordit të Teatrit Profesionist “Istref Begolli” të Pejës, po ashtu ka qenë anëtar i Këshillit Artistik të Galerisë së Arteve të qytetit të Pejës dhe për një kohë të shkurtër edhe kryetar i Bordit të Qendrës për Mirëqenien e Gruas (OMG-së) në Pejë.
Në Manifestimin kulturor “Kultura Pejane ndër vite” që u organizua më 24 nëntor të vitit 2011 – 30 nëntor 2011, Sejdi Berisha u nderua me Çmimin “Krijues i dalluar i vitit”, ndërsa në Poetekën mbarëkombëtare “Ndue Bytyçi” që u mbajt në Tiranë më 26 gusht të vitit 2012, u nderua me Çmimin e dytë për poezinë më të mirë dhe në takimet e para letrare tradicionale kombëtare “Ora e Thir Deskut” në Klinë më shtator të vitit 2009 u nderua me Çmimin e parë për poezinë më të mirë të lexuar në këtë manifestim letrar kombëtar. Sejdi Berisha është fitues i Çmimit “Din Mehmeti” në Mitingun e 50-të të Poezisë në Gjakovë, për librin me poezi “Gjethet e hirta të zemërimit”, si libri më i mirë i botuar ndërmjet dy mitingjeve më 9 maj të vitit 2014.
Me veprimtarinë e vet të bujshme krijuese letrare, Sejdi Berisha është i prezantuar në Antologjinë e autorëve të cilët u kanë kushtuar vargje nënave dhe femrave, të botuar në Londër, pastaj në Antologjinë “Ars Poetika”, botues MEDUAR.
Shkrimtari, publicisti dhe kronisti Sejdi Berisha, është përfshirë edhe në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës, të cilin e botoi Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës bë vitin 2018. Ai është i prezantuar edhe në Antologjinë e Bibliotekës së Prizrenit “Nga gjerdani kombëtar”, e cila është botuar me rastin e 70-të vjetorit të kësaj biblioteke, e cila është më e vjetra në Kosovë, e në të cilën antologji janë prezantuar shtatëdhjetë (70) krijues të përzgjedhur nga të gjitha trojet shqiptare dhe diaspora.
Në 70-vjetorin e Bibliotekës së Prizrenit, poezia e tij e botuar në Antologjinë e këtij asociacioni, është shpallur poezia më e mirë e botuar në këtë vepër. Ky krijues letrar me krijimet e veta është i përfshirë edhe në Antologjinë me titull “Antologji e Poezisë Moderne Shqipe” në vitin 2014 dhe në librin “Krijuesit e zgjedhur kombëtar” etj.
Për aktivitetin e bujshëm krijues nga opus i gjerë i letërsisë shqipe është nderuar dhe shpërblyer me një vistër çmimesh, dhuratash e mirënjohjesh. Është fitues i Çmimit “Vendi i Parë” për poezinë më të mirë të lexuar në Takimet e VI-ta Letrare Tradicionale Kombëtare “Ora e Tahir Deskut” në Klinë më 9 shtator të vitit 2014. Në po këto Takime letrare që u mbajtën në shtator të vitit 2016, libri i tij me poezi “Në lum bie shi”, u shpall libri më i mirë i botuar ndërmjet dy takimeve në fjalë. Ndërkaq, Lidhja Ndërkombëtare e poetëve, shkrimtarëve dhe artistëve “Pegasi-Albania”. shkrimtarin dhe publicistin Sejdi Berisha e shpalli “Poet i vitit 2016” për Kosovën. Krijuesi dhe veprimtari shumëdimensional i krijimtarisë letrare shqipe, Sejdi Berisha, është edhe një prej hartuesve të Antologjisë së postëve të Malësisë së Gjakovës në vitin 2014. Ai në Takimet Ndërkombëtare “Trirema e Poezisë Joniane” në Sarandë, nga kryetari i Bashkësisë së këtij qyteti me vlera të larta shpirtërore, kulturore, historike dhe turistike, u nderua me bustin e DEA-Hyjnesha në Fron e Butrintit, më 27 shator të vitit 2014, kurse në Festivalin Ndërkombëtar të Monologut “Art pa kufij”, që u mbajt në Sarandë prej më 8 deri më 10 maj 2015, monologu nga monodrama “Obilesku pa adresë”, të cilin e interpretoi aktori Ismet Krasniqi Lala, u nderua me Çmimin e Parë të festivalit. Është fitues edhe i shumë çmimeve të tjera letrare dhe publicistike e kulturore në Kosove dhe Shqipëri.
Në fund të tekstit të këtij portreti vërtetë madhështor, pa ngurrim dhe me plot gojë, shpirt dhe ndjenja, konfirmoj se shkrimtari, publicisti dhe kronisti, Sejdi Berisha, me veprimtarinë e vet krijues universale e shumëdimensionale më se një gjysmë shekulli, padyshim ishte njëri ndër krijuesit më të frytshëm dhe produktiv, jo vetëm në Pejë ku jeton dhe krijon e vepron, por edhe në Kosovë dhe më gjerë, duke e pasuruar letërsinë shqipe me një vistër veprash me peshë dhe vlerë të lartë nga zhanret e ndryshme letrare.
Edhe pse në pleqëri të thellë dhe në gjendje jo bash të mirë shëndetësore, sipas “takatit” personal ende është aktiv në punën e vet krijuese letrare.