Sinonim i qebapëve dhe i gastronomisë ulqinake

Qebapët e tij kanë qenë të njohur jo vetëm në Ulqin dhe rrethinë, por shumë mysafirë nga vendi dhe bota, të cilët e kanë vizituar Ulqinin, kanë zgjedhur pikërisht qebaptoren e tij të vogël për të shijuar aromën dhe shijen e veçantë të qebapëve të përgatitur nga duart e arta të këtij virtuozi të gastronomisë në Ulqin. Ka mjaft të tjerë që kanë ardhur enkas në Ulqin për të provuar dhe shijuar qebapët e Pojës

Ismet Karamanaga

Para tre vjetësh, në moshën 68-vjeçare është ndarë nga jeta qebaptori ulqinak Fatmir Fici, të cilin të gjithë të njohurit dhe të panjohurit e kanë quajtur Poja. Ai jo vetëm që ishte pjesëtar i familjes së njohur Fici nga Pazari, por ishte një artist i gastronomisë, sinonim i përgatitjes së qebapëve. Qebapat e tij kanë qenë të njohur jo vetëm në Ulqin dhe rrethinë, por shumë mysafirë nga vendi dhe bota, të cilët e kanë vizituar Ulqinin, kanë zgjedhur pikërisht qebaptoren e tij të vogël për të shijuar aromën dhe shijen e veçantë të qebapëve të përgatitur nga duart e arta të këtij virtuozi të gastronomisë në Ulqin. Ka mjaft të tjerë që kanë ardhur enkas në Ulqin për të provuar dhe shijuar qebapët e Pojës.
Ai ishte një figurë interesante, modest, i sjellshëm dhe i kulturuar me klientë, gjithmonë i gatshëm t’i ndihmojë brezit të ri. Siç thotë populli ynë, “i ka pasur hije gjithçka” dhe ka shërbyer si model për këdo me sjelljen dhe buzëqeshjen e tij të rrallë. I tillë ka qenë deri në çastet e fundit të jetës së tij dhe ka mbetur në kujtesën e ulqinakëve dhe të tjerëve që e kanë njohur apo kanë pasur rastin të vizitojnë qebaptoren e tij. Prandaj Poja ka lënë një zbrazëti të madhe jo vetëm në familjen e tij, por edhe në gastronominë e Ulqinit dhe këtë qytet në përgjithësi.
Poja e ka dashur shumë edhe Ranën, Molin e Madh, Kacemen, ku shpeshherë i kam takuar në orët e mëngjesit duke shëtitur buzë detit me bashkëshorten e tij nga Rana.
Është kënaqësi që djali i tij Luani po vazhdon me sukses traditën e të atit, duke përgatitur qebapë me të njëjtin personel. Mirëpo mungesa e Pojës vërehet në qebaptoren që me krenari mban emrin e tij. Ai dhe emri i tij do të mbesin përgjithmonë në kujtesën tonë, sepse qebapët e Pojës kanë mbetur në kujtesën e shumë qytetarëve dhe mysafirëve nga vendi dhe rajoni. Kjo më së miri vërehet në faktin se kur njerëzit duan të shkojnë për të ngrënë qebapë, akoma sot, edhe pse ai ka vdekur, shpesh thonë: “Po shkojmë te Poja”.
Në qebaptoren e tij nuk ka ndryshuar asgjë, prandaj mendoj se ai është gjithmonë shpirtërisht me ata që vijnë për të ngrënë apo porositur qebapë në qebaptoren e tij. Më duket se shpirti i këtij njeriu të jashtëzakonshëm ka mbetur në qebaptoren e tij. Kurdoherë kur porositni apo uleni që të hani qebapë të përgatitur aty, iu shkon mendja te ky njeri dhe keni ndjesinë se po dëgjoni zërin e tij. Sepse Poja me mjeshtërinë e tij ka mbetur sinonim i cilësisë së jashtëzakonshme të qebapëve në gastronominë tonë.
Poja ka lindur në familjen e njohur Fici në pazarin tonë, nga babai Hysni Fici dhe nëna Meleqe Elezaga, e lindur në Kalanë e Ulqinit. Pas shkollës së mesme punoi kamerier, pastaj bashkë me vëllain hapi qebaptoren që më vonë do të bëhej sinonim i cilësisë unike.
Poja ishte një ndër simbolet e Ulqinit, i cili i mungon shumë atij. Ai u mungon të gjithë atyre që e kanë njohur dhe të cilët e përmendin për çdo ditë. Natyrisht, më së shumti i mungon familjes së tij, por edhe të gjithë neve që e kemi pasur shok dhe mik. Por jam i bindur se këshillat e tij do të mbesin përgjithmonë te trashëgimtarët e tij.
Edhe unë, autori i këtyre rreshtave, nuk e harroj kurrë dhe edhe sot shpreh pikëllim të thellë dhe respekt të veçantë për bashkëvendësin tonë Fatmir Ficin (Pojën). Prandaj ky shkrim në formë përkujtimi është vetëm një mesazh dhe ndihmesë e vogël që figurat e tilla si Poja të mos harrohen kurrë.
Inshallah shpirti i tij gjen prehje në xhenet! Pastë rahmet!

Të fundit

më të lexuarat